E Shtunë, 31 Tetor 2026

11 vendime të rëndësishme në fushën e turizmit dhe energjetikës

02-06-2012 / Gazeta 55

KRRTRSH miraton projektet me 10 mijë vende pune - “Ok” lejeve për ndërtimin e dy puseve të naftës në Shkodër dhe Berat     


“Njëri prej puseve, në Mbreshtan – fshati i Edi Ramës, të cilin kryetari i opozitës s’e ka vizituar asnjëherë”


Kryeministri Sali Berisha, i cili drejtoi mbledhjen e KKT-së, i vlerësoi vendimet me impakt të rëndësishëm jo vetëm në zhvillimin e turizmit dhe sektorit energjetik, por edhe në punësim. Kryeministri theksoi se me të gjitha projektet e miratuara nga KKT-ja, numri i të punësuarve shkon në rreth 10 mijë vetë. “Natyrisht, punësimi nuk mund të mos jetë qëllim ndër më kryesorët dhe shpesh edhe më kryesori dhe fatmirësisht, projektet që fillojnë janë realisht shumë premtuese për punësimin e qytetarëve”, u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha kërkoi që të gjitha projektet turistike që paraqiten për miratim në KKT të respektojnë me rigorozitet kriterin e kateve, si dhe projektet në tërësi të përfshijnë deklaratën e impaktit mjedisor. KRRTRSH miratoi edhe lejet për sheshet ndërtimit dhe rrugëve lidhëse për ndërtimin e dy puseve të naftës nga kompania “Petromanas”. Drejtuesit e kompanisë Petromanas informuan se projekti parashikon ndërtimin e infrastrukturës për ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe shesheve të shpimit për dy puse, brenda vitit 2012: në zonën e Shpiragut afër Beratit dhe në zonën e Shkodrës, me vlerë fillestare investimi 48 milion dollarë. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se miratimi i këtij studimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me investime në fushën e hidrokarbureve, një fushë ku Shqipëria po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe. “Kjo kompani ‘Petromanas’ riktheu ‘Shell’ në Shqipëri dhe shpresat për gjetje të mëdha nafte janë reale. Pusi i Shpiragut është pus i thellë mbi 6 mijë metra dhe optimizmi i Shell dhe Petromanas është sipas tyre, i bazuar dhe i madh. Shqipëria gjithnjë e më shumë po vlerësohet si një vend me perspektivë të madhe në fushën e hidrokarbureve. Fakti që rikthehen sërish në Shpirag dëshmon se të dhënat janë gjithnjë e më bindëse për fusha të mëdha të reja nafte në Shqipëri. Ndaj dua të përgëzoj kompaninë ‘Petromans’ e ‘Shell’ dhe ata që kanë bërë studimin, të cilët fillojnë së shpejti punimet në këto puse, me besim dhe shpresë të madhe se do të ketë gjetje shumë të rëndësishme”, u shpreh Berisha. Kreu i ekzekutivit, në vëmendje edhe të gazetarëve të pranishëm në mbledhje, konstatoi se vendndodhja e njërit prej puseve koiçidon me vendin e origjinës së kreut të opozitës, Edi Rama si dhe të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. “Për gazetarët të cilët nuk mund të mos pëlqejnë apo kërkojnë skupin edhe aty ku nuk është, dua të them se ky shpim ndodh e kjo rrugë ndërtohet pikërisht në fshatin e Edi Ramës. Fshat, të cilin unë e kam vizituar dy herë dhe biri i tij i shquar nuk e ka vizituar asnjëherë. Madje as nuk pranon se është nga Mbreshtani. Është një zonë shumë e bukur, me një shpat fantastik. Është një zonë me qershi e ullinj nga më të bukurat në Shqipëri. Piktori doli i dështuar, pavarësisht nga peizazhi atje”, theksoi kryeministri.


Përparësi ndërtimit të HEC-eve, hoteleve e rezidencave në zonat turistike


Sektori energjetik zuri një vend të rëndësishëm në projektet e miratuara dje nga KKT. Kësisoj, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi projektin për ndërtimin e hidrocentralit në pellgun e Okshtunit, qarku Elbasan dhe qarku Dibër, hidrocentralin “Koka 1”, në komunën Martanesh, qarku Dibër. Projekti i “Okshtunit” konsideron në ndërtimin e 10 hidrocentraleve me prodhim mesatar vjetor prej 150 milion kilovat/orë dhe vlerë investimi 4.1 miliardë lekë. Projekti pritet t’i japë një impakt të përgjithshëm zhvillimi zonës, veçanërisht me rrugët e komunikimit që do të lidhin të gjitha fshatrat e këtij pellgu, ku do të ndërtohen HEC-et. Ndërsa, hidrocentrali “Koka 1”, në komunën Martanesh, qarku Dibër, parashikon ndërtimin e një hidrocentrali me prodhim vjetor prej 12.3 milionë kilovat/orë. Gjithashtu, KKT shprehu “ok” për hidrocentralin “Bënç” Tepelenë, qarku Gjirokastër. Ky projekt parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve të njëpasnjëshëm në kaskadën e lumit të Bënçës, me gjatësi lineare prej 8 kilometra. HEC-i parë do të ketë një prodhim mesatar vjetor energjie prej 11 milion kilovat/orë, me vlerë investimi 4 milion euro. HEC-i i dytë do të ketë një prodhim vjetor mbi 19 kilovat/orë, me vlerë investimi 6.5 milion euro. Pas prezantimit të këtyre projekteve, Kryeministri Berisha kërkoi nga Sekretari Teknike që vendimet për HEC-e që presin për miratim në KKT të kenë përparësi absolute, pasi kjo fushë përbën “drejtim e alternativë themelore për ne”. “Sot janë në ndërtim e sipër 100 hidrocentrale, janë përfunduar 46 dhe interesi për ndërtimin e hidrocentraleve është gjithnjë në rritje. Kjo përbën një nga zhvillimet më pozitive e të rëndësishme të vendit. Këto hidrocentrale ndërtohen që të gjitha me kontributin e sektorit privat, pra, nuk janë vepra që rëndojnë mbi shpatullat e taksapaguesve”, u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se në këtë mënyrë Shqipëria po ecën drejt objektivit madhor: “superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme, ndryshe energjisë jeshile, në rajon”.


Plan urbanistik për Himarën


Këshilli Kombëtar i Territorit shprehu dakordësi për planin urbanistik të Himarës, që sipas Kryeministrit Berisha do të trefishojë potencialin turistik të kësaj zone. Kryeministri Berisha e vlerësoi planin të rëndësishëm për shfrytëzimin e potencialeve të jashtëzakonshme turistike të Himarës, ndërsa ftoi të gjitha komunat e Bregut që nën këtë shembull të hartojnë planet e tyre lokale. “Pas masterplanit të bregdetit Jon, tha Kryeministri, tani është radha e planeve lokale dhe më vjen mirë që fillohet me Himarën, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe siç dëshmon ky plan, potenciali i saj mund të trefishohet. Plani përcakton se ku nuk duhet ndërtuar. Janë autoritetet lokale, të cilat kanë bërë kujdes, me mbështetjen e qeverisë, për të hartuar planin dhe ftoj të gjitha komunat e Bregut të ndjekin këtë shembull, në mënyrë që zhvillimi i turizmit të njohë dimensione të reja”.


Plani i përgjithshëm vendor i Lushnjës


Ndërkaq, kryeministri Berisha sugjeroi rikonceptimin e sheshit qendror të qytetit të Lushnjes, i cili duhet të përcjellë simbolikën më të madhe historike të këtij qyteti, Kongresin e Lushnjës. “Dua të theksoj se vendosja në qendër të Lushnjës e monumentit me kallinjtë e grurit ka pasur një qëllim të vetëm: për t’i fshehur Lushnjës, atë që ajo ka ngjarjen më të ndritur të historisë së saj dhe të dytën më të ndritur pas pavarësisë së vendit apo në fakt, pavarësia e dytë të Shqipërisë, siç është Kongresi i Lushnjës. Ai Kongres duhej të lihej në hije vetëm e vetëm se ata që u mblidhen atje dhe mbështetën atë Kongres u shpallën armiq, të hapur apo të heshtur, të diktaturës e diktatorit më vonë. Ndaj mendoj se sheshi duhet të rikonceptohet në këtë funksion. Lushnjën duhet ta simbolizojë ai kontribut i madh që ka në historinë kombëtare, pasi në tërësinë e vet, janë kontributet historike ato që zënë më shumë peshë në përfaqësim”, u shpreh Kryeministri.


Turizmi


Dimensioni i turizmit ishte një tjetër tematikë e prekur nga KKT, ku u miratuan disa vendime për studime urbanistike për zona hotelerie dhe rezidenciale. KKT miratoi studimin urbanistik pjesor për zonë hotelerie dhe rezidenciale, pjesë e parcelës 9A, zona e Gjirit të Lalëzit, studim urbanistik pjesor me sipërfaqe 7.3 hektarë, brenda ristudimit urbanistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit, detyrën e projektimit dhe studimit urbanistik pjesor të zonës turistike prej 97 hektarë, në fshatin Greth, komuna Kryevidh, planin urban i komunës Synej, Kavajë, instrumentin strategjik sektorial i MITIK si dhe detyrën e projektimit për zgjerimin e Masterplanit të Velipojës dhe studimit urbanistik të zhvillimit turistik të zonës bregdetare Pulaj, shtesë e ristudimit urbanistik të zhvillimit turistik dhe i mbrojtjes së bregut të detit në Velipojë, komuna Velipojë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›