Banka Botërore: Shqipëria, me sistem të mirë taksash

“Të vazhdojnë reformat ekonomike për tërheqjen e investimeve – favorizuese dhe të rëndësishme për biznesin, në një kohë kur shumë vende po vuajnë krizën financiare” Banka Botërore vlerëson sistemin e taksave në Shqipëri, si një sistem që ndihmon bizneset dhe krijon lehtësira për qëndrueshmëri ekonomike. Një nga ekspertët më të mirë të IFC-së, pjesë e grupit të Bankës Botërore, Richard Stern deklaroi dje se, Shqipëria ka një sistem taksash që ndihmon zhvillimin e biznesit si dhe rritjen ekonomike të vendit. “Shqipëria njihet si një vend ku mund të bësh biznes. Shqipëria ka reputacion dhe famë falë këtij sistemi, që është një vend i mirë për të bërë biznes”, u shpreh Stern, në përmbyllje të konferencës rajonale të dialogut ndërkombëtar për taksat “Transferimi i Çmimit në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore” e cila zhvilloi punimet e saj në Tiranë për tre ditë me radhë. Në konferencë u vu në dukje se pavarësisht se kriza globale ka frenuar ndjeshëm qarkullimin e kapitaleve. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se gjatë viteve të fundit, ku ekonomia botërore hyri në një recension duke shënuar një tkurrje me rreth 1 për qind, ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore dhe Azisë Qendrore vijuan të rriten me një ritëm pozitiv rritje. Ai theksoi se “vendet në rajon kanë bërë shumë përpjekje për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të tërhequr investitorët”. Por, tha Bode, duhet bërë më shumë drejt plotësimit të kërkesave biznesit dhe investitorëve të interesuar. “Megjithatë, ne pranojmë që duhet të bëhet më shumë për të plotësuar pritshmëritë e investitorëve ndërkombëtarë dhe për të zhvilluar administrata efiçente dhe të ndershme”, tha ai. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj deklaroi se qeveria po mban në vëmendje nxitjen e bizneseve, përmes një pakete lehtësirash fiskale. Për tre ditë me radhë në Shqipëri u zhvillua konferenca ndërkombëtare e dialogut për taksat me ekspertë të IFC-së, ku në qendër të vëmendjes ishte iniciativa për transferimin e çmimeve, të njohura si transaksione në sistemin fiskal. Konferenca mblodhi më shumë se njëqind politikë-bërës, profesionistë, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit privat nga 18 vende të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për të trajtuar politikat, mundësitë e hartimit dhe sfidat e transferimit të çmimeve. Transferimi i çmimit ndodh sa herë që dy kompani të lidhura – d.m.th, një kompani mëmë dhe një filial, ose dy filiale të kontrolluara nga një kompani mëmë e përbashkët – kryejnë tregti me njëra tjetrën. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit transferimi i çmimeve është zhvilluar në një nga problemet më të rëndësishme tatimore ndërkombëtare me të cilin përballen qeveritë si dhe kompanitë shumëkombëshe. Kompanitë shumëkombëshe e shikojnë transferimin e çmimeve si një pjesë të rëndësishme të procesit të tyre të vendim-marrjes për investim, dhe përafrimi i sistemeve tatimore me normat ndërkombëtare është një sfidë kritike për vendet e rajonit për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të nxitur tregtinë e huaj. IFC (Korporata Financiare Ndërkombëtare), anëtare i Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh global i zhvillimit që fokusohet ekskluzivisht tek sektori privat. Ne ndihmojmë vendet në zhvillim të arrijnë rritje të qëndrueshme ekonomike duke financuar investime, duke ofruar shërbime këshillimi për bizneset dhe qeveritë, dhe duke mobilizuar kapital në tregjet financiare ndërkombëtare.
...