Telashet e Flamurit me licencën e katërt të celularit
Debati për licencën e katërt të celularit u përplas sërish te Flamuri. Sa herë që gjërat nuk shkojnë, tek ai ngecet puna. Dhe shkaku ishte fare banal. Flamuri paska dhënë rekomandimet për anëtarët e ERT që japin licencat. Emri i Flamurit rezulton që ka rekomanduar gjithë anëtarët, por në fakt Flamurit nuk i kujtohej asnjë. I kujtohej vetëm kryetari që i rrinte pas derës duke i thënë: “Jam shok i Shkëlzenit” dhe Flamuri që ia rekomandoi ministrit si me porosi nga lart. Tani që plasi puna e licencës së katërt, sërish presionet shkojnë te Flamuri, ngaqë mendojnë se ai i ka gjërat në dorë.
E thirri kryetarin Flamuri të qante hallin.
- Kush janë këta kosovarët që do fitojnë licencën e katërt? - i tha Flamuri.
- S’e di, Shkëlzeni m’i ka nisë, - tha ai.
- Po ku i njeh Shkëlzeni, se ai s’ka qenë në Kosovë?
- S’e di, po i njeh ai Damiri. Ky serbi, Mishkoviçi, është njeri shumë i pasur. Të kujtohet gazeta “TemA”, më fal ai maskarai që ka botuar një herë një intervistë me këshilltarin e ish- kryeministrit Xhinxhiç që thoshte se Fazlliçi ishte njeriu i Mishkoviçit në Ballkan?
- Jo, s’më kujtohet, se ai shkruan përditë për Fazlliçin.
- Ja, ta gjej unë dhe ta tregoj.
Gërmoi pak në internet dhe e gjeti.
- Ja se ç’thotë, - dhe filloi t’ia lexonte:
“Çfarë e lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin?
Nëntoka, kriminaliteti, shërbimet sekrete, Tijaniçi, Fahrudin Radonçiçi... Para së gjithash, ngjashmëritë në profilin dhe karakterin e të dyve, Fazlliçit dhe Mishkoviçit. Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan. Prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël, që në emrin e tij t'i mbarojë punët më të ndyta korruptive prej Shqipërisë e deri në Bosnjë. Ai është njeriu që përdoret nga Radonçiçi dhe Mishkoviçi për punët e ndyta dhe do të jetë shumë interesant të shihet se në cilën anë do të rreshtohet, kur Mishkoviçi të vendosë të ‘lirohet’ nga Radonçiçi, siç ka vepruar me të gjithë partnerët e tjerë afaristë.”
Marrë nga “Slobodna Bosna”
- E kuptova mixhë, - tha Flamuri. - D.m.th., Damiri bëka punët e tij në Shqipëri dhe Bosnjë. D.m.th., Damiri i paska rekomanduar të futet partner me këta kosovarët. E mora vesh. Të mëdhenj janë dhe këta kosovarët. Ne kërkojmë t’i çlirojmë nga Serbia, ata duan të na bien Serbinë këtu. Të fortë janë për nder. Po s’i t’ia bëjmë or mixhë tani? Si mbulohet kjo punë?
- Unë them mos t’i zëmë në gojë këta serbët, të themi janë kosovarë...
- S’e ha njeri o mixhë këtë punë. Të paktën të themi janë jugosllavë, se dhe po u bë ndonjë gjyq më vonë, s’na zë ligji, se Jugosllavia nuk ekziston. Po ky Mishkoviçi ç’ka qenë o mixhë?
- Ky ka qenë njeri i madh. Ka qenë zëvendësi i Millosheviçit. Damiri e ka njohur nga kushëriri i nënës, Stanishiçi, se ai ka qenë shef i shërbimit sekret, kurse ky ka qenë zëvendëskryeministër.
- E kuptova. Qenka i fortë shumë. Dhe po e merr dhe qyl këtë licencën. Me kaq pak lekë dhe ndonjë yni e merr.
- Po si nuk ka frikë ky serbi këtu, o mixhë?
- Jo mo s’ka frikë. Ka ardhur me kohë ky. Ka blerë supermarkete, ka biznese të tjera plot. Pastaj, pse do ketë frikë, gjithë biznesi serb po bën pará këtu. Rrugën Levan-Vlorë e ka marrë një serb, rrugën Levan-Tepelenë, një segment, e ka marrë një serb, kompjuterët për në shkolla po na i bie një serb, energjinë elektrike po na e shet një serb, ushqimet po na i shet një serb, s’u bë qameti të kemi dhe një celular serb. Ne dhe kështu na përgjojnë, më mirë ta kenë direkt aksesin në celularë.
- E kuptova mixhë, e kuptova. Qenka serb tamam. Puna është s’i ta bëjmë kosovar, thuaj?
- Pak e vështirë është, por unë mendoj se nuk ka ndonjë problem të madh. Mjafton të thuhet që fitoi PTT e Kosovës. Se kë bën partnere PTT e Kosovës, s’ka problem. Ne s’mund t’i urrejmë serbët më shumë se kosovarët. Se kësaj i thonë, i zoti e jep, tellalli s’e shet.
- E kuptova mixhë, e kuptova. Ik tani se po flas një herë me Shkëlzenin, dhe të vendosim se çfarë do bëjmë. Në fund të fundit, le t’u dalë vetë zot. Të thotë e kam ndonjë kushëri të gjyshes, se unë s’kam ç’i bëj.