E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbimi dhe plagosja e taksistit, prangosen dy adoleshentët



SHKODËR – Dy adoleshentë të armatosur, të ndihmuar edhe nga një person tjetër, kanë mashtruar dhe më pas kanë grabitur një taksist. Pasi i kanë marrë mjetin, e kanë qëlluar me plumb në qafë dhe më pas janë larguar, por kur kanë konstatuar se po ndiqen nga policia, i kanë vënë flakën mjetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes është plagosur shtetasi Esat Pepa në fshatin Grue Mirë të rrethit të Malësisë së Madhe. Disa persona, krejt rastësisht, kanë parë trupin e taksistit në rrugë dhe kanë njoftuar policinë. Kaq ka mjaftuar që brenda disa orësh të arrestohen autorët e kësaj grabitjeje me armë, ndërsa Pepa është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pengmarrja
Pasditen e së premtes, dy adoleshentët, S. Hotaj, 17 vjeç, lindur në Lezhe dhe banues në fshatin Grizhë të rrethit të Malësisë së Madhe dhe bashkëmoshatari i tij, B. Hoxhaj, lindur dhe banues në fshatin Dobraç, i kanë kërkuar taksistit Esat Pepa që t’i çojë deri në fshatin Grue Mirë. Pepa ka pranuar pa dyshuar se ata janë grabitës, duke parë edhe moshën e re. Pasi kanë udhëtuar disa kilometra, të ndodhur në zonë jo të populluar, të rinjtë i kanë kërkuar shoferit të automjetin tip “Benz 250”, me targë SH 4135 E që të zbresë. Por, 48-vjeçari ka refuzuar. Në këto momente adoleshentët kanë nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë dhe kanë qëlluar ndaj tij duke e plagosur në qafë. Ata janë larguar menjëherë me mjetin e grabitur. Falë rastësisë, disa persona kanë parë Pepën të shtrirë në rrugë dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë.

Arrestimi
Fill pas plagosjes grabitësit janë larguar me mjetin e Esat Pepës. Por, menjëherë kanë marrë sinjalizime se policia u ishte vënë në ndjekje. Teksa ndodheshin në një distancë rreth 5 kilometra larg vendit ku plagosën taksistin, pikërisht në fshatin Vajush, të rinjtë i kanë vënë flakën mjetit për të humbur gjurmët. Por flaka dhe tymi ka orientuar policinë e cila ka rrethuar dhe prangosur dy autorët. “Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti dhe arma kryerjes krimit”, - thotë zëdhënësja e Policisë së qarkut Shkodër. Nga veprimet hetimore të kryera nga agjentët e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe rezulton se bashkëpunëtor më këtë krim është edhe shtetasi Gledis Arifi, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vajush të rrethit të Malësisë së Madhe, i cili është shpallur në kërkim. Burimet policore sqarojnë se po punohet për kapjen e tij. Policia ka përfunduar veprimet e duhura hetimore dhe materialet në ngarkim të dy adoleshentëve ia ka kaluar Prokurorisë, pasi dy personat pritet të përballen me veprat penale të “vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim”, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “shkatërrim prone me zjarr”.
Ndërsa shtetasi Esat Pepa nga Boriç i Madh në Malësinë e Madhe, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin rajonal të Shkodrës.

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›