Banka Botërore, fajtore, siç akuzohet
Kur Robert Zoellick erdhi në krye të Bankës Botërore në 2007, pas muaj debatesh në lidhje me favoret profesionale të bëra nga ish-presidenti, Paul Wolfowitz, për të dashurën e tij, shumë njerëz menduan se do të vinin kohëra të mbara për BB. Kështu që ishte tronditëse të dëgjoje zotin Zoellick ta përshkruante si “të neveritshme” sjelljen e Bankës në projektin për zhvillimin e bregdetit të Shqipërisë. Ai reagoi pas zbulimeve të një Paneli hetimor të Bankës, i cili gjeti një lidhje të qartë mes shkatërrimit të paligjshëm të 16 shtëpive në Jalë dhe një projekti, për të cilin kishte dhënë 17.5 milionë dollarë.
Pranimi i fajit nga zoti Zoellick ishte përshtypje-lënës dhe projekti u pezullua. Edhe reagimi i menaxhmentit të Bankës, në një dokument të datës 18 shkurt, është gjithashtu i ndjerë. Familjeve të prekura, për t’i ndihmuar të kërkojnë kompensim, u është premtuar përkrahje ligjore.
Por hetimet kanë zbuluar një histori paaftësie, keq-menaxhimi dhe mashtrimi për të ardhur keq. Kjo u zbulua pa kaluar një muaj, pasi Banka u detyrua të lëshonte një deklaratë, ku identifikoi tri kompani kompjuterësh që i përjashtonte nga projektet e Bankës - dy prej tyre, “Wipro” dhe “Satyam”, për ofrim “përfitimesh të papërshtatshme” për stafin e Bankës. Kjo ngjarje ofron ushqim të ri për kritikët e Bankës, që thonë se ajo është e ngadaltë në marrjen e vendimeve dhe jo shumë e përgjegjshme ndaj njerëzve që preken nga puna e saj.
Në projektin shqiptar, ky është një nga faktet e turpshme: një dokument vlerësimi përfshinte një referencë të rëndësishme të një marrëveshjeje me qeverinë për një moratorium për prishjen e ndërtesave pa leje, derisa të bëhen ligje të qarta për përcaktimin e veprimtarisë së paligjshme dhe për të ndihmuar personat e prekur. Në realitet, kjo marrëveshje nuk ekzistonte, diçka që një pjesë e stafit e dinte. Dokumenti ishte korrektuar pak para se projekti të paraqitej para bordit të Bankës, pastaj ishte ndryshuar dhe në fund ishte hequr fare. Si rrjedhojë, disa nga anëtarët e stafit vazhduan të mendojnë se marrëveshja ekzistonte dhe i referoheshin në dokumentet e tjera. Një mënyrë e butë për ta përshkruar procesin do të ishte mos-organizimi.
Sipas raportit të Këshilltarit të Përgjithshëm të Bankës në lidhje me marrëveshjen e çuditshme që mungonte, Banka nuk ka procedura të qarta për të caktuar përgjegjësinë për saktësinë e vlerësimeve të projekteve. Reagimi i menaxhmentit e pranon nevojën e përgatitjes tërësore për takimet e bordit. Disa mund të quajnë këtë si të thuash atë që s’ka nevojë të thuhet.
Projekti shqiptar hedh dritë edhe mbi disa çështje të dyshimta në lidhje me ata që Banka rekruton e bashkëpunon, kur zbaton projektet e saj. Në këtë rast, menaxhmenti i Bankës i tha Panelit të hetimit se nuk kishte lidhje mes prishjeve në Jalë dhe projektit të zhvillimit të bregdetit.
Shkon direkt në Jalë
Prishja vërtet ishte bërë nga policia ndërtimore shqiptare, jo Banka. Por Paneli zbuloi se fotografitë ajrore që identifikonin objektet për prishje ishin dhënë nga stafi në grupin e koordinimit të projektit dhe fotot ishin bërë me fondet e BB. Fotot iu dërguan pastaj policisë ndërtimore, së bashku me një letër që aksioni të kryhej “sa më shpejt të ishte e mundur”.
Policia ndërtimore iu përgjigj kërkesës së koordinatorëve të projektit menjëherë, duke mbërritur në Jalë për të prishur shtëpitë “pa leje” në orët e para të mëngjesit. Gatishmëria ndoshta nuk ishte tërësisht për shkak të respektit për BB: koordinatori i projektit ishte dhëndri i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kohët e fundit ka sulmuar Bankën.
Paneli i hetimit shkruan në raport se stafi vendor i BB ishte i shqetësuar nga lidhjet politike të koordinatorit dhe kualifikimi i tij. Megjithatë, ai u emërua në detyrë, vetëm pak muaj pasi vjehrri i tij u bë kryeministër.
Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Emërimi i njerëzve me influencë që kanë axhendën e tyre, shpesh në kundërshtim me axhendën e Bankës, përbëjnë një problem të madh për mënyrën se si administrohen projektet e saj. Rasti shqiptar përfshin edhe përkushtimin për t’i shmangur emërimet me konflikt interesi “nëse është e mundur”. Por problemi, mund të kundërshtojnë disa, është se duke pasur njerëz të tillë në projekt mund të lejojë Bankën të shmangë procedurat burokratike, për shkak të lidhjeve të tyre, një “aftësi” me vlerë në mjedise politike të vështira. Dhe ky mund të jetë një shkak që menaxherët e lartë kthejnë kokën në anën tjetër, kur rekrutohen njerëz me lidhje.
Korrupsioni i modelit të vjetër është problem gjithashtu, siç tregon historia e dy kompanive të kompjuterëve të përmendura më lart. Gjithashtu, bëhet zhurmë e madhe rreth abuzimit me projektet e shëndetësisë në Indi, ku hetimet që përfunduan në 2008, zbuluan “tregues të papranueshëm mashtrimi dhe korrupsioni”, sipas zotit Zoellick.
Pozitivja në këtë mes është se Banka ka mësuar më në fund të pranojë gabimet, kur ato vërtetohen. Ajo ka vuajtur shumë vitet e fundit nga dyzimi për t’i prerë ose jo financimet, kur dyshohet për korrupsion. Fuqizimi i Panelit të inspektimit që të merret me çështjet e korrupsionit, që nuk i lejohen tani, do të ishte një ndihmë e dobishme.