E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: Si e masakroi Nino Cherchi familjen time



OLBIO - Ariana Zela, bashkëshortja e njërit prej dy shqiptarëve të vrarë në Itali katër ditë më parë nga krimineli Nino Chehchi, dëshmon historinë e krimit të trefishtë. Teksa ndodhej në spitalin “Papa Gjon Pali II” në Romë, ajo ka rrëfyer gjithë skenën, duke u shprehur se mafiozi plak kishte pasur në shënjestër atë.
“Ai donte të më vriste edhe mua, nuk e di si kam shpëtuar”, - thotë Ariana. Sipas saj, pas një zënke me fjalë me dy shqiptarët, 69-vjeçari iku dhe më pas u kthye me një armë zjarri. “Për fat të mirë, fëmija im 5-muajsh ishte në gjumë dhe ai nuk është kujtuar ta qëllojë atë”. E plagosura Ariana Zela thotë se Nino Chechi kishte shkuar për konflikte në banesën e shqiptarëve edhe katër herë të tjera, por pasi kishte marrë pagesat e qirasë, ngjarjet e rënda ishin parandaluar. “Atë ditë ai filloi të ulërinte, pastaj, papritmas u zhduk. Menduam se ishte qetësuar, por pas dy minutash ai u kthye, ishte i armatosur me një armë, hyri në shtëpi dhe filloi të shtënat: Kasem Memaj dhe Gazmend Peka vdiqën menjëherë dhe i goditi ata përsëri”, - thotë gruaja. “Unë nuk e dija si të mbrohesha, u përpoqa për të fshehur, por nuk munda të shpëtoj. Kam parë vdekjen me sy dhe është një mrekulli që jam gjallë" - thotë gruaja e plagosur. “Ne nuk donim t’i bënim keq atij, vetëm i kërkuam të priste edhe disa ditë për qiranë, pasi nuk kishim mundësi të paguanim, ishim të papunë, pagesa iu vonua vetëm dy ditë”, - thotë Ariana Zela.
Më 8 prill Nino Cherchi, me një të kaluar kriminale me të ashtuquajturën banda e Sardës, masakroi me armë një familje shqiptare, ku dy vetë gjetën vdekjen. Ai iu kishte dhënë me qira apartamentin në pronësinë e tij. Pas krimit, Cherxhi u arrestua nga policia, duke treguar edhe motivet se përse e kishte kryer krimin.

Lodhja nga rruga e gjatë i merr jetën emigrantit 29-vjeçar

GJIROKASTRËR – Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën 29-vjeçarit Elton Baxhia dhe ka plagosur kunatin e tij. Burimet policore bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje në mesditë, në vendin e quajtur Mulliri i Babait, në afërsi të Mashkullorës në qytetin e Gjirokastrës. Sipas policisë, automjeti tip “Fiat” me targa greke POZ 28 34, që drejtohej nga Elton Baxhia, lindur dhe banues në Patos, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Policia sqaron se dëmtimi më i madh i drejtuesit të makinës ka ardhur nga përplasja në faqen anësore të kanalit e cila ishte e veshur me beton. Elton Baxhia është transportuar menjëherë në spital, por si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën. Ndërkohë që në automjetin e aksidentuar kanë qenë dhe një person tjetër, 18-vjeçari, Erlis Dauti, i cili është dhe kunati i drejtuesit të mjetit. Sipas policisë, Dauti pasi mori ndihmën e parë mjekësore ka dalë nga spitali, pasi s’kishte dëmtime serioze për jetën. Shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të automjetit. 18-vjeçari Dauti është shprehur se drejtuesin e automjetit e ka zënë gjumi, duke qenë se kishte udhëtuar gjithë natën nga Athina për në Shqipëri.

a

12 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›