E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë e majta: “Qeveria të mos bllokojë fondet, ndryshe protesta”

Vendorët kërkojnë zhbllokimin e fondeve të Bankës Botërore në 10 bashkitë e majta

Jonida Tashi

Krerët e bashkive të majta të vendit i kanë bërë dje apel qeverisë, që të mos i bllokojë fondet e donatorëve të huaj, në të kundërt, ata do të hidhen në protesta. Nëpërmjet një deklarate të posaçme për shtyp, të bërë dje nga Shoqata për Autonomi Vendore, drejtuesit socialistë të njësive vendore kërkojnë nga qeveria që të mos heq financimet e donatorëve të huaj për këto bashki dhe komuna. Në deklaratën e Shoqatës për Autonomi Vendore, theksohet se heqja e fondeve nga bashkitë e majta do të sjellë dhe reagimin me të gjitha format demokratike. “Anëtarët e shoqatës janë më të vendosur se kurrë që të përdorin çdo mjet demokratik, për ta frenuar këtë revansh politik të paprinciptë dhe antikushtetues që ka ndërmarrë qeveria Berisha, kundër qeverive vendore dhe komuniteteve, të cilave ato ju shërbejnë. Këto veprime të qeverisë na çojnë drejt një humnere të rrezikshme për të gjithë”,- thuhet në deklaratën e drejtuesve të pushtetit lokal të Partisë Socialiste.
Bllokimi
Bashkitë e majta e kanë cilësuar si të paprecedent vendimin e qeverisë, për kalimi e fondeve të Bankës Botërore, në qytetet të tjera. “Bllokimin nga qeveria shqiptare dhe, veçanërisht, nga Ministria e Punëve të Brendshme të fondeve të Bankës Botërore, alokuar për investime infrastrukturore në dhjetë bashki të vendit si: Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kamëz, Korçë, Lushnjë, Shkodër dhe Vlorë, dëshmon qartë për përpjekjen e qeverisë qendrore për të frenuar zhvillimin ekonomiko-shoqëror në nivel vendor”,- thuhet në deklaratën e Shoqatës për Autonomi Vendore. Bashkitë dhe komunat e majta vlerësojnë se kalimi i fondeve të Bankës Botërore, të alokuara për projekte tashmë të aprovuara në këto bashki, 80% e të cilave drejtohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste, flet për diskriminimin e hapur të banorëve të këtyre bashkive nga qeveria qendrore. Por fondet e Bankës Botërore nuk janë përplasja e parë midis pushtetit vendorë dhe qeverisë. Në fund të vitit të shkuar si dhe në fillim të këtij viti, krerët e bashkive të majta të vendit kanë organizuar dy protesta për autonominë vendore, duke akuzuar qeverinë për akordimin e padrejtë të fondeve kundrejt tyre.
Reagimi
Reagimi i bashkive të majta ka ardhur fill pas deklaratës së bërë para tri ditësh nga Banka Botërore se qeveria po zvarrit projektet e saj. Për këtë arsye, kreu i Shoqatës për Autonomi Vendore, Bledar Çuçi, i ka bërë thirrje qeverisë që t’i japë fund bllokimit të qëllimshëm të investimeve në bashkitë e drejtuara nga opozita. Sipas Çuçit, Shoqata për Autonomi Vendore i bën, po ashtu, thirrje Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri që të përdorë të gjithë autoritetin e saj për të siguruar akses të barabartë të të gjithë qytetarëve, të atyre që qeverisen nga bashki të djathta dhe të majta, në investimet infrastrukturore kaq të nevojshme për ta. Më 8 prill, përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Camille Nuamah, bëri një deklaratë publike lidhur me bllokimin nga qeveria shqiptare dhe, veçanërisht, nga Ministria e Punëve të Brendshme të fondeve të Bankës Botërore alokuar për investime infrastrukturore në dhjetë bashki të vendit (Berat, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kamëz, Korçë, Lushnjë, Shkodër dhe Vlorë.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›