E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Opozita i ka të gjitha mundësitë të bëhet pjesë e procesit

02-06-2012 / Gazeta 55

Kandidati i mazhorancës, Xhezair Zaganjori: Ramën e njoha me arsyet e kandidimit, nuk kërkova mbështetje 


Në një prononcim për mediat, kandidati i mazhorancës Xhezair Zaganjori informoi detajet e takimit me kreun e opozitës, Edi Rama ku theksoi se i ka përshkruar arsyet e kandidimit të tij, për postin e kreut të shtetit. Ai tha se në zyrën e Ramës nuk ka kërkuar mbështetjen politike të PS, por se ky takim ishte për t’i shërbyer dialogut dhe debatit që po zhvillohet gjatë ditëve të fundit. “Kemi pasur një njohje nga larg, thjesht u prezantuam me njëri-tjetrin nga afër. Unë i përshkrova arsyet që më kanë shtyrë që të marr vendimin për të kandiduar dhe që nuk e kam pasur të lehtë, dhe kaq. Mendova që është në të mirën e debatit dhe procesit që po zhvillohet. Unë e kërkova takimin, Rama nuk më tha asgjë, nuk i kërkova mbështetje dhe nuk kishte detyrim të më përgjigjej”, u shpreh Zaganjori. Pas takimit në selinë rozë me kryesocialistin Edi Rama, Zaganjori takoi dje edhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Takimi i Zaganjorit me Ramën dhe Idrizin zhvillohet vetëm pak ditë përpara se të zhvillohet raundi i dytë i votimit për kreun e ri të shtetit në Parlament. Raundi i parë i votimit për president dështoi pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën kompromis për të çuar në parlament një kandidat ndërkohë që kuvendi miratoi dje që dita e hënë, data 4 qershor të jetë edhe raundi i dytë i votimit. Mazhoranca propozoi ditë më parë si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë nuk u pranua nga opozita e cila e cilësoi si të njëanshme. Mazhoranca është shprehur zyrtarisht përmes Ilir Metës dhe Ridvan Bodes se opozita i ka të gjitha mundësitë për t’u përfshirë në procesin konsensual të zgjedhjes së Presidentit. Për sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ridvan Bode presidenti do zgjidhet para raundit të katërt, nëse opozita do pranojë kandidaturën e mazhorancës. Në të kundërt, procesi është përsëri në rrjedhë kushtetuese, pasi kandidatit për President i mjaftojnë 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›