E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: Qeveria, kujdes me deficitin buxhetor

 

Fabiola Çela

Qeveria duhet të ketë kujdes me deficitin buxhetor. Niveli i lartë i deficit buxhetor prej 30 miliardë lekësh, nuk i ka shpëtuar vëmendjes së ndërkombëtarëve. Jane Armitage, Drejtoreshë për Vendin dhe Koordinatore Rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, ka zhvilluar një takim me zyrtarë të lartë të qeverisë. Diskutimet me Qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe përfaqësues të sektorit privat u përqendruan në situatën aktuale makroekonomike dhe ecurinë fiskale. Gjatë takimit, Armitage, gjithashtu e vuri theksin tek disa nga sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare, duke u ndalur veçanërisht tek ecuria fiskale aktuale, përfshirë deficitin buxhetor dhe nivelin e borxhit, reduktimin e nivelit të kreditimit për ekonominë dhe deficitin e llogarisë rrjedhëse. Ajo vuri në dukje rëndësinë e një politike fiskale të kujdesshme, veçanërisht në kontekstin e përgjithshëm të krizës financiare dhe tendencën në ulje në dërgimin e remitancave. Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, rënia e njëkohshme e eksporteve dhe e importeve, respektivisht me 19.6 dhe 6.3 për qind në nivel vjetor, bëri që deficiti tregtar të ngushtohej me 1.3 për qind gjatë pesë muajve të parë të vitit. Megjithatë, ulja e dërgesave të emigrantëve me rreth 8 për qind gjatë tremujorit të parë, si dhe përkeqësimi i llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të PBB-së, gjatë këtij tremujori. Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Drejtoresha Armitage vizitoi edhe Termocentralin e Vlorës dhe u shpreh e kënaqur me progresin dhe zbatimin e masave zbutëse mjedisore.   Ajo gjithashtu vizitoi një nënstacion të energjisë elektrike në Berat. Duke rikujtuar gjithashtu projekte të tjera të Grupit të Bankës Botërore në sigurinë e digave dhe privatizimin e operatorit të shpërndarjes, ajo vuri në dukje se “është shumë inkurajuese të shihet se angazhimi afatgjatë i Bankës Botërore në sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri, së bashku me atë të donatorëve të tjerë, po jep përmirësimet e pritshme në furnizimin me energji elektrike, që sjell zhvillim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›