Sarandë 1997, polici peng: Zani Çaushi më shpëtoi jetën
Armand BajramiGjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me deklarimet e Eduart Aliajt, policit të mbajtur peng dhe të torturuar në Sarandë në vitin 1997, pas masakrës së "Qafë-Gjashtës". Për shkak se ish-polici Aliaj, aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë, gjykata administroi deklarimet e dhëna prej tij para prokurorëve në vitin 2007, gjatë hetimeve paraprake. Më 4 mars të vitit 1997, ndërsa institucionet shtetërore ishin jashtë funksionit, katër efektivë të policisë së Vlorës: Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj u nisën drejt Sarandës. Misioni i tyre ishte për të rimëkëmbur komisariatin e policisë të këtij qyteti, që ishte sulmuar nga grupet e armatosura. Gjatë kthimit nga Saranda, pasi rimëkëmbja e komisariatit rezultoi e pamundur, katër efektivët ranë në një pritë organizuar nga njerëz të armatosur. Ngjarja përfundoi me vrasjen, masakrimin dhe djegien e oficerit Gjergj Mehmeti dhe plagosjen e Eduart Aliajt, ndërsa dy të tjerët mundën të largohen. Aliaj u mbajt peng në Qafë-Gjashtë e më pas në Sarandë dhe u torturua për disa ditë. Prokuroria për Krimet e Rënda akuzon si autorë të ngjarjes, Vladimir dhe Nestor Sinanin, Eduart çipën, Alqi Pagunin, Edmond Sejkon, Mikel(Flamur) Këndezin, Arben Këndezin, Agron Qurkun, Aleksandër(Ale) Balën dhe Ristan Lapën. Kjo dosje ka filluar të shqyrtohet te Krimet e Rënda një vit më parë. Më poshtë publikohet dëshmia e policit të mbajtur peng në Sarandë:DëSHMIA e ish-policit"Quhem Eduard Aliaj dhe aktualisht jam me banim të përkohshëm në Komo, Itali. Atje jetoj me gruan time dhe jam i punësuar në shoqërinë "L..." me seli në Carimata që prej rreth dy vjet e gjysmë. Kam numrin e telefonit 003932042*****. Në lidhje me sa më pyesni, kam për të deklaruar se unë kam mbaruar shkollen e policisë në vitet 1990-1992 dhe kam qenë punonjës i Policisë së Shtetit deri në shtator të vitit 1997. Pasi mbarova shkollën, jam caktuar si inspektor i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Vlorë. Në mars të vitit 1997, unë vazhdoja detyrën normalisht në Komisariat. Me dt. 04 mars 1997, erdhi më takoi shefi i krimeve të Komisariatit Sokol Bizhga. Ai po fliste në telefon nga zyra e informacionit dhe më tha të bëhesha gati pasi do ikja me të në Sarandë. Sokoli më tha se kishte marrë detyrë nga ministria që të shkonte në Sarandë për të ringritur Komisariatin e Policisë atje, që kishte dalë jashtë funskionit. Sokoli i tha dhe Gjergji Mehmetit, i cili kryente detyrën e komandantit të repartit të Policisë në Vlorë, si dhe Myzafer Blushi, i cili ishte polic qarkullimi. Ne jemi nisur të katërt me makinën personale të Myzaferit për në Sarandë, tip Benz 2400 ngjyrë bari. Duke pasur parasysh situatën, të gjithë ishim të armatosur me armatimin personal, pistoleta dhe automatikë. Madje unë nuk kisha armën time, por ia mora policit të turnit dhe do ia ktheja mbrapsht pas shërbimit. ***Ka qenë rreth orës 9 të mëngjesit. Afër Orikumit, ose në Radhimë, ne jemi takuar me vëllain e Myzaferit, Gencin, i cili po udhëtonte bashkë me xhaxhain. Ai kishte një makinë tip Benz, ngjyrë gri. Ne ndaluam dhe u takuam. Ata na thanë se ishin nisur për në Gjirkoastër për të marrë mbesën që studionte atje. Meqë kishim rrugë të përbashkët, ata vendosën të niseshin bashkë me ne, pra Myzaferi na tha në makinë që do vinte me makinë pas nesh i vëllai me xhaxhain dhe ne nuk folëm, pranuam në heshtje. Kemi bërë një ndalesë të gjithë bashkë në Llogara. Pimë kafe dhe morëm nja dy kg mish. Ndenjëm në Llogara rreth 10-15 minuta. U nisëm sërish për në Sarandë dhe rruga shkoi pa probleme. Kur mbërritëm në Sarandë, pamë që situata ishte jashtë kontrollit. Njerëzit ishin me armë në duar dhe nuk pamë asnjë punonjës policie. Shkuam drejt në Komisariat dhe pamë se godina ishte e djegur, madje nxirrte tym akoma dhe përpara godinës ishin dy furgonë policie të djegur. Nuk takuam asnjë punonjës policie, as në Komisariat apo aty afër. Atëherë Genci me xhaxhain u ndanë nga ne dhe Myzaferi bisedoi me të vëllanë që të iknin të mbaronin punët e veta dhe të shiheshim sërish pas një ose dy orësh, që të bënim rrugën e kthimit për në Vlorë sërish bashkë. Ata do na prisnin në rrugë sa të bashkoheshin me ne. Pas kësaj shkuam deri tek porti dhe pamë se njerëzit ishin mbi anije dhe të armatosur. Pas kësaj u kthyem prapë për në qendër të qytetit, pasi Sokoli kërkonte një telefon që të lidhej me ministrinë t'i raportonte situatën. Gjetëm dikë me një telefon celular me numër grek dhe Sokoli foli në telefon. Pasi foli, ai na tha se ishte lidhur me zëvendësministrin e Brendshëm, Agim Shehu, dhe i kishte raportuar për gjendjen në Sarandë, se situata ishte jashtë kontrollit dhe nuk bënim dot gjë, pra të ringrihej Komisariati. Sokoli na tha se ai i kishte thënë të mundoheshim të bënim ndonjë gjë, të organizonim ndonjë postbllok, dhe nëse kjo ishte e pamundur, të ktheheshim në Vlorë. Sokoli na tha se kishte vendosur të ktheheshim, ai jepte urdhër se ishte eprori ynë, pasi konstatonte se nuk mund të bënim asgjë për të ringritur Komisariatin. Ne u nisëm për në Butrint për të ngrënë drekë. Kemi ndenjur rreth gjysëm ore dhe kemi marrë rrugën e kthimit. Rrugës nga Butrinti për në Sarandë, në një fshat që s'më kujtohet, Myzaferi njohu një ushtar që e kishte nga fshati i tij. I foli dhe e morëm në makinën tonë. Porsa morëm maloren për të dalë në Qafë-Gjashtë kemi takuar Gencin me xhaxhain që po na prisnin. Aty ushtari zbriti nga makina jonë dhe hipi te makina e Gencit. Nuk e mësova emrin e ushtarit dhe nuk jam në gjendje ta kujtoj shumë saktë. Ishte një djalë i dobët i gjatë. Pas kësaj kemi lëvizur të dyja makinat njëra pas tjetrës, ne përpara, ata na ndiqnin pak metra më tutje. Në makinën ku isha unë, Myzaferi ishte shoferi, Sokoli në vendin e pasagjerit të parë. Unë dhe Gjergji ishim të ulur mbrapa. Gjergji mbrapa shoferit, unë mbrapa Sokolit. Pasi jemi nisur të dyja makinat, te malorja pa dalë në Qafë-Gjashtë, na ka prerë rrugën një makinë tip Benz 190, ngjyrë bojë qielli, dhe frenoi direkt para makinës sonë duke na bllokuar rrugën. Në makinë ishin tre persona. Nga makina ka dalë një person i armatosur dhe drejtoi armën drejt nesh. Ai mbushi armën kur u afrua dhe na pyeti: "çfarë jeni ju?". Sokoli i tha: Jemi të policisë së Vlorës", doli nga makina dhe e çarmatosi, i kapi automatikun. Pas kësaj unë dhe Gjergji dolëm menjëherë nga makina dhe Sokoli me Gjergjin futi personin që na drejtoi armën në makinën tonë. Më vonë kam marrë vesh se ky person quhej Bubeqi. Pas kësaj, Gjergji qëlloi me automatik në ajër për presion. Unë u drejtova te makina e tyre dhe mora personin e dytë dhe e futa po në makinën tonë. Gjatë kësaj kohe, shoferi i tyre iku me shpejtësi në drejtim të Qafë-Gjashtës. Këta dy personat i ulëm mbrapa në makinë me Gjergjin, kurse unë kalova te makina e Gencit. U nisëm përsëri të dyja makinat në drejtim të Qafë-Gjashtës. Pas 4-5 minutash, te karburanti në krah të djathtë të rrugës në Qafë-Gjashtë dalluam disa persona të armatosur, 10-15 veta, të shpërndarë përpara karburantit. Në momentin që unë dallova këta persona, isha rreth 40 metra nga makina e parë. Pashë se makina e Myzaferit u parkua mbrapa një mauneje të parkuar pa hyrë në karburant dhe në kohën që ka mbërritur makina jonë, grupi i armatosur po qëllonte për paralajmërim. Unë kam hapur derën e makinës ku ndodhesha, kam zënë pozicion dhe kam tentuar të qëlloj edhe unë në ajër për paralajmërim, por automatiku nuk funksionoi. Unë pashë se njëri nga dy personat që ishte në makinë me Sokol Bizhgën dhe na prenë rrugën pak më parë, doli dhe nga makina dhe iku në drejtim të grupit duke bërë me shenja me duar. Nuk kam dëgjuar se çfarë ka folur. Sokoli dhe Gjergji qëlluan me automatik në ajër për paralajmërim. Madje pashë se Sokoli hodhi një granatë dore mësymëse, dëgjova zhurmën por nuk e pashë në ç'drejtim e hodhi. Në momentin që ky person është larguar nga makina, unë pashë se u largua nga makina Myzaferi, Genci, xhaxhai dhe ushtari. Ata ikën me vrap mga mbrapa nga ullinjtë ku ishte një godinë e vjetër, më mbrapa mora vesh se ishte një repart ushtarak. Në kohën që personi është bashkuar me grupin e armatosur, ata qëlluan më me shumë intensitet në drejtimin tonë. Në këtë kohë unë kam dëgjuar Gjergjin që thërriste: "U plagosa, më dërgoni në spital" dhe ai ishte brenda në makinë. Unë në këto momente isha te makina e dytë mbrapa nga krahu i pasagjerit. Mbas pak, kam parë Sokolin që u largua në krahun e majtë të rrugës dhe në këtë kohë edhe unë kam kapërcyer murin në krahun e djathtë dhe jam fshehur tek ca pisha. Gjatë gjithë kësaj kohe, qëllohej nga të gjitha drejtimet. Kam dëgjuar Gjergjin që vazhdonte të thërriste se ishte plagosur dhe kërkonte ndihmë. Gjithashtu kam parë personat e armatosur të afrohen te makina, ishin rreth 10 persona, dhe kam dëgjuar njërin prej tyre të thoshte: "Na është hedhur njeri nga muri". Në këtë kohë kam parë një person nga grupi i armatosur që ka qëlluar me automatik kallashnikov në drejtim të makinës ku ishte Gjergji. Dyert e të dyja makinave kanë qënë të gjitha të hapura dhe personi që ka qëlluar ka qënë shumë afër me makinën, dy ose tre metra dhe lëshoi një breshëri të gjatë. Që nga ai moment nuk e dëgjova më Gjergjin të rënkonte. Pas kësaj unë dola nga vendi ku isha fshehur, e lashë automatikun në vend dhe u drejtova nga njerëzit e armatosur. Unë u thashë atyre: "Jam polic, jam nga Vranishti i Vlorës, mos godisni". Unë dola nga vendi ku isha fshehur pasi mendova se po të ikja me vrap, do më qëllonin. Personi që qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të makinës ku ishte Gjergji ishte një djalë rreth 25 vjeç, i gjatë rreth 1.70 m, trup mesatar, me flokë të zeza deri në gjatësinë e qafës, flokët pak me onde të kthyera anash, i parruar. Edhe nëse ma tregoni këtë person, nuk mendoj se jam në gjendje ta njoh, pasi ka kaluar kohë e gjatë. Ata filluan të më godisnin me qytat e armëve dhe me sendet ca i ndodhej dhe me shanin. Ata më godisnin në kokë e në gjithë trupin, me grushta, me shkelma, më pështynin. Turma sa vinte e bëhej më e madhe pasi vinin njerëz nga Saranda dhe nga rrethinat. E gjithë kjo zgjati 10-15 minuta. Njëri nga ata personat më hipi në një makinë tip benz 2400, ngjyrë kafe, bashkë me dy persona të armatosur, djem të rinj për të më ruajtur mua dhe më çuan në një lokal në Sarandë ku ishin gazetarë grekë dhe italianë. Nuk e kujtoj emrin e lokalit, fillimisht me çuan në banjo që të lahesha, pasi isha gjithë gjak dhe gazetarët më kujtohet se ishin duke ngrënë. Më nxorrën para tyre dhe ata më filmuan. Ata më pyetën dhe njëri nga ata djemtë dinte greqisht dhe përkthente, në fakt shumë prej tyre komunikonin vetë me gazetarët greqisht. Nuk pashë njeri të fliste me gazetarin italian. Unë vetë nuk nuk dija të flas as greqisht, as italisht. Unë u thashë gazetarëve se isha polic nga Vlora dhe kisha ardhur në Sarandë me kolegët e mi, me detyrën e ngritjes së Komisariatit Sarandë. Ndenja rreth 10-15 minuta aty dhe pas kësaj më kthyen përsëri në Qafë-Gjashtë. Aty më nxorrën në një si podium, ishte mu përballe makinave dhe unë pashë dy makinat tona të djegura që nxirrnin tym dhe maunja përpara tyre në flakë. Mua më lidhën pas një shtylle, dhe duart të lidhura gjithashtu pas shtylle. Gjatë gjithë kësaj kohe, përsëri njerëz të armatosur vazhdonin të më godisnin. Nuk jam në gjendje të them emrat e tyre ,pasi nuk i njihja. Ishin rreth 50 veta të pranishëm në miting. Aty unë dëgjova që mbajtën fjalim anëtarë të Komitetit të Shpëtimit të Sarandës dhe mësova emrin e kryetarit, quhej Xhevat Koçia. Unë fola para turmës dhe u thashe që jam polic dhe se kisha ardhur me kolegët për të ngritur Komisariatin e Sarandës. Ata shanin dhe më godisnin akoma, madje i dëgjova të flisnin me njëri-tjetrin, duke pyetur se kush do të më vriste. Madje njëri prej tyre më goditi me qytën e automatikut mbrapa kokës, pështyja gjak dhe u ula se nuk qëndroja dot në këmbë nga goditja. Nga kjo goditje unë kam pësuar çarje të thellë mbrapa kokës, të cilin ma ka qepur më vonë në spitalin e Sarandës një infermier, djalë i ri që s'më kujtohet si emër. Gjithashtu dhe një të çarë në vetullën e majtë prej goditjeve me sende të ndryshme.***Rreth orës 22:00 më çuan në spital dhe unë rashë si kllapi nga goditjet dhe plagët që kisha marrë dhe nuk kujtoj asgjë çfarë është bërë me mua atë natë. Por më kanë lidhur me pranga gjermane, nga ato të trashat, dhe sqaroj se gjithë kohës që kam qëndruar në spital kam qenë i lidhur me pranga dhe më ruanin persona me automatik. Kanë qenë tre ose katër djem të rinj që nuk i njihja dhe nuk ua mësova emrat, në përgjithësi flisnin me pseudonim me njëri- tjetrin. Ata gjatë gjithë kohës ruheshin nga unë se mos dëgjoja bisedat e tyre dhe thoshin me njëri-tjetrin të bënin kujdes pasi sipas tyre unë dëgjoja. Njëri nga rojet që ishte i gjatë, kam fiksuar se i thërrisnin Niko, por nuk e di nëse ky ishte emri apo pseudonimi i tij. Ai ishte rreth 22 vjeç, po ta shoh nuk jam i sigurt nëse mund ta mbaj mend më tani për shkak të kohës së gjatë, por ai nuk më ka goditur ndonjëherë, vetëm më ruante me automatik në dhomë.***Të nesërmen rreth orës 10 paradite më kanë marrë nga spitali me një makine "Aro" të vjetër disa djem të rinj me kapuç në kokë. Nuk i di se kush ishin ata djemtë dhe mezi qëndroja në këmbë. Ata më kanë çuar te sheshi para Bashkisë në Sarandë, sërish ishte miting dhe kishte shumë njerëz, midis tyre të armatosur dhe e drejtonte Komiteti i Shpëtimit Publik, përsëri pashë Xhevat Koçinë. Aty më detyruan, njerëzit që më mbanin të lidhur që të flisja se gjoja kisha ardhur me mision nga Qeveria për të vrarë njerëzit në Sarandë dhe se isha kriminel. Unë u detyrova të thoja këto gjëra para turmës nga frika se do më vrisnin, di që gazetarët e huaj më kanë filmuar. Madje më detyronin duke më goditur të thosha se kisha një listë me njerëzit që isha dërguar për të vrarë, por unë nuk pranova të thoja këtë gjë në miting, megjithëse më godisnin. Kam fiksuar që në ditët e para më kanë qëlluar vazhdimisht Ristan Lapa dhe personin që na ka bllokuar rrugën në Qafë-Gjashtë. Mësova ato ditë sa ndenja në Sarandë se thirrej me pseudonimin Bubeqi. Ata më godisnin me tytën e automatikut, me grushta, me shkelma dhe më detyronin në miting të flsija si donin ata. Më kanë qëlluar veç këtyre që përmenda, dhe persona të tjerë që unë nuk i kam fiksuar pasi kanë qenë me maska dhe unë kam qenë shumë i hutuar. Pas rreth një ore më çuan përsëri në spital ngaqë isha me plagë dhe e pamundur të qëndroja në këmbë. Më kujtohet që në spital dy ditët e para nuk kam ngrënë asgjë, por pija vetëm cigare, në vazhdim kam pranuar të haja gjërat që më sillte një burrë i vjetër nga Saranda me emrin Zaho Lapa, i ati i Ristanit. Më vonë më ka sjellë nga shtëpia për të ngrënë dhe një infiermire që nuk ia kujtoj emrin, një grua e martuar me moshë rreth 30-35 vjeçe, e shkurter, flokë të shkurtra të zeza. Në dhomë ka qenë i shtruar me mua dhe një person nga Kukësi, fshati Orgjioste quhej Manfis Hoxha, gruan e kishte nga fshati Stiar. Edhe atë e torturonin dhe e akuzonin si agjent të SHIK- ut. Po ata persona që më godisnin dhe më ruanin me automatikë, godisnin dhe ruanin dhe atë. Ai ka ardhur disa ditë pasi kam qenë unë në spital dhe doli dy tre ditë para se të largohesha unë. Unë kam qenë i shtruar te krevati pranë derës. Kam qëndruar në spital 13-14 ditë, gjithë kohës i lidhur me pranga pas hekurave të krevatit dhe persona të armatosur më ruanin mos largohesha. Kisha frikë gjithë kohës se do më vrisnin ose do më helmonin, ndaj i thashë Zahos se jam në besën tënde për ushqimin që më sjell. Vazhdimisht vinin persona të armatosur që më kontrollonin dhe më godisnin, ndërsa anëtarët e Komitetit të Shpëtimit Publik si Xhevat Koçia, Fuat Karalliu dhe Muço Golemi më merrnin në pyetje për ngjarjen disa herë duke insistuar përse kisha ardhur në Sarandë me kolegët. Pas 4-5 ditësh qëndrimi në spital, më kanë djegur me cigare në trup në gjoks nga ana e majtë si dhe në krahun e djathtë në pjesën sipërme. Nuk jam në gjëndje me emra të saktësoj se cilët ishin, por po nga grupi i personave që më kontrollonin përherë e më ruanin. Në disa raste kur më torturonin, ka qenë i pranishëm edhe Xhevat Kocia, Fuat Karalliu e Muco Golemi, Ristan Lapa dhe Odese Lapa, djemtë e Zahos. Unë mbaj mend qe Xhevati u thoshte "Mos e qëlloni djema", por ai tallej, pasi ata përseri vazhdonin të më godisnin. Dua të theksoj se goditjet më të rënda fizike me qytat e armëve, me grushta e shkelma i kam marrë 4-5 ditët e para dhe sidomos gjatë kohës që më merrnin në pyetje anëtarët e Komitetit që përmenda më lart. Ata e bënin këtë me qëllim që të merrin nga unë sa më shumë informacione për arsyet përse ne punonjësit e Policisë kishim ardhur në Sarandë, madje më mbanin armën në kokë për të më detyruar që të tregoja. Kjo edhe sepse ata nuk më besonin kur unë u thosha të vërtetën që ju kam shpjeguar juve. Këto shenja janë të dukshme dhe sot. Gjithashtu kam pasur plagë të tjera në buzë, në fytyrë, në krahë, në këmbë, për të cilat jam mjekuar në spital dhe këto u shëruan me kohë. Tre-katër ditët e para që kam qëndruar në spital gjendja ime shëndetësore ka qenë shumë e rënduar, si rezultat i goditjeve që mora mbrapa koke dhe kudo në trup dhe shpeshherë kaloja në gjendje kllapie. Unë prisja çdo minutë të më vrisnin dhe kam qenë i shokuar gjithë kohës.***Mbaj mend se pas rreth 4-5 ditësh më ka ardhur bashkë me Xhevat Koçiun në spital edhe një person i quajtur Edmond, mbiemrin nuk ia di, po ishte anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Vlorës dhe më kujtohet që më tha: "Ne ty o zagar, të njihnim, kurse ti ke ardhur për të vrarë". Unë s'iu përgjigja. Gjatë kohës që kam qëndruar në spital, ata që më mbanin, sillnin gazetarë të huaj që më intervistonin e me pyesnin të njëjtat gjëra që kam thënë më lart.Pas rreth 13-14 ditësh, më ka marrë një person, nuk jam i sigurtë nëse ka qenë Odise Lapa dhe më ka nxjerrë mbrapa spitalit. Ai bashkë me një person tjetër më hipi në një makinë tip Benz, më lidhën sytë dhe më kanë çuar në një shtëpi, të cilën nuk e di se ku ndodhet, por brenda në Sarandë. Në makinë dëgjova të flisnin me njëri-tjetrin se kishte ardhur Zani Caushi të më merrte për në Vlorë. Ishte rreth orës 23-24 dhe aty më futën në një dhomë, me zgjidhën sytë. Pashë se ishte dhe një person tjetër, i cili më tha se ishte nga Dibra dhe ishte inspektor i zonës së Ksamilit. Nuk fola më tepër me të, por ai më tha se nuk e dinte përse e mbanin aty. Aty kam ndenjur rreth dy orë. Unë e njihja Zani Caushin, pasi kisha qene inspektor zone në një pjesë të lagjes Cole në Vlorë ku banonte ai, ku ai banonte dhe se kishin shoqëruar më parë në Komisariatin e Vlorës. Në shtëpi kam ndenjur i lidhur në errësirë. Më pas dy-tre djem, nuk jam në gjendje të saktësoj nëse ishin po ata që më çuan në shtëpi, erdhën e më nxorrën nga shtëpia dhe më morën me makinë. Njëri prej tyre m'u duk si shoferi i makinës që na iku pasi na preu rrugën në Qafë-Gjashtë. Ai më tha se quhej Armando dhe kam ardhur për të ndihmuar dhe thoshte, "ç'mu desh mua që u ngatërrova me këta". Ata më vendosen pas një muri, me sa kam kuptuar diku afër qendrës së qytetit. Aty pashë Zani Caushin, një djalë i quajtur Luçiano nga Burreli, shok i Zanit, një person të quajtur Tori nga Vlora që e njihja, Viktor Duka quhet, e ka shtëpinë në Vlorë. Me ta ishte dhe një person i quajtur Bardhi nga Vlora, ishin rreth 7-8 veta. Aty dëgjova që bëheshin debate të ashpra për mua për të mos më liruar, madje dëgjova dhe zëra që thoshin se donin të më vrisnin, por nuk jam në gjendje të saktësoj se kush thoshte kështu, kurse grupi i Zanit donte të më merrte në Vlorë. Ky debat vazhdoi rreth 10 minuta me tone të acaruara. Një moment Tori dhe Luçiano më tha të hipja në furgon dhe unë hyra brenda. Pas kësaj furgoni u nis dhe mua më hoqën prangat brenda në furgon. Dikush nga ata djemtë e Sarandës qëlloi furgonin me automatik. Një plumb hyri dhe doli në krahun tjetër dhe u thyen xhamat. Unë udhëtova me furgon, kurse Zani vinte me një makinë tip Benz nga mbrapa. Në vendin e para të furgonit rrinte Luçiano, kurse unë mbrapa. Jemi nisur rreth orës 2 të natës dhe kemi ecur pa ndaluar, kemi mbërritur për rreth 5 orë gjysmë në Vlorë. Ndaluam në lokalin që ishte në shtëpinë e Zanit, pimë një kafe e pastaj aty erdhën djemtë e dajës tim në Vlorë, Niko e Napolon Shehu. Atyre u çuan lajm se isha në shtëpinë e Zanit. Në lokal kam ndenjur rreth 10 minuta. Pas kësaj unë kam ikur në shtëpinë e kushërinjve ku u lava dhe u nisa direkt për në fshat.***Kam punuar përsëri në polici në Postën e Policisë së fshatit Kote, derisa jam larguar nga puna me dëshirën time në shtator të vitit 1997. Kam ndenjur i papunë në fshat deri në vitin 2001, kur u largova emigrant në Itali, ku ndodhem edhe sot e kësaj dite. Gjatë gjithë kësaj kohe sa herë jam përpjekur të kujtoj atë çfarë më ka ndodhur nuk ndjehem mirë, pasi ajo ngjarje ka lënë gjurmë në jetën time. Sa herë më vijnë ndërmend ato ngjarje, jam i tronditur dhe i frikësuar. Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Të gjitha sa më sipër janë thëniet e mia të shkruara drejt."