Policia sulmon shkollën e filmit shqiptar, arreston rektorin e saj dhe drejtorin e produksionit
Stafi dhe studentët e Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi” në Tiranë janë në grevë, pasi policia arrestoi rektorin e shkollës, një profesor dhe tre studentë gjatë protestave të dhunshme që shpërthyen pas një mosmarrëveshje pronësie.
Kujtim Çashku, rektori i shkollës, u shoqëria në polici së bashku me drejtorin e produksionit, Eol Çashku, dhe studentët e përfshirë në protesta të dhunshme.
Stafi i shkollës së filmit pretendon se një studenti i ra të fikët, ndërsa po shoqërohej në polici dhe se policia vazhdoi pastaj me prishjen e një numri veprash arti në instalacion në oborrin rreth një ekrani të madh kinemaje të vendosur jashtë akademisë.
Konflikti i së shtunës së kaluar ishte pika kulmore e tensioneve disamujore mes akademisë, e para dhe e vetmja shkollë filmi në Shqipëri, dhe ministrit të Kulturës, Ylli Pango, në lidhje me të drejtat ligjore për pronën ku është vendosur shkolla.
Stafi i shkollës së filmit pretendon se qeveria do të sheshojë një park me skulptura për të krijuar një park makinash në përdorim të një kanali televiziv shqiptar.
Veprat e instalacionit dhe ekrani i madh, vendosur në një pjesë të ish-studios shtetërore të filmit, ishin vendosur kohët e fundit në përgatitje për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i programuar për në mars.
Akademia bën thirrje për përkrahje ndërkombëtare në betejën e saj me qeverinë që të ruajë kontrollin e mjediseve të saj.
“Forcat e Policisë së Shtetit erdhën për të mbyllur akademinë tonë, me pretekstin se ne po përdorim në mënyrë të paligjshme një pjesë të mjediseve tona tek ish-Kinostudioja”, - tha shkolla në një deklaratë në faqen e saj në internet.
“Përdorimi i forcës është në kundërshtim me Kushtetutën shqiptare, ligjin e Arsimit dhe Kodin Civil.”
“Akademia “Marubi” vazhdon të jetë e rrethuar nga policia. Studentët dhe profesorët janë ende në mjediset e saj në vazhdim të grevës. Ne synojmë të bëjmë qëndresë për të ruajtur të parën dhe të vetmen akademi filmi në Shqipëri.”
Iris Elezi, pedagog i analizës së filmit, thotë: “Shkolla e filmit ishte realizimi i një ëndrre për të gjithë të rinjtë shqiptarë që donin të studionin për film. Pas pesë vitesh, ndërsa po prisnim të shikonim frytet e para të punës sonë, filmat e bërë nga studentët tanë janë prezantuar në festivale prestigjioze, studentëve tanë iu desh të përballeshin me dhunën brutale të policisë, e gjithë kjo që kopshti ynë me skulptura të kthehet në parkim për televizionin më të madh shqiptar.”
Shkolla iu ka bërë thirrje përkrahësve të saj të firmosin peticionin e tyre në internet drejtuar presidentit, Bamir Topi, duke bërë thirrje për t’u dhënë fund veprimeve të policisë, legalizimin e menjëhershëm të mjediseve të shkollës dhe dorëheqjen e “ministrit të ‘Antikulturës’, Ylli Pango, që guxon të barazojë kulturën dhe artin me biznesin”, - thuhet në peticion.
Bernd Buder, kurator filmi me qendër në Berlin dhe konsulent festivalesh, dhe një nga më shumë se 800 personat që kanë firmosur peticionin në internet, tha: “Shkolla “Marubi” bën një punë shumë të mirë në përgatitjen e një brezi të rinjsh prodhuesish filmash, vendosjen e kontakteve ndërkombëtare dhe të imponojë integrimin e Shqipërisë në kontekstin evropian. Përpjekjet e jashtëzakonshme të kësaj shkolle, drejtorit të saj, Kujtim Çashku, pedagogëve dhe studentëve të saj, duhet të gjejnë përkrahje të plotë.”
Të mërkurën nuk mundëm të kontaktonim për koment Ministrinë shqiptare të Kulturës.
Henry Breitrose, profesor i komunikimit në universitetin Stanford dhe një nga më shumë se 800 personat që kanë firmosur peticionin në internet, tha: “Shkolla “Marubi” është një shkollë serioze filmi, e cila ia ka dalë me sukses të ofrojë arsimim të lartë në fushën e filmit dhe produksionet e medieve. Ajo është e organizuar si një partnership publik dhe privat me ndihmë nga qeveria amerikane, gjermane, britanike dhe franceze.”
“Me sa kuptoj unë, njerëz të fuqishëm në partinë në pushtet duan ta ndryshojnë destinacionin e mjediseve të ish-studios shtetërore të filmit, në strehim me fitim dhe kanë qenë këmbëngulës në realizimin e një marrëveshjeje tjetër.”
* “Variety” është një nga mediet më të njohura në botë në fushën e filmit