PS: Dështimi me vizat, për fajin e Qeverisë
Partia Socialiste reagon pas deklaratës së një zyrtari të lartë të Qeverisë suedeze, i cili theksoi se Shqipëria nuk përfitoi nga liberalizimi i vizave për shkak të mos kryerjes së reformave. Deputeti i selisë rozë, Taulant Balla tha dje në një konferencë për shtyp se dështimi i mos heqjes së vizave ka si përgjegjës kryesor Qeverinë shqiptare. “Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian u shpreh dje se arsyeja pse Shqipëria mbeti jashtë liberalizimit të vizave është moskryerja e reformave të kërkuara dhe dështimi i realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike. Ky është një lajm i keq për të gjithë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë të paguajnë haraçin e vizave për shkak të një qeverisje të paaftë”, theksoi Balla. Sipas tij qytetarët e thjeshtë do të vazhdojnë të rrinë mbrapa hekurave të ambasadave, sepse, siç tha Balla, pazaret e maskarenjve dhe hajdutëve të votave, po pengojnë këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. “Partia Socialiste, në respekt të votës dhe vullnetit të shumicës së shqiptarëve, si partia më e votuar më 28 qershor, pavarësisht kontekstit politik të krijuar, do të përdorë mekanizmat parlamentarë për monitorimin e përmbushjes së kritereve”, vijoi më tej Balla, teksa rikonfirmoi sërish qëndrimin e selisë rozë se kjo forcë “së bashku me të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi do të përdorim çdo mjet demokratik për t’i shkurtuar ditët kësaj qeverisje ilegjitime që s’mund të çojë shqiptarët drejt BE për shkak të korrupsionit e paaftësisë”.