E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vlora do jetë perla e Mesdheut - investimet e qeverisë i tejkalojnë 400 milionë eurot”

02-06-2012 / Gazeta 55

Inaugurohet përfundimi i punimeve në tunelin e “Ujit të ftohtë”

Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje Vlorën, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve në Tunelin e Ujit të Ftohtë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milion lekë. Berisha theksoi se tani ky tunel ka pamjen që Vlora meriton, ndërsa shtoi se Qeveria ka ndërtuar në qytetin bregdetar rreth 300 km rrugë, 21 qendra shëndetësore, 31 shkolla dhe 35 ujësjellës e KUZ me vlerë këto mbi 400 milionë euro.
Kreu i qeverisë premtoi të tjera investime në Vlorë siç është ndërtimi i shëtitores së re, ndërtimin e by passit të Vlorës dhe përfundimi i punimeve për ndërtimin e kolektorit të përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë dhe Orikum.
Kryeministri Berisha pa nga afër punimet e realizuara në tunel, si dhe ndoqi ne video-projektor së bashku me të pranishmit pamje të tunelit të mëparshëm, te krahasuara me pamjet  e tanishme të tij. “I ndërtuar më shumë se 70 vjet më parë, tuneli kishte mbetur  në skeletin e tij natyror dhe sot ai erdhi i veshur bukur, vjen si një tunel i denjë për çdo qytet modern, i denjë plotësisht për Vlorën. Tuneli ka një gjerësi prej 11 metrash, një lartësi rreth 4.5 metra dhe është rezultat i një investimi prej 100 milion lekë. Shuma i shtohet mbi 400 milion eurove të investuara në qarkun e Vlorës, për të përmirësuar më shumë jetën e qytetarëve në këtë qark  të bukurive mahnitëse dhe potencialeve të jashtëzakonshme turistike. Qeveria gjatë këtyre viteve ka ndërtuar në qarkun e Vlorës 300 kilometra rrugë, nga të cilat janë rrugë kombëtare 143 kilometra, nga Ura e Mifolit në Konispol, janë rrugë komunash dhe bashkish 157 kilometra, ndër të cilat më kryesoret janë rruga e bregut, autostrada Vlorë-Fier, rruga e Trans-Ballkanike dhe rrugë të tjera. Në Vlorë ka përfunduar ujësjellësi i qytetit, një nga ujësjellësit më të mirë të vendit, në të cilin u investuan rreth 26 milion euro me kapacitet  për të furnizuar  Vlorën 24 orë me ujë të cilësisë së lartë. Në Vlorë ka përfunduar impianti  i përpunimit të ujërave të zeza dhe ky një investim tjetër madhor i qeverisë dhe jetik për qytetin turistik të Vlorës, impiant, i cili pasi të funksionojë do të bëjë që ujërat e gjirit të Vlorës, të jenë ndër ujërat më të pastra të të gjithë brigjeve të Mesdheut. Ftoj kryetarin e bashkisë së bashku me ministrinë që të organizojnë sa më shpejt lidhjet me kolektorin dhe  është në interesin më jetik  dhe në të mirë të Vlorës, fillimi i funksionimit të këtij impianti, i cili do ti japë një dimension krejt tjetër kushteve turistike në qytetin e Vlorës”, u shpreh Berisha.
Kryeministri premtoi se investimet në qytetin e Vlorës do të shtohen edhe më shumë në të ardhmen, duke i dhënë qytetit turistik të Vlorës pamjen që meriton.
“Qeveria është zotuar për një shëtitore të re në bregdetin e Vlorës dhe ministri ka marrë porosi të marrë takim me bashkinë dhe të bashkëpunojnë, që ta bëjnë Vlorën me një nga shëtitoret më të bukura të brigjeve tona. Ne kemi përfunduar  tërësisht projektin e by passit të Vlorës,  i cili fillon në Panaja dhe përfundon në Dukat, by pass ky, që bën zgjidhjen më të shkëlqyer të problemeve të trafikut në qytetin bregdetar turistik të Vlorës. Këto vite është dhjetëfishuar numri i turistëve dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka, që kapacitete pritëse në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë, të rriten në mënyrë të pa ndërprerë. Këtë vit pati një diskutim të gjerë, që ta shpallnin Vlorën, perlën turistike të Mesdheut. Vlora, natyralisht dhe me qytetarët e saj e meriton plotësisht, ndaj dhe  ne do të inaugurojmë edhe impiantin e ujërave të zeza  dhe të bëjmë vërtet që ky qytet të marrë famë, siç është në të gjithë brigjet e Mesdheut, si  destinacioni  i parë turistik”, tha kryeministri.
Në Vlorë, vetëm në rrugët kombëtare Qeveria ka investuar 98 milionë euro ose 143 km, ndërsa për komunat e bashkitë janë ndërtuar 157 kilometra. Ndër më kryesoret mund të përmendet rruga e Bregut me vlere 60 milion euro e gjatësi 80 km, Autostrada Vlorë – Fier me vlerë 30 milion euro, dhe gjatësi 21 km, si dhe rruga Transballkanike me vlerë 6 milion euro e gjatësi 3 km.
Gjithashtu qeveria po harton projektin e by-pass-it të Vlorës dhe projektin që lidh rrugën Trans-Ballkanike me Portin dhe Autostradën Vlorë-Fier.
Infrastruktura moderne dhe gjithnjë në ndryshim e qytetit të Vlorës dhe zonave përreth bën që të gjitha qendrat e banuara të lidhen me plazhet, duke tërhequr gjithnjë e më tepër turistë, numri i të cilëve  gjatë viteve të fundit është dhjetëfishuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›