Banka Botërore: Gabuam me inspektimin në Jalë
Banka Botërore pranon se ka gabuar në verën e vitit të kaluar me inspektimin e projektit në bregdetin e jugut. Zv.presidenti i BB-së, Philippe Le Houérou, mori pjesë dje në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive në Tiranë, ku tha se për këtë proces nuk pati asnjë provë për korrupsion. "Unë dua të jem shumë i qartë. Procesi i panelit të inspektimit nuk heton në asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër, nuk pati asnjë provë për korrupsion, në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës, të kryente hetime të mëtejshme. Pra, përfundimisht, duhet të pranojmë që Banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu apo në ndonjë vend tjetër", tha Philippe Le Houérou. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha tha se "Publiku shqiptar e di se ka pasur një lloj kundërshtie, siç është e zakonshme midis partnerëve, për projektin e zhvillimit të zonës bregdetare. Të gjithë këto probleme janë qartësuar përfundimisht në rrafshin bilateral dhe nuk mbetet as edhe një çështje lidhur me këtë projekt. Qeveria ka zbatuar me luajalitet marrëveshjen me Bankën Botërore. Banka e ka shumë të qartë dhe Zv/presidenti siguroi qeverinë se është plotësisht i bindur në rëndësinë e këtij projekti dhe në korrektesën e Qeverisë shqiptare".