Banka Botërore: Qeveria reagoi me eficencë
Banka Botërore ka vlerësuar menaxhimin e situatës dhe reagimin e qeverisë shqiptare gjatë përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, për t’i ardhur në ndihmë popullatës në nevojë. Zv.presidenti i Bankës Botërore, Philippe le Houreou, ditën e djeshme ka inspektuar situatën në terren në zonat e përmbytura në Shkodër nga derdhja e Vaut të Dejës deri në derdhjen e Bunës, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ku dhe ka dhënë vlerësimin e tij për punën e bërë nga institucionet shtetërore. “Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim eficent të situatës”, - u shpreh Le Houreou. Sipas tij, është e vështirë të përballosh situata të tilla, por qeveria ia ka arritur t’ia dalë më së miri. “Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficente”, - vazhdoi zv.presidenti i Bankës Botërore.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, falënderoi zv.presidentin e Bankës Botërore për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër, për të dërguar një skuadër me ekspertë për vlerësimin e dëmit, duke filluar nga java që vjen, si dhe gatishmërinë për të ndërhyrë me financimet e Bankës Botërore në projektet e rehabilitimit total të kësaj zone, për ta shndërruar këtë sfidë një mundësi për të përmirësuar edhe më tej të gjithë parametrat e jetës dhe punës në zonën e përmbytur.
Nga ana e tij, Le Houreou u shpreh se ndërhyrja fillimisht do të nisë me asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve, por edhe të aseteve publike. “Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik”, - vazhdoi ai.
Zv.presidenti bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj, që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më. Gjithashtu pas vëzhgimit në terren, Le Houreou zhvilloi një takim në Prefekturën e Shkodrës me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile që po drejton operacionet në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet. Situata në Qarkun e Shkodrës është drejt përmirësimit, ku uji vazhdon që të thahet nga tokat e përmbytura. Edhe brenda qytetit veriperëndimor gjendja po i rikthehet normalitetit.