E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çerdhet dhe kopshtet publike, Rama detajon ndryshimet për vitet në vijim



Përgjatë vitit 2010, Bashkia e Tiranës do të përfundojë punimet për rehabilitimin e 14 objekteve çerdhe/kopshte, nga të cilat është edhe ndërtimi i 4 objekteve të reja, të sistemit të integruar çerdhe/kopsht. Kështu ka deklaruar dje kryebashkiaku Edi Rama, gjatë vizitës në ambientet e Çerdhes nr.8 të kryeqytetit, në prani të strukturave drejtuese të Qendrës së Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve, bordit të prindërve si dhe stafit të edukatorëve të përkushtuar në punën me fëmijët. Gjatë takimit u prezantuan puna dhe standardet e arritura nga Bashkia e Tiranës, në funksionimin dhe shërbimin cilësor e profesional që ofrohet sot në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Kryebashkiaku Rama vlerësoi gjithashtu punën e kryer në procesin e transformimit të infrastrukturës në këto institucione, në transformimin e cilësisë së shërbimit që ka si qëllim ofrimin e një ndërhyrje komplekse dhe të kujdesshme për fëmijët që i frekuentojnë ato dhe që sipas kreut të Bashkisë ka arritur tashmë standarde të kënaqshme. Përveç kësaj, bashkëbisedimi u përqendrua në masat dhe punën që duhet bërë në të ardhmen, në mënyrë që kjo strukturë të zhvillohet më tej, për të vazhduar shtrirjen e rrjetit të çerdheve dhe kopshteve sa më gjerë në komunitet dhe më thellë, në shoqërizimin e fëmijëve, por edhe nevojën për bashkëpunimin e edukatoreve dhe të ekipeve të specializuara në mirërritjen e fëmijëve. “Krahas vijimit të punës me ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve dhe rindërtimin e objekteve të reja të këtij rrjeti, do të vazhdojë puna për të rritur cilësinë e shërbimit, për të përfshirë edhe më mirë dhe integruar edhe më shumë në një trekëndësh fëmijë, institucion dhe prind, psikologët dhe punonjësit socialë, si një hallkë jashtëzakonisht e rëndësishme në të gjithë kuadrin e këtij bashkëpunimi”,- është shprehur Rama. Përgjatë vitit 2011, do të fillojnë punimet edhe për 23 objekte të tjera të sistemit çerdhe/kopsht.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›