Dukat, vetëvaret në rrethana misterioze 12-vjeçari
VLORË – Një i mitur është gjetur i vdekur në rrethana misterioze, ku dyshohet për një akt vetëvrasës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës. Sipas policisë, viktima është i mituri me iniciale E. I. Ai ishte vetëvarur në një ndërtesë që ishte në ndërtim e sipër, fare pranë banesës ku ndodhej familja e tij. Familjarët kanë ndeshur të parët në skenën horror, ku djali i tyre gjendej i varur dhe pa jetë dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Tentativat për ndihmë mjekësore kanë dështuar pasi 12-vjeçari kishte humbur çdo shenjë jete. Policia ka nisur menjëherë hetimin e ngjarjes duke marrë në pyetje familjarët dhe bashkëmoshatarët e viktimës, që ishte nxënës në klasën e gjashtë të shkollës së fshatit Dukat. Fëmija ishte kthyer normalisht nga shkolla në shtëpi dhe më pas kishte dalë nga banesa duke kryer vetëvarjen me disa litarë që shërbejnë për paketimin e ambalazheve.
Dy ditë më parë ndodhën dy akte vetëvrasëse në Tiranë dhe Lushnjë. Një ish-punonjës banke, i pushuar nga puna, u hodh nga kati i gjashtë i një pallati në kryeqytet, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Një tjetër rast i regjistruar në një fshat të Lushnjës, ku një 51-vjeçar i dha fund jetës duke pirë një sasi fostoksine.
12 Prill 2010