Banka Evropiane: Kriza ekonomike mori fund
"Rënia e lirë e ekonomisë botërore ka marrë fund, por mbeten ende disa pasiguri", kështu është shprehur kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet për RTL. "Ne jemi ende në një periudhë kontraktimi të aktivitetit ekonomik", deklaroi ai duke shtuar se "Po dalim nga periudha e rënies". Megjithatë, Trichet paralajmëroi nga optimizmi i tepërt. "Zona e pasigurive në të cilën jemi ndodhur që kur kriza u intensifikua, që nga mesi i shtatorit 2008 nuk është kapërcyer ende tërësisht", tha ai. Tani banka më madhe evropiane mund të vendosë kundër kërkesave për të siguruar paketa të reja stimuli pasi pas takimit, krerët e kësaj banke dolën në përfundimin se ekonomitë e vendeve të Bashkimit Evropian janë në fazë riparimi. Euro-zona po shikon shenjat e para të stabilizimit ekonomik. Të 46 ekonomistët evropianë që kanë kontaktuar me "Dow Jones Newswires", deklaruan se do të mbajnë të njëjtat kurse në bursë, megjithatë pas lajmeve të mira analistët kanë nisur të parashikojnë një gjallërim të bursave. Edhe nga Shtetet e Bashkuara ka shenja të ripërtëritjes nga kriza ekonomike që e futi vendin në një recesion të thellë si ai i viteve '30 të njohur si "Depresioni i madh". Një zyrtar i lartë i administratës Obama tha dje se plani stimulues prej 787 miliardë dollarësh po korr rezultatet e dëshiruara në rigjallërimin e ekonomisë amerikane dhe rritjen e GDP-së, e cila mund të rezultojë me shifra pozitive deri në fund të këtij viti.