Pëllumb Xhufi: Berisha po i nënshtrohet diktatit të Athinës
Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi e cilëson vendimin për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare si një shitje të interesave kombëtare. "Ajo çka mund të them si një reagim të parë, është që privilegjin për të dhënë këtë lajm për futjen në proces të regjistrimit të popullsisë mbi bazë besimi e kombësie, z. Berisha do mund t'ia kishte besuar më mirë zotit Ksera: pa i rënë në hak zotit Pollo, më duhet të them se Ksera ka më shumë merita në mbrojtjen e çështjes së përdalë të "Vorio-Epirit". sipas tij, nuk i ka hije një vendi sovran, si Shqipëria, e cila ka një Kushtetutë ndër më evropianet, e cila nuk bën dallime etnike e fetare për qytetarët e saj, por i konsideron këta njëlloj të barabartë, pra nuk i ka hije Shqipërisë që t'i nënshtrohet diktatit të Greqisë e t'i kthehet koncepteve të superuara të kohëve të nacionalizmit, siç bën për fat të keq pikërisht Greqia, e cila në Kushtetutën e saj i ndan qytetarët e Greqisë në "grekë" e "ortodoksë", të cilët gëzojnë çdo të drejtë, dhe në "të tjerë", që nuk kanë të drejtë të organizohen, të grumbullohen në parti e shoqata apo të shërbejnë në sektorin publik, për sa kohë nuk janë "grekë" e "ortodoksë". Zoti Berisha u detyrua të deklarojë ai vetë, pak javë më parë, se partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë e kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të mos ta bënte një regjistrim të popullsisë me deklarim të kombësisë e të besimit. Historiani i njohur shprehet se kryeministri Berisha ia ka premtuar Athinës regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare e etnike qysh prej vitit 2005.