E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, rritet bilanci, 228 të vdekur

TËRMETI/ Lëkundje të forta janë regjistruar sërish të martën, duke shkaktuar të tjera shembje ndërtesash

ITALI - Tmerri vijon në Abruco. Numri i viktimave rritet orë pas ore, ndërsa dy lëkundje të forta gjatë së martës e kanë bërë edhe më të pasigurt jetën e banorëve, të cilët panë të tjera ndërtesa të shembeshin.

Rezultojnë 228 të vdekur, mes të cilëve 17 ende të paidentifikuar. Mbi 150 vetë janë nxjerrë gjallë nga rrënojat, pak më shumë se 1000 vetë janë të plagosur. Të humburit sipas Mbrojtjes Civile janë 50. Në kaosin e këtyre orëve ndodhen edhe 17 mijë të pastrehë. Skuadrat e shpëtimit ndërkohë luftojnë me kohën për të gjetur ende njerëz të gjallë poshtë rrënojave.


Por toka duket se nuk do t'iu japë paqe viktimave dhe skuadrave të shpëtimit. Pas lëkundjes së fortë 4,4 ballë të regjistruar në orën 11:28 të së martës, një tjetër lëkundje e fortë e cila zgjati të paktën 20 sekonda shkundi sërish në orën 19:42 Akuilën dhe gjithë Abrucon.

Mbrojtja Civile u shpreh se lëkundja e dytë ishte 5,3 ballë. Pati shembje të tjera ndërtesash, mes të cilave edhe kupola e bazilikës në qendrën Duomo. "Brenda ditës së martë, - premtoi kryeministri, - do të jenë ngritur 20 tenda me 16 kuzhina kampi ku mund të strehohen 14 500 vetë".

Mes të plagosurve, në grahmat e fundit të jetës një studente, e cila ishte hedhur nga ballkoni i shtëpisë gjatë tërmetit, e pushtuar nga paniku. Në mbrëmje u bë e ditur se ishin rreth 25 mijë vetë të cilët nuk mund të hyjnë më në shtëpitë e tyre, një rast i cilësuar si i paprecendentë.


Janë nxjerrë trupat e katër të rinjve italianë nga gërmadhat e Shtëpisë së studentit. Kufoma e studentit grek Vasil Kufolias u nxor nga një tjetër ndërtesë në mëngjes.

Tre studentë grekë (mes të cilëve edhe motra e viktimës) kishin marrë plagë të lehta. Për të nxjerrë të gjithë trupat e të rinjve që janë nën rrënoja duhet që e gjithë ndërtesa të shembet.


Në tendat e ngritura nata ka kaluar në të ftohtë dhe shumë kanë preferuar që të flenë në makina, ndërsa kanë filluar transferimet për në hotele. Janë rreth 250 vende në tendat e vëna në dispozicion në kampin sportiv të Paganicës, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të pastrehët e një vendi ku gjysma e banorëve kanë humbur shtëpitë.

Për natën e parë iu dha përparësi fëmijëve dhe të moshuarve, ndërsa të tjerët kanë fjetur në makina ose në autobusët e agjencisë rajonale të trasportit. Gjatë natës u sollën të tjera tenda nga Mbrojtja Civile për të krijuar kampe të tjera.

"Ekziston mundësia për t'i transferuar përgjatë bregut, ku tashmë janë vendosur 5 mijë shtretër", u shpreh kryebashkiaku i Abrucos duke vijuar se shpresonte që të mund t'u siguronte qytetarëve një natë më të mirë se ajo që kishin kaluar. "Shumë prej tyre kanë fjetur në makina dhe vetëm një pjesë në tendat e ngritura",- tha kryebashkiaku, i cili, edhe vetë fjeti në automjetin e tij.

SHPËTUESIT
Mbrojtja civile bën të ditur se janë 5100 vetë që po merren me dhënien e ndihmës dhe asistencën për pupullsinë, përveç personelit dhe vullnetarëve të mbërritur nga rajone të ndryshme.

Këtyre u shtohen 1300 ushtarakë, 300 prej të cilëve për mbështetje jashtë kampeve. Mes ndihmësve është shënuar një viktimë, i cili vdiq gjatë natës në një operacion shpëtimit nga një infarkt.

Ministri i Brendshëm dha për të Medaljen e Artë. Viktima ishte shef i një skuadre ekspertësh të mbërritur nga Bergamo.


strong>HETIMI


Prokuroria e Akuilës ka hapur një hetim lidhur me përgjegjësitë për shembjet nga tërmeti. Hipotezat janë për "shkatërrim të qëllimshëm" por që për momentin nuk ka të hetuar.

Mund të hetohet edhe për "vrasje të qëllimshme". "Nëse do të rezultojnë përgjegjësi, do të vazhdojmë me hetimet",- u shpreh prokurori. Të martën, disa prokurorë janë takuar për një "këshillim" lidhur me neglizhencën që mund të ketë ndodhur lidhur me tërmetin.

MESAZHI


Mes viktimave të tërmetit është një 21-vjeçare nga Bergamo. Aliçe dal Brolo studionte kriminologji. Në mesazhin e fundit që i dërgoi të fejuarit shkruante: "Lëkundet gjithçka. Po shtrihem por s'do arrij të fle.

Do t'i mbaj shapkat pranë krevatit dhe një çantë plot me gjëra që mund të më shërbejnë. Do të fle e gatshme për t'u larguar". Funeralet e viktimave, ndoshta, do të zhvillohen të premten.


---------------------------------------------------------------------------

Familja Boshti ka humbur vajzën 4 vjeçe, ndërsa nëna e saj Mira, ka dëmtuar shtyllën kurrizore dhe ndodhet në Romë

Tërmeti, dy shqiptare në gjendje të rëndë në spital


SHKODËR - Viktima e vetme shqiptare e tërmetit të rënë në Itali është nga qyteti i Shkodrës. Elsaida Boshti është 4-vjeçarja, e cila ka humbur jetën dhe që ishte fëmija e vogël i një familjeje të përbërë nga katër vetë. Vëllai i saj Elsaidi, vetëm një vit më i madh, ka arritur të shpëtojë.

Familja Boshti ka jetuar në qytetin e Shkodrës, ku edhe kanë një apartament në katin e tretë të një pallati në lagjen "Manush Alimani". Banorë të këtij pallati shprehen se familja e Ridvan Boshtit jeton në Itali prej pesë vjetësh.

Ata kanë mësuar se kryefamiljari ka shpëtuar gjallë, pasi në kohën kur ka rënë tërmeti, ka qenë në punë. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Mira Boshti, ndodhet në spitalin e Romës në gjendje të rëndë shëndetësore, me dëmtime në shtyllën kurrizore.

Tërmetit ka arritur t'i shpëtojë edhe Elsaidi 5-vjeçar, ndërsa motra e tij më e vogël ka ndërruar jetë. Ambasada shqiptare në Romë njoftoi të hënën në mbrëmje se vogëlushja 4-vjeçare ishte identifikuar pasi ishte nxjerrë nga rrënojat, nga i ati, Ridvani, 37 vjeç.

Fqinjë të pallatit shprehen se prindërit e Ridvan Boshtit kishin jetuar në apartamentin e të birit për një kohë të gjatë. Por dy vjet më parë ata kanë vendosur t'u bashkohen fëmijëve të cilët ndodheshin të gjithë në Itali dhe si rrjedhojë janë larguar.

Bëhet e ditur se Mira Boshti, gruaja e Ridvanit, e cila është ende në gjendje të rëndë ishte nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës. Burime nga ambasada italiane në Romë shprehen se në rrënojat e tërmetit është nxjerrë edhe një shqiptare tjetër, e quajtur Manushaqe Hoxha. Ajo ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›