Berisha: Presidenti, sipas marrëveshjes me LSI – kandidati ynë, universalisht i mbështetur
Gjatë një takimi me degën e PD-së Vlorë, kryeministri Berisha deklaroi se “Ramën e pres në takim, veç nëse ka platformë për Presidentin”
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryesinë e degës së Partisë Demokratike Vlorë, ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend. Berisha u ndal gjatë te procesi i zgjedhjes së presidenti, ku theksoi dhe njëherë se kandidatura e mazhorancës, Xhezair Zaganjori plotëson kriteret e duhura për tu vlerësuar si kandidat konsensual, pasi nuk ka qenë qoftë edhe një ditë të vetme në forcën kryesore politike të mazhorancës.
Kreu i qeverisë theksoi se Zaganjori ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar, gjë që rrallë ndonjëherë ka ndodhur që një kandidat të mbështetet nga personalitet e të gjithë spektrit politik.
Duke kërkuar konsensusin e opozitës gjatë 3 raundeve të para, Berisha e cilësoi procesin si tërësisht transparent, të qytetëruar dhe demokratik, ndërsa theksoi se presidenti do zgjidhet sipas marrëveshjes PD-LSI. “Jemi aktualisht në një moment shumë të rëndësishëm për vendin, momenti i zgjedhjes së presidentit të Republikës, si një forcë politike që konsideron ligjin dhe shtetin ligjor themel të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, ne vendosëm që në fillim dhe u përcaktuam për një proces tërësisht kushtetues. Bazuar në këtë proces ne kemi përzgjedhur deri tani një kandidat, i cili për herë të parë ka marrë një miratim universal në opinionin publik shqiptar dhe e vërteta është që rrallë ndonjëherë nuk ka ndodhur që një kandidat të mbështetet nga personalite të të gjithë spektrit politik. Dhe unë besoj se fryma dhe germa e kushtetutës kërkojnë që personaliteti, burri apo gruaja që përzgjidhet apo emërohet në këtë detyrë duhet të ketë virtyte, duhet që të ketë aftësinë, duhet të ketë integritet, duhet që në provat e tij ta ketë faktuar veten një shërbëtor i vërtet i kombit dhe vendit të tij. Po në përputhje me kushtetutën, e cila parashikon që në tre raundet e para, duhet që kandidati apo kandidatja të marrë tre të pestat, ne bëmë përkujdesjen më të madhe për të përzgjedhur një kandidat, i cili nuk mund te refuzohej për anësinë e tij partiake, një njeri i cili, një jurist, një diplomat që nuk ka qenë qoftë edhe një ditë të vetme në forcën kryesore politike të mazhorancës, por ka qenë një shërbëtor i vërtetë i kombit të tij, i vendit të tij, një përfaqësues i shkëlqyer i diplomacisë shqiptare në kohën që ishte në mision diplomatik, një përfaqësues i shkëlqyer i drejtësisë shqiptare për kohën që është ngarkuar, por edhe një nga pedagogët më të shquar të universiteteve tona nga vitet ‘80 deri në ditët e sotme, i cili ka shkolluar dhe dhjetëra e qindra studentë që sot punojnë në të katër anët e vendit me respektin më të thellë për profesorin e tyre. Pra procesi i përzgjedhjes ju garantoj që është më i qytetëruar dhe më i përgjegjshmi që është bërë në historinë e këtij vendi. Vendet e qytetëruara, vendet e pjekura natyrisht nuk ecin me lista për vendin e kreut të shtetit se ai nuk është vend liste, ai është vend i individit, i personalitetit më të shquar të mundshëm që besohet dhe në këtë kontekst kjo është një risi shumë pozitive. U nxorën mësime nga praktikat e shkuara. Unë ju them ju që në vitin 2007 përzgjedhja e presidentit të republikës ka qenë absolutisht e padenje sepse aty uleshin përfaqësuesit kryesorë të forcave politike dhe gradonin dhe zhgradonin emra dhe personalitete sikur të ishin jo politikanë që duhet të dëshmonin respektin më të madh ndaj tjetrit, por sikur të ishin Zeus që bënin natën dhe ditën, bënin fortunën dhe diellin, pra të gjitha, çka nuk mund të përsëritej më. Cili ishte procesi këtë vit? Këtë vit situata është tjetër dhe mësimet janë nxjerrë. Këtë vit PD ka një marrëveshje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, marrëveshje e cila përcakton në një nen të saj se Presidenti i ardhshëm i republikës do të zgjidhet me konsensusin e PD dhe LSI-së. Kjo është marrëveshja, kjo do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin. Bazuar në këtë marrëveshje ne bëmë takimin e parë me aleatët tanë dhe nuk diskutuam për asnjë emër, diskutuam për fushat. Menduam se tre janë fushat më të përshtatshme në të cilat duhet të përqendroheshim: politika, diplomacia, drejtësia”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se në një kohë kur PD dërgoi Patozin për konsulta me Ruçin, Edi Rama u rreshtua në anën e pazareve.
Kryeministri Berisha tha se fryma e ultimatumeve e Edi Ramës, s’do pranohet kurrë.
“Në këtë frymë unë dërgova kryetarin e Grupit parlamentar dhe nënkryetarin e Partisë të ftonte kryetarin e Grupit Parlamentar dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PS, zotin Ruci në takim për të diskutuar për kriteret. Edi Rama i cili është i interesuar me sa duket për pazar dhe jo për kryetar shteti, është i interesuar për përfshirjen e një pazari të vërtetë në zgjedhjen e kryetarit të shtetit dërgoi një editorial ku betohej se do të rrëzonte qeverinë dhe katër kushte ultimatum, pa të cilat ai nuk mund të fliste për presidentin e Republikës. Natyrisht, praktika e ultimatumeve është një praktikë e dështuar, ne nuk i bëjmë kujt, kurrë ultimatum. Ne jemi forcë demokratike dhe si e tillë nuk e njohim kulturën e ultimatumeve ndaj tjetrit. Natyrisht nuk pranojmë asnjëherë dhe nuk impresionohemi nga asnjë lloj ultimatumi. Këtij qëndrimi ne i dhamë këtë përgjigje që po ju jap ju sot dhe vazhduam në përputhje me marrëveshjen me LSI-në. Takimin e dytë në të cilin ne shqyrtuam dhe unë dua tu them këtu ju dhe qytetarëve të Vorës së Shqipërisë se kam qenë unë Sali Berisha që jam shprehur se kandidati nuk do të jetë një eksponent politik i PD-se sepse PS këtë nuk mund ta mirëkuptojë dhe qëllimi ynë është një kandidat i cili do të votohet edhe nga opozita. Ky ishte edhe përcaktimi i Kushtetutës. Kushtetuta përcakton në raundin e parë, të dytë dhe të tretë, tre të pestat. Mazhoranca jonë nuk i ka tre të pestat, ndaj dhe ne përzgjodhëm si aleat, një kandidat që sintetizonte në një, diplomacinë, botën universitare dhe drejtësinë dhe absolutisht dua tu them ju këtu dhe dua që ta dinë edhe qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se menjëherë sapo është përzgjedhur i kam kërkuar zotit Patozi që ti kërkojë takim zotit Ruci, të konsultohet me të, tja paraqesë kandidatin”, tha kryeministri.
Ai iu referua edhe insistimit të Ramës për një takim me kreun e mazhorancës. Kryeministri tha se është i gatshëm të presë këdo, mjafton që Edi Rama të jetë i gatshëm të arsyetojë dhe të ketë një platformë për Presidentin e vendit.
“Sot takoi kandidatin dhe pavarësisht se nuk ishte në gjendje në komunikatën e tij të lëshonte qoftë edhe një fjalë të vetme kundër tij, u shpreh se nuk votojmë se Sali Berisha na ka poshtëruar. Po çfarë poshtërimi ju ka bërë Sali Berisha? Unë pardje deklarova se si kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të pasur një proces të suksesshëm urdhëro zotëri dhe më thuaj cila janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori kjo është të nisesh nga klisheja e armikut. Sigurisht që do ta përmend unë i pari sepse jam shumicë, sigurisht që do ta propozojmë ne të parët sepse kemi një marrëveshje, e cila thotë zgjidhni presidentin e Republikës në mënyrë konsensuale, por kjo nuk e përjashton atë nga asgjë”, tha më tej kryeministri Berisha.