Banka Botërore: Ekonomia shqiptare, më e mirë se ajo e rajonit, Qeveria e re nuk mund t’i ulë taksat
Shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tirana, Kseniya Lvovsky deklaroi dje se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2013 edhe pse e dobët ka qenë më e mirë sesa vendet e tjera të rajonit. Në një konferencë për shtyp me rastin e përfundimit të mandatit të saj në Shqipëri, Lvovsky ka theksuar se partneriteti i Bankës Botërore dhe autoriteteve shqiptare ka qenë pozitiv duke pasur një sërë arritjesh. “Partneriteti ynë me Shqipërinë ka pasur një sërë arritjesh. Autoritetet shqiptare kanë miratuar një sërë aktesh që kanë ndikuar në sektorin financiar siç janë ndryshimet e bëra në kodin e procedurës civile dhe këto janë mjaft të rëndësishme. Investimet tona kanë përfshirë sektorë të ndryshëm, me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Është rehabilituar portii Sarandës, janë rregulluar rrugët në shumë qytete, janë sistemuar një sërë kanalesh kulluese në zonat e përmbytjeve, është përmirësuar shërbimi i regjistrimit të tokës. Një program për të mbështetur punësimin e të rinjve në komunat e Tiranës dhe Durrësit është përmbushur në muajt e parë dhe Shqipëria ka përmbushur kushtet e transparencës së industrisë nxjerrëse me arritjet e saj të mëdha. Vitin e shkuar ne kemi realizuar dy projekte të rëndësishme prej 100 milionë USD. Gjatë vitit të shkuar fiskal ne kemi siguruar mbështetje analitike dhe teknike” theksoi Lvovsky. Në këshillat e saj për qeverinë e re ajo veçon dy pika. E para që taksat nuk duhet të ulen dhe e dyta nevoja për rikthimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri. “Qeveria e re nuk do ketë shumë mundësi për ulje taksash. Ajo duhet të kryej shkurtim të shpenzimeve në mënyrë që të ruhet stabiliteti financiar. Duhet të fokusohet më shumë në reformat strukturore për të siguruar një rritje ekonomike afatshkurtër pasi për investimet e reja nuk ka shumë hapësirë. Borxhi do jetë shtrëngues për çdo qeveri nëse nuk merren masa”, u shpreh ajo. Në një aspekt më pozitiv, theksoi se shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tirana, Kseniya Lvovsky vuri në dukje se, partneriteti me Shqipërinë ka shënuar një sërë arritjesh, sidomos në rolin me “Bankën e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucione të tjera, mundi të ndërmerrte masa të rëndësishme, të cilat forcuan elasticitetin e sektorit financiar, që funksionuan relativisht mirë nën këto rrethana. Do të doja të vlerësoja bashkëpunimin e mazhorancës dhe opozitës për kalimin e një sërë amendamentesh (ndryshimesh) të procedurave të kodit civil që lidhen me sektorin bankar. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Pavarësisht presioneve, sektori bankar mbeti i fuqishëm dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera kanë qenë të shpejta dhe të lavdërueshme”, theksoi ai. Ndërsa i cilësoi zgjedhjet si historike, shefja e Bankës Botërore listoi 3 fusha në të cilat duhet të punojë qeveria e re për të bërë të mundur një Shqipëri europiane. “E para. Do të jetë me rëndësi që të rritet besueshmëria tek institucionet publike, kjo përfshin transparencën, pavarësinë e institucioneve, shtetin ligjor dhe zbatimin e shtetit ligjor në mënyrë të padiskriminuar. Ka shumë mundësi që Shqipëria të ketë një administratë profesionale dhe të depolitizuar. Mbajtja e personave profesionist do të jetë një test për qeverinë e re për të bërë të mundur integrimin në Bashkimin Europian. E dyta; Vazhdimi dhe përshpejtimi i reformave strukturore. Kjo është shumë e rëndësishme dhe bëhet e tillë në këtë kohë krize që ka përfshirë Europën. Do të jetë mirë të vijohet me përshpejtimin e reformave dhe të përshpejtohet zbatimi i tyre si për asistencën sociale, inspektimet, procedurat e kontabilitetit. Në disa fusha reformat duhet zgjeruar dhe një nga sektorët është sektori energjetik dhe ai i pushtetit vendor. E treta; Konsolidimi fiskal dhe pagesat e prapambetura. Është shumë e rëndësishme që të paguhen të gjitha faturat e sektorit privat dhe pavarësisht sesa ambicioze është qeveria nuk ka hapësira për investime të rëndësishme të reja. Pra duhet të ketë një program për të ndërtuar gradualisht hapësirën fiskale” tha shefja e Bankës Botërore. Shefja e Bankës Botërore gjithashtu këshilloi qeverinë e re që të bëjë një selektim strategjik të reformave duke u përqendruar vetëm tek ato që kanë përparësi për vendin. Gjithashtu ajo theksoi se ngritja e një këshilli fiskal dhe rifillimi i bashkëpunimit me FMN-në nga ana e qeverisë së re do ta ndihmojë Shqipërinë të rimarrë një zhvillim të qëndrueshëm. “Situata ekonomike është mjaft e vështirë për shkak të krizës botërore; ka disa vite që qeveria bën përshtatje të buxhetit afatmesëm dhe ky vit nuk ishte ndryshe nga vitet e tjera. Ka gjasa që edhe këtë vit të bëhen përshtatje. Ka rëndësi që qeveria të vendosë rregulla fiskale dhe të ngrejë këshillin fiskal”, theksoi ajo.
...