E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Pse iu hoqën investimet katër bashkive



Drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, ka sqaruar pozicionin e Bankës lidhur me rialokimin e fondeve nga katër bashki në drejtim të zonave të përmbytura në Shkodër. Sipas saj, projektet në bashkitë: Berat, Elbasan, Shkodër dhe Kamëz kishin mbetur prapa dhe s’mund të realizoheshin në afatin e caktuar. Në këto kushte, Banka i kërkoi qeverisë rialokimin e fondeve për investime emergjente në Shkodër. Sipas përfaqësueses së Bankës Botërore në Shqipëri, investimet në infrastrukturën e bashkaike menaxhoheshin nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me bashkitë përfituese. “Nga bërja efektive e projektit në muajin korrik 2007 deri në janar 2010, nuk është nënshkruar asnjë kontratë punimesh në katër bashkitë e sipërpërmendura”,- deklaroi Nuamah. Më tej, ajo ka sqaruar se fondet e papërdorura të Bankës Botërore kanë një kosto për vendin. “Në rastin konkret ishte e qartë se këto fonde nuk mund të shfrytëzoheshin deri datën e mbylljes së projektit, ndaj ne i sugjeruan qeverisë rialokimin e fondeve për t’i përdorur në zonat e përmbytura në fushën e kullimit dhe në argjinatura”,- shpjegoi drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Sipas saj, qeveria ka marrë përsipër të gjejë burime shtesë nga buxheti për të mbuluar 4 bashkitë, Berat, Elbasan Shkodër dhe Kamëz, projektet e të cilave ishin tenderuar ose ishin në proces tenderi në shumën e 1.6 mln dollarëve. Përveç sqarimit të situatës për fondet, Camille Nuamah, i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të bëjë kujdes në të ardhmen nga kreditë që merr nga Banka Botërore, pasi do të ndryshojë strategjia dhe mund të ketë ulje fondesh.

10 bashkitë ku janë bllokuar fondet e Bankës Botërore
Berat
Durrës
Elbasan
Fier
Gjirokastër
Kamëz
Korçë
Lushnjë
Shkodër
Vlorë

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›