E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç zgjat duart drejt operatorit të katërt celular në Shqipëri

Nga Tema

Damir Fazlliç, sekseri serbo-boshnjak i kryeministrit, Sali Berisha, duket se së shpejti do të ketë në dorë një tjetër pasuri të vendit tonë.

Bëhet fjalë për licencën e operatorit të katërt celular në Shqipëri.

Mediet kosovare kanë denoncuar skandalin. Sipas tyre, pronari i “Delta Holding”, Mirosllav Mishkoviç, është pas konsorciumit që ka ngritur Posta e Kosovës, dhe që ka paraqitur një ofertë prej 7.2 milionë eurosh për këtë licencë. Në garë nuk ka ndonjë emër të njohur të kompanive celulare ndërkombëtare, ndërsa mediet e Kosovës po vijojnë hetimin për Mishkoviçin, të cilin gazeta “TemA” e ka denoncuar si të lidhur me Damir Fazlliçin, madje ka botuar dhe të dhëna për këtë.

Mishkoviç ka blerë rrjetin Euromax në Shqipëri dhe përmes këtij rrjeti tenton të bëjë konsorcium me Postën e Kosovës.

Skandali është denoncuar dhe në parlamentin shqiptar. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se privatizimet në Shqipëri po bëhen në mënyrë skandaloze.

“Po ju kujtoj që privatizimi për së dyti i Albtelekomit është nën hetim në organin e Prokurorisë, privatizimi për së pari i ARMO-s është nën hetim në organin e Prokurorisë, privatizimi i INSIG-ut është nën denoncim publik të të gjitha medieve në Shqipëri, privatizimi i OSSH tashmë është nën padi penale në organin e Prokurorisë dhe në fund fare privatizimi apo dhënia me koncesion e Ndërmarrjes së Shërbimit të Automjeteve është vënë edhe kjo nën dyshime dhe po pritet thjesht dhe vetëm një vendim i Avokaturës së Shtetit për ta kthyer edhe këtë çështje nën hetim penal. Ajo që më shtyu ta rikthej çështjen e privatizimit në vëmendje, ka të bëjë me privatizimin apo me shitjen e licencës së katërt celulare në Shqipëri, për këtë çështje doja të thosha se procesi është thellësisht jotransparent dhe jashtë vëmendjes, qoftë të publikut, qoftë edhe të interesuarve, ai nuk është në kohën e duhur, jo në interes strategjik dhe në fund ai është thellësisht klientelist.

Një mori gazetash kosovare, artikujt e cilave i kam këtu, këto ditë bëjnë me dije pikërisht elementë për këtë çështje, për këtë po ju them që të listuar në atë kompani që është paraqitur e para në tender janë 5 klientë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mes të cilëve asnjëri i marrë më parë me veprimtari të telefonisë celulare dhe mbi të gjitha njëri prej tyre është kompani shitjesh pijesh energjike ose pijesh alkoolike në Shqipëri dhe ne Ballkan”, - tha Braçe.

Ndërsa Ministri i Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, tha se qeverisë nuk i intereson se me kë futet në bashkëpunim Posta e Kosovës.

“Ka një vendim të qeverisë së Kosovës për të autorizuar Postën e Kosovës të marrë pjesë në procedurat për GSM e katërt në Shqipëri. Nëse Posta e Kosovës, apo cilido investitor tjetër, futet në një procedurë i vetëm, me aksionerë apo me “joint venture”, kjo nuk është përgjegjësi e jona, por është përgjegjësi e investitorit. Ju (opozita) dhe as unë nuk kemi të drejtë të kërkojmë që Posta e Kosovës të seleksionojë aksionerët e vet. Ky nuk është problemi i ynë dhe as i juaji”, - tha Olldashi.

Mishkoviçi i kontrollon të gjithë

Nga “Sloboda Bosnia”

Flet Vladimir Popoviç, ish-ndihmësi i kryeministrit Xhinxhiç. Akuza për bosin e “Delta Group”, që ka blerë “Euromax”-in në Shqipëri

Ju keni ngritur padi kundër Dushan Mihajloviçit, ministrit të Policisë në qeverinë e dikurshme të Zoran Xhinxhiçit. Është ky vetëm njëri nga të paktën 20 konteste tuaja gjyqësore, por nga aspekti mediatik është një ndër më bujshmit. Pse e keni paditur?

Për shkak se gjatë përpjekjeve të tij që të nxirret nga situata e palakmueshme, në të cilën e kishin sjellë gazetarët e TV B92, në kohën kur filloi aksioni policor “Rrjeti”, që kishte të bënte me shpartallimin e grupeve që ishin marrë me kontrabandë cigaresh, ai pa ndonjë arsye kishte filluar të me njolloste dhe të më akuzonte për çdo gjë. ǒështë e vërteta, njëri nga të akuzuarit kryesorë i grupeve si këto, Stanko Subotiç, i kishte deklaruar gazetarëve të emisionit “Insider” se për këtë aksion policor ka qenë në dijeni që nga viti 2003, kur vetë ministri Mihajloviç, që realizonte këtë aksion, i kishte treguar për një gjë të tillë dhe kur në një mënyrë e kishte kërcënuar. Meqë për të gjithë ishte e qartë se Mihajloviç kishte kryer vepër të rëndë penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, gazetarët e TV B92 kishin marrë nga ministri aktual i Policisë, Dragan Joçiç, vërtetimin se një gjë e tillë është e vërtetë dhe se Mihajloviç do të ftohet për dëgjim. Meqenëse arrestimet në Serbi i drejtonte Miroslav Mishkoviç, Mihajloviç i frikësuar vrapoi që të kërkojë mbrojtje nga ai. Kësisoj, Mihajloviç merret nën mbrojtje, por si kundërshpërblim të kësaj ai i jep Koshtunicës dhe njerëzve të tij rrëfimin e rrejshëm për kontekstin e vrasjes politike të Zoran Xhinxhiç, çështje kjo që më së shumti preokupon këtë grup tradhtarësh. Ja pra në këtë mënyrë në vend që t’i përgjigjet akuzave për keqpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë aksionit “Rrjeti”, ai mjeran ministër i Millosheviçit fillon fushatën e akuzave dymujore kundër meje, duke përfshirë këtu edhe akuzën se unë kinse qenkam fajtor për vrasjen e Xhinxhiçit. Motivi shtesë i Mishkoviçit në këtë fushatë dhe aksion të pakuptimtë ka qenë hakmarrja personale, sepse unë isha ai, i cili tre muaj para fillimit të saj, në një intervistë kam shënjuar Mishkoviçin si të keqen më të madhe në Serbi, praktikisht e kisha quajtur pronar të Serbisë.

Nuk është mbase veç Mishkoviç pronar i Serbisë, ekzistojnë edhe të tjerë që janë po aq të fuqishëm (me ndikim). A mund të veçoni dikë?

Mishkoviç është padyshim njëri nga pronarët më të mëdhenj dhe më me ndikim në Serbi, është pronar absolut, por nuk do mend se nuk është i vetmi. Me të jam marrë më së shumti, ngaqë askush nuk ka pasur guxim të thotë asnjë fjalë të vetme kundër tij, ndërkohë që ai veten e quan shtyllë të ekonomisë së Serbisë. Aty, megjithatë janë edhe tregtarët e tjerë të “mallrave me akcizë” si Pero Matiçi nga Benkovci, të cilin Mirko Marijanoviç dhe UDB serbe e kishin shndërruar në njeriun më të pasur në Ballkan. Është aty edhe Dushan Zabunoviç, pronari i firmës MPS, dhe bashkëpunëtori i dikurshëm i Marko Millosheviçit, sot është pronar i hotelit në Beograd, për të cilin ka dëgjuar e gjithë bota, ngaqë në njërën prej dhomave mban portretin e Hitlerit. Ka aty edhe kriminelë klasikë si Predrag Rankoviç Peconiju. Natyrisht, aty hyjnë edhe “biznesmenët” e dashur të Koshtunicës, Vuk Hamoviç dhe Vojin Lazareviç.

Si u pasuruan në fakt Vojin Lazareviç dhe Vuk Hamoviç?

Vojin Lazareviç u pasurua nëpërmjet kumbarit së tij, Aleksandër Nikitoviç, shefit aktual të kabinetit të Vojislav Koshtunicës, që në kohën e ardhjes së Koshtunicës në pushtet ishte zëvendës i shefit të kabinetit - i monstruozes Lilana Nedeljkoviç. Vuk Hamoviç përveç kësaj ka dëshmuar afërsinë me kabinetin e Koshtunicës edhe nëpërmjet Vladet Jankoviçit, ambasador i atëhershëm e Serbisë e Malit të Zi në Londër, përkatësisht shoqërimit të bashkëshorteve të tyre. Monopoli në eksportin e korrentit, shitjes së naftës dhe i lëndëve tjera të energjisë janë konfirmim shtesë i marrëdhënieve financiare me Mlagjan Dinkiçin, guvernatorin e atëhershëm, i cili i transferonte rezervat e devizave në bankën e tyre Euroaksis në Moskë, mjete këto që i kishin marrë nga njerëz të Millosheviçit menjëherë pas 5 tetorit. Falë mjeteve të tilla “falas” që ua dha Dinkiçi, ka filluar pasurimi enorm i tyre, kështu që ata e mirëpritën ardhjen e Koshtunicës në qeverinë e Serbisë dhe sukseset e mëtejshme në rrëmbimin e mëtejshëm të pasurive.

Fahrudin Radonçiçi, pronari i gazetës “Dnevni avaza” (Avazi ditor), përmes Damir Fazlliçit dhe Miroslav Mishkoviçit ka instaluar Vojin Lazareviçin në Bosnjë e Hercegovinë, duke e ndihmuar të njëjtin në privatizimin e firmave të mëdha të Bosnjës. Një përpjekje e tillë ndodhi me blerjen e “Energoinvest”-it në Sarajevë, por edhe me tregtimin e derivateve në Bosnjë e Hercegovinë.

Këtu nuk ka asgjë për t’u habitur! Nuk ekzistojnë standarde morale, në të cilat vazhdon jeta shoqërore e publike afariste në rajon. Armiqtë më të mëdhenj politikë shndërrohen në partnerët më të afërt; palët që deri dje konsideroheshin të armiqësuara, themelojnë tani kompani të përbashkëta. Rregullat e sjelljes në këto qarqe afariste janë transferuar nga bota mafioze, prandaj klanet që sot janë në luftë, nesër ndërtojnë raporte bashkëpunimi. Ka të ngjarë që në këtë mënyrë Mishkoviçi, i cili kishte fituar shuma të majme parash falë egërsive të Millosheviçit, mes tjerash edhe në Bosnjë, ka ardhur me po ato mjete që ta blejë Bosnjën. Këtu del në shesh Damir Fazlliç, një figurë groteske, pleh dhe kriminel i rendit të tretë, ortak i dikurshëm i shefit të mafies në Kroaci, Hrvoje Petraçit, i cili sot imiton një kinse person kontaktesh me shtetet e Perëndimit për dy oligarkët e përmendur. Edhe pse të gjithë e dinë se kush është Fazlliç, ai edhe më tej gëzon respektin e madh dhe ushtron ndikim në majën politike të Bosnjës e Hercegovinës, veçanërisht në Sarajevë.

Çfarë e lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin?

Nëntoka, kriminaliteti, shërbimet sekrete, Tijaniçi, Fahrudin Radonçiçi... Para së gjithash ngjashmëritë në profilin dhe karakterin e të dyve, Fazlliçit dhe Mishkoviçit. Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan. Prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël që në emrin e tij t'i mbarojë punët më të ndyta korruptive prej Shqipërisë e deri në Bosnjë. Ai është njeriu që përdoret nga Radonçiçi dhe Mishkoviçi për punët e ndyta dhe do të jetë shumë interesant të shihet se në cilën anë do të rreshtohet, kur Mishkoviçi të vendosë të ‘lirohet’ nga Radonçiçi, siç ka vepruar me të gjithë partnerët e tjerë afaristë.

Ndërsa gjendeshit në ballë të Byrosë për Informim pranë qeverisë së Zoran Xhinxhiçit, jeni takuar me Fazlliçin. Cili ishte shkaku i takimit?

E kam parë një herë në jetë. Edhe pse ka tentuar që të më afrohet përmes linjave zyrtare, nëpërmjet ambasadës amerikane, unë nuk kam pranuar ta takoj. E kam takuar rastësisht, kur është shfaqur në apartamentin e një miku tim, ku unë gjendesha për vizitë. Ka filluar të fyejë e shajë kabinetin e Vojislav Koshtunicës, Aleksandër Tijaniçin, Radet Bulatoviçin, udhëheqësin e BIA, Ace Tomiçin, shefin e KOS etj., dhe të shpjegojë se të gjithë ata janë psikopatë e të çmendur, se po plaçkitin Serbinë. Thoshte se po e përdorin atë për të krijuar lidhjet me shërbimin e inteligjencës së Anglisë dhe se janë në gjendje t'i shkaktojnë çdo të keqe Xhinxhiçit. I thashë të vijë në qeveri dhe ato të cilat i tha, t’i thotë zyrtarisht. Kur erdhi të takonte me Zoran Janjusheviçin, bëri një deklaratë me shkrim, të cilën e kam ende. Mirëpo ai aty nuk bën fjalë fare për atë që kishte folur më herët. Më pas ai e keqpërdori këtë, duke e interpretuar se unë e kam kushtëzuar dhe se e kam detyruar që të akuzoj rrejshëm Koshtunicën dhe njerëzit e tij të afërm. Më kujtohet se qeveria jonë e pati arrestuar Fazlliçin, sepse ai edhe në atë kohë merrej me aktivitete kriminale. Ambasadori i atëhershëm i Amerikës, William Montgomery, ka ndërhyrë dhe ka kërkuar lirimin e Fazlliçit, edhe pse ai nuk kishte shtetësinë amerikane. Z. Xhinxhiç nuk e ka parë kurrë dhe për herë të parë ka dëgjuar emrin e tij atëherë, kur për të ndërhyri Montgomery. Ndërkohë, psikopati i vogël Fazlliç përhapte kudo gënjeshtrën se Xhinxhiç është daja i tij. Këtë e mësuam, kur Zoranit i erdhi një shkresë nga një afarist amerikan, që në fakt ishte viktimë e Fazlliçit, i cili e kishte gënjyer me muaj të tërë, i kishte marrë të holla kinse për qeverinë dhe bashkëpunëtorët e Xhinxhiçit dhe ku thuhej se, pasi i ishte kërcënuar se do të lajmëronte politikën, Fazlliç i përlotur kishte pranuar se e gjitha që kishte thënë është një gënjeshtër. Ai po ashtu kishte pranuar se nuk është kushëri i Xhinxhiçit dhe se kurrë nuk e kishte takuar atë.

Jemi dëshmitarë të bashkëpunimit të madh të Milorad Dodikut, Boris Tadiçit dhe Vojislav Koshtunicës. Cilat interesa, sipas informacioneve tuaja, i bashkojnë këta tre persona?

Para së gjithash këto janë interesat politike dhe interesat personale financiare. Tadiç dhe Koshtunica preferojnë koketimin me nacionalizmin serb dhe lidhjet me Republikën Serbe, pra njëlloj siç i preferonte Millosheviçi. Në Serbi keni mbi 1 milion votues që ndërlidhen në një mënyrë apo tjetër me këtë korpus. Të bërit me sy dhe puthjet me “grupet e caktuara” për qëllim të rezultateve zgjedhore kanë ngjashmëri me lajkat që bën Koshtunica dhe gjysma e ministrave të tij së vesë së Arkanit - mafiozes Svetlana Razhnjatoviçit. E ngjashme është edhe sjellja e Tadiçit, i cili i kërkon falje kësaj pronareje të alibive për vrasësit e Xhinxhiç. Në fund të fundit, pas saj qëndrojnë 100 mijë të rinj - të gjithë votues potencialë. Përveç kësaj, te Koshtunica ekziston edhe afërsia patologjike me serbët e pas-kodrinave, të cilat ai i quan qenie e shëndoshë e popullit serb, sepse, si duket, ne këndej qenkemi më të këqij dhe nuk jemi të gatshëm të vrasim e plaçkitim. Këtu qëndron afria erotike mes Koshtunicës dhe Dodikut. Megjithatë, unë besoj se interesat e Dodikut pjesërisht dallojnë, ngaqë ai para së gjithash sillet si një politikan pragmatist, i cili falë afërsisë me qeveritë në Beograd përfiton sa nga aspekti politik, po aq edhe nga aspekti ekonomik, dhe atë jo vetëm personalisht, por edhe në kuptimin e përfitimit për Republikën Serbe. Për këtë flet më së miri shitja e Telekomit serb, thënë ndryshe, dorëlirësia e pakuptimtë e Koshtunicës dhe shërbëtorit të tij Drashko Petroviçit. Për këtë ndërmarrje qytetarët e Serbisë kishin paguar 600 milionë euro. Aspak e rastësishme që kjo ndodhi pikërisht gjatë zgjedhjeve në Serbi, kur plaçkitja e popullit serb nga vëllezërit e pas-kodrinave u përcoll me përuljet para mafiozes dhe thirrjes së hapur të Zdravko Çoliçit në telefon, që ishin argumentet e vetme të Koshtunicës. Roli komik i kryeministrit Dodik në të gjitha tubimet e partive kryesore, si dhe mbështetja që i jepej atyre që ishin në pushtet, gjë që rezultoi me dëshirën për fitoren e Partisë Demokratike në tubimin e Partisë Socialdemokrate, më së miri flasin për motivet dhe sinqeritetin e këtyre politikanëve. Kujtoj se shumë lexues tanimë e kanë kuptuar se marrëveshja i takon fushës së moralit e jo politikës.

Sipas jush, si do të duket Serbia pas dhjetë viteve dhe ku do të jenë aktorët e sotëm, kryeministri Koshtunica dhe pronari i kapitalit të paparë, Mishkoviç?

Për Mishkoviçin shpresoj se drejtësia dhe ligji do të vihen në vend shumë më herët. Nëse vërtet është aq i aftë të prodhojë pará, shpresoj se ai do të fillojë nga zeroja, nëse gjykata vërteton se origjina e kapitalit të tij nismëtar është kriminaliteti. Besoj se deri atëherë me siguri do të kuptohet prapavija e vërtetë e vrasjes së Xhinxhiçit, si dhe roli i aktorëve të shumtë të jetës publike në Serbi, përfshirë këtu Koshtunicën dhe rrethin e tij në këtë akt kriminal. Por, përkundrejt kësaj Koshtunica ka siguruar vendin e tij në histori dhe do të mbahet mend me atë se gjatë mandatit të tij janë ndarë Mali i Zi dhe Serbia, dhe është humbur Kosova. Jam i bindur se disa gjenerata të tjera, të ardhshme, do të shohin qartë patriotizmin e tij dhe ndjenjat nacionale, të cilat mes tjerash i shpaloste gjatë puthjeve dhe përqafimeve me futbollistin më të njohur, argjentinasin narkoman, Maradonën, në kohën kur futbollistin legjendar jugosllav, Dragan Gjajiçin, e futi në mënyrë përulëse prapa hekurave Kjo është pamja e vërtetë e këtij njeriu.

Damir Fazlliç ka pohuar se ia doli të fusë ministrin e sotëm të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, në kabinetin e Xhinxhiç?

Çdo gjë ka shkuar përmes Boris Tadiçit. Ai e solli Jeremiçin në kabinetin e Zoran Xhinxhiçit, me lutjen që të kryejë praktikën në një kohëzgjatje prej dy apo tre muajsh, gjë që ishte e nevojshme për studimet pas diplomës. Gjatë asaj kohe Jeremiç e ka takuar Xhinxhiçin disa herë, ndërkohë që sot në CV e tij ka shkruar se ai ishte njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Xhinxhiçit. Pos kësaj, Fazlliç ka shfrytëzuar Jeremiç për disa informata brenda kabinetit. Gjatë arrestimit të Volf Miniçit, një figurë groteske të përzier në punët e kontrabandës me duhan, shërbimi ynë ka hasur në bisedën mes ambasadorit anglez, Charls Crawforda dhe Vuk Jeremiç, në të cilën ambasadori britanik në panik e luste Jeremiç që të provojë përmes kabinetit të kryeministrit të ndikojë në lirimin e Miniçit nga burgu. I vetëdijshëm se ndërhyrja në punë të tilla do të mund ta dëmtonte, Jeremiç i shqetësuar dhe i frikësuar ia ka zënë për të madhe ambasadorit pse nga ai kërkon një gjë të tillë, duke i thënë se do të ishte më e mirë që ta përdorin kur t’i vijë radha privatizimit, ashtu siç janë marrë vesh më herët. Kjo bisedë i është përcjellë Xhinxhiçit, dhe kjo është arsyeja pse ai largoi nga kabineti i tij si spiun të shërbimit informativ të Anglisë, Jeremiçin. Më vonë, kur Tadiç zgjidhet kryetar shteti, Fazlliç ka qenë njëri ndër mysafirët më të nderuar me rastin e inaugurimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›