Topalli: Krenare për punën e Diplomacisë Parlamentare
Kryetarja e Kuvendit pret Ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Cannon
Ambasadori i Mbretërisë se Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, vlerësoi realizimin e një procesi zgjedhor në 23 qershor me standarde të larta. “Ju duhet të jeni krenarë për këtë proces zgjedhor shumë të mirë. Ky ishte një sukses i qeverisë dhe institucioneve shqiptare”, u shpreh Cannon në një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë takimit, Topalli tha se, “Shqipëria dhe shqiptarët i janë mirënjohës Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer, si dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve gjatë këtyre viteve”. Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, ambasadori Cannon vlerësoi bashkëpunimin në rritje në këto vite mes dy parlamenteve, me vizita të shpeshta kryetarësh, por edhe delegacionesh parlamentare. Unë kam punuar fort dhe jam krenare edhe për punën në nxitjen e Diplomacisë parlamentare dhe do të dëshiroja që marrëdhëniet mes parlamentit britanik dhe atij shqiptar të vijojnë në këtë linjë të fortë bashkëpunimi edhe në vitet në vazhdim, në të mirë të afrimit të qytetarëve të të dy vendeve tona”, tha Kryetarja e Kuvendit, Topalli.