Berisha dhe kolapsi i bregdetit jugor
Qeveria shqiptare ka futur në kolaps zhvillimin e turizmit në bregdetin jugor, përmes problemeve që shfaqi projekti i financuar nga Banka Botërore, përmes përpjekjeve për të futur në konflikt pronarët me investitorët, si dhe me “premtimin” e fundit të qeverisë që fut në konflikt pronarët e bregdetit jugor me pronarë të tjerë, të cilët qeveria premton se do t’i kompensojë me tokë në bregdetin jugor.
Së pari, studimi i integruar i bregdetit jugor, i financuar nga Banka Botërore, është i manipuluar dhe, siç pranoi vetë Banka Botërore, një nga gabimet e saj ishte emërimi i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të kryeministrit, në këtë detyrë. Projekti ka krijuar shanse për të trafikuar njollat e fshatrave turistikë dhe për të prishur pasuritë e pronarëve për interesa biznesi.
Problemi i dytë është konflikti i prodhuar nga qeveria mes investitorëve dhe pronarëve. Në këtë pikë rasti i fshatit Kakome është më ilustruesi. Qeveria është mobilizuar t’u mohojë banorëve të drejtën e pronësisë mbi bregdetin, edhe pse vetë kryeministri, Sali Berisha, deri në vitin 2005 thoshte të kundërtën. Madje, vetë Berisha, siç e ka transmetuar “Vizion Plus”, ka deklaruar se “vetëm nëse kryeministri është pronar i fshatit turistik, ai mund t’u marrë pronën këtyre fshatarëve”. Tashmë ai po ua merr me dhunë tokën këtyre fshatarëve dhe mbetet të besojmë se ai qëndron pas kompanisë që po rrethon vendin. Por skandali nuk është vetëm te çështja e pronësisë, por te tolerimi që kryeministri, Sali Berisha, i bën ndërtimit pa leje në një zonë turistike.
Kompania “Riviera”, e cila përdori thuajse privatisht policinë e Vlorës për të hyrë në Kakome dhe për të bërë reprezalje në fshat, ka filluar të ndërtojë pa leje ndërtimi nga KKRTS, ndërkohë që ajo është zonë turistike. Për të ndërtuar në një zonë turistike duhet leje nga komuna, nga qarku dhe në fund nga KKRTSH. Kjo kompani ka filluar punën pa leje ndërtimi, nuk është paraqitur në komunë të paguajë taksën e ndërtimit dhe nuk ka dokumentacion të rregullt ligjor për të filluar punë, pavarësisht çështjes së pronarëve. Inspektori i policisë ndërtimore, që e ka kundërshtuar fillimin e punës pa leje ndërtimi, është arrestuar dhe mbahet në burg bashkë me kryeplakun e fshatit për arsye procedurale. Ky është veprim tipik mafioz i një shteti që burgos punonjësit e vet që zbatojnë ligjin për t’i hapur rrugë interesave të tij klienteliste.
Kryeministri Berisha ka përdorur në këtë histori dy standarde. Një vit më parë ai urdhëroi prishjen e një kompleksi turistik në Velipojë, edhe pse ky i fundit kishte marrë leje nga KKTSH, pra nga vetë Berisha, por që nuk ishte zbardhur ende, kurse në Kakome lejon fillimin e punimeve mbështetur nga forca policore, ndërkohë që nuk i ka miratuar lejen dhe që ende nuk është zgjidhur konflikti mbi tokën.
Ndërkohë, problemi i tretë që mund të krijohet në Jug është ai i kundërvënies së pronarëve vendas me ata që Berisha thotë se mund të kompensohen në atë zonë. Është jologjike që në një zonë ku pronarët vendas nuk kanë marrë pronat të flitet për kompensim të pronarëve të tjerë. Më tej akoma, është e padrejtë për të seleksionuar pronarë të privilegjuar dhe të persekutuar, dikush të marrë letra me vlerë dhe dikush tokë në bregdet. Ky konfuzion i shkaktuar me ligj dhe vullnet politik ngre pikëpyetje të mëdha për perspektivën e zhvillimit të bregdetit jugor. Lakmia për të kontrolluar zhvillimin e bregdetit i ka lënë disa kryeministra shqiptarë pa “pjesë”, pasi kanë dashur të marrin gjithçka. Kjo gjë po i ndodh sërish Sali Berishës. Në përpjekje për ta kontrolluar planin e fshatrave turistikë me dhëndrin e tij, orientimin e investitorëve të huaj me vajzën e tij, matrapazët e shitjes dhe kthimit fals të pronave të familjes Vlora me djalin e tij, tashmë rrezikon t’i humbasë të gjitha. Por më shumë sesa lakmia e kryeministrave për të futur duart në Jug, i humbur është vetë bregdeti jugor, i cili vazhdon të jetë peng i mosvendosjes së shtetit ligjor, moskthimit të pronës tek i zoti, moslegjitimimit të pronës së marrë dhe mbi të gjitha i mungesës së një studimi të besueshëm dhe kredibël që të garantojë investitorët çfarë do bëjnë. Deri më sot kemi vetëm luftë të bizneseve individuale, të cilat paguajnë policinë, gjykatat, prokurorinë dhe tentojnë të zaptojnë një tokë, mbi të cilën zor se mund të bëhet ndonjëherë biznes turistik, nëse atë ua grabit me forcë banorëve. Duhet të hysh në spiralen e krimit dhe të spastrosh nga banorët zonën që të hiqesh si pronar i saj.
Ky kolaps, në të cilin po hyn perspektiva e bregdetit për shkak të kësaj lakmie familjare në pushtet, dhe mungesës së vizionit për të krijuar tregun e tokës legjitime në rivierën shqiptare, do të jetë një kosto e rëndë, jo vetëm politike për PD në pushtet, por mbi të gjitha për perspektivën e zhvillimit të bregdetit jugor, pasurisë më të madhe turistike që ka Shqipëria.