Prezantim barbar i OSSH
“I nderuar klient, ju kujtojmë se deri më datë 25.02. 2009 duhet të paguani faturën e shërbimit....” është mesazhi që mund të kenë marrë qindra njerëz dje. E natyrisht çdo shqiptar i rritur e kupton se ky nuk mund të jetë një mesazh i OSSH, kompanisë bijë të kompanisë famëkeqe të KESH. Mesazhi i kujtesës prej OSSH për klientët e tij që nuk kanë paguar faturën në afat është dhënë këtë fillim jave me një mënyrë krejt të padëgjuar në kohën e sotme në ndonjë vend tjetër, së paku në Evropë. Ky mesazh është dhënë në mënyrën më barbare të mundshme, duke shkëputur pa asnjë paralajmërim lidhjen e energjisë elektrike për klientin. Barbarizma vetëm sa fillon këtu. Klienti, pasi i është prerë papritmas energjia elektrike (edhe pse mund t’i jetë prerë pa të drejtë), ka vetëm një mundësi për rikthimin e rrymës, të bëjë atë që thotë OSSH. OSSH thotë që të lësh çdo punë, çdo hall, çdo kujdesje për të sëmurin (sidomos në këtë stinë epidemish), kudo që të jesh dhe të shkosh te zyra e saj. Atje si fillim thjesht të konfirmohet se energjia të është prerë dhe se duhet të shkosh të bësh pagesën në zyrën qendrore (zyra pranë Postës Qendrore), një zyrë ku duhet të paraqiten që të gjithë të ndëshkuarit. Teksa qytetari mbërrin te zyra e rekomanduar, me paratë në xhep, që mund të mos i ketë pasur në moment, por ia ka dalë t’i gjejë, i del përpara një turmë e madhe njerëzish të zymtë që presin radhën për të paguar. Këta njerëz kanë vetëm një dëshirë, të zbraznin xhepat një orë e më parë, por asnjë nuk mund t’i shpëtojë pritjes disaorëshe. Qytetari që nuk kishte asnjë mundësi të qëndronte në radhë, pasi duhej të nisej me shërbim në një qytet tjetër, i drejtohet bankës. E bën pagesën dhe, pavarësisht se paguan një komision dhe bankieri i thotë se përsëri mund të kesh probleme me OSSH me këtë pagesë përmes bankës, ikën i gëzuar drejt e te zyra ku mund të shpresonte se me anë të një telefoni shtëpisë do t’i kthehej energjia elektrike. Por jo. Përgjigjja që merr: “Zotëri, nesër në mëngjes bëhet lidhja, ora 8:30- 9:00”. E vetmja gjë që mbetej ishte pritja në terr e së nesërmes. E nesërmja erdhi. Të dëmtuarit prisnin me shpresë poshtë pranë kabinës ku ndodhej çelësi që do ndriçonte e do ngrohte shtëpinë, por më kot. Atëherë, një i familjes i drejtohet përsëri zyrës së OSSH. Përgjigjja e sjellshme e nëpunësit të OSSH: “Elektricisti nuk erdhi, se ka shkuar në një zonë tjetër. Kur të vijë shefi, do t’i themi për lidhjen tuaj”. Përsëri pritje torturuese. Mbeti vetëm një zgjidhje, të pritej shefi me durim e më pas elektricisti që mund të ngrinte çelësin. Barbari duhet patjetër të shihte viktimën. Kështu u bë dhe më në fund pas 2 ditëve dhe një nate çelësi u ngrit nga barbari OSSH. Kjo ishte një ngjarje tërësisht reale, pa asnjë improvizim. Kushdo mund ta verifikojë në bllok listën e zyrës së OSSH te pallatet Agimi ankimimin e qytetarit me inicialet A. XH.
E vërteta është se zor se mund të gjesh familje në Shqipëri që mos të të tregojë një histori të dhimbshme me KESH e tani edhe me OSSH. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe nga privatizimi i “suksesshëm” prej kompanisë çeke, që për hir të së vërtetës s’ka aspak reputacion të mirë edhe në vendin e saj.
Nuk folëm në këtë shkrim për barbarizmin tjetër të OSSH, të faturimit aforfe. Këto radhë u shkruan thjesht që gjithë ata njerëz të viktimizuar së fundi nga OSSH, ashtu si dhe qytetari i këtij shkrimi, të mund të gjejnë pak nga përjetimi i keq i tyre në këtë shkrim dhe ndoshta pak shpresë se edhe mund të ndodhë që barbarizmi t’i lërë vendin sjelljes së qytetëruar.