Reformat e çojnë Shqipërinë në drejtimin e gabuar
Kritikat për qeverinë, veçanërisht kur vijnë nga brenda vetë PD, sigurisht, në ato pak raste të bëra publike, në fund të fundit shkojnë deri te kufiri në anën e këtejme të të cilit konstatohet që ritmi i kryerjes së reformave në Shqipëri është i ngadaltë. Megjithatë, edhe ata më kritikët, nxitojnë të plotësojnë këtë konstatim, madje edhe pa marrë frymë, me konstatimin e dytë, në të cilin, sipas tyre, pavarësisht nga ritmi i ulët i reformave, drejtimi i zhvillimit të Shqipërisë nën këtë qeverisje është ai i duhuri, ai për të cilin ata kishin ëndërruar prej kohësh, që në ndryshimin e sistemeve në vitin ‘90. Sipas tyre, kjo qeverisje po e zhvillon Shqipërinë në drejtimin që e fut atë në NATO, apo në drejtimin që e bën atë pjesë të Evropës. Në thelb, qoftë për arsyen e mungesës së njohjes, qoftë për arsye të servilizmit politik, qoftë për arsye të tjera të çfarëdolloji që gjithsesi vetëm pengojnë konstatimin e të vërtetës, ata nuk shohin asnjë lidhje midis ritmit të reformave dhe drejtimit të zhvillimit të vendit. Në nivelin e këtij konstatimi sipërfaqësor gjendet edhe opozita. Sigurisht, më e ashpër, ajo, në thelb, mundohet të provojë që gjendja në vend është e mjerueshme dhe se reformat për përmirësimin e saj kanë dështuar ose janë kryer pjesërisht dhe jo në thellësinë e nevojshme. Opozita mundohet të provojë në këtë mënyrë që mungesa e reformave, ose ritmi i ulët i tyre, ka shkaktuar një gjendje të keqe në të gjithë vendin, pra, një ndalim të zhvillimit, jo një ndryshim të drejtimit të tij, dhe vetëm kaq. Duke dhënë të kuptojë që menjëherë sapo reformat të fillojnë të kryhen, atëherë automatikisht edhe vendi do të zhvillohet në drejtimin e parë, atë të dëshiruarin, në po atë drejtim kur ndali për shkak të frenimit të tyre, pa pasur nevojë ta ndryshojë atë. Kështu, në asnjë rast, opozita apo kritika në përgjithësi, nuk ka mundur të zbulojë lidhjen, nuk ka dhënë alarmin që do t’iu bënte të qartë shqiptarëve se një ritëm i ulët i realizimit të reformave nuk do të thotë vetëm një zhvillim më i ngadaltë i vendit, madje kjo është e keqja më e vogël. Kritikët e qeverisë, veçanërisht opozita, akoma e konceptojnë realitetin shqiptar në mënyre thellësisht mekaniciste. Si në fizikën elementare, ata mendojnë që shpejtësia e realizimit të reformave, e ulët apo e lartë qoftë ajo, detyrimisht ka një kahje të njëjtë me rrugën e zhvillimin e vendit, dhe meqenëse janë reforma, atëherë detyrimisht edhe drejtimi i zhvillimit të vendit është ai i duhuri. Në realitetin shoqëror, veçanërisht në vendet në tranzicion, veçanërisht në vendin e çuditshëm Shqipëri, ndodh fare ndryshe. Vetëm një ritëm i lartë i zhvillimit të reformave ruan drejtimin e duhur të zhvillimit të vendit. Në të kundërtën, një ritëm i ulët i zhvillimit të tyre dhe akoma më zi, mungesa e reformave, do të thotë as më pak dhe as më shumë një ndryshim i vetë drejtimit në të cilin zhvillohet vendi, çuarja e tij në një drejtim të gabuar, dhe kjo është e keqja më e madhe.
. . .
Qeverisja e PD kishte misionin e madh të dënimit të krimeve të së shkuarës, të rehabilitimit të të përndjekurve politikë, çka mund të arrihej vetëm nëpërmjet një reformimi moral të shoqërisë. Mbi rrafshin e moralit të reformuar mund të ringjallej shpirti shqiptar, të pastrohej dhe të bëhej gati për të jetuar në një paqe të thellë sociale, kolektive dhe individuale. Kjo paqe, qetësi shpirtërore, do të bëhej pastaj edhe bazamenti më i gjerë për të përballuar të gjitha krizat që një kombi apo një populli i dalin përpara gjatë ekzistencës së tij. Prandaj, “ligji i spiunëve” apo dëmshpërblimi i të persekutuarve politikë do të ishte në fakt bashreforma, kryereforma, sepse, duke ndërtuar moralin e një paqeje midis shqiptarëve, do të mund të plotësonte kështu edhe parakushtin më të madh të kryerjes me sukses të të gjithë reformave të tjera. Kështu ka qenë në çdo vend ish komunist. Kështu mund të ishte edhe në Shqipëri. Por nuk ndodhi. Sorollatja me këto ligje, përgatitja e projektligjit të spiunëve pikërisht në kohën e papërshtatshme dhe me përmbajtje selektive, pra ritmi fare i ulët në realizimin e kësaj reforme deri në ndaljen e plotë të saj, i ka lënë një hapësirë të madhe deformimit të qeverisjes, shndërrimit të saj nga transparente, demokratike, në një qeverisje autokratike. Sepse “spiunët”, ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, janë aty, në jetën politike, madje të shtuar vitet e fundit, pra më të shumtë në numër. Ata vetëm nuk janë zbuluar, nuk iu është hequr maska publikisht. Dhe me ta mund të qeverisësh më lehtë, mund t’i përdorësh si të duash, për të gjitha qëllimet, sepse i mban peng me maskën. Mund të qeverisësh më lehtë, por jo si në një sistem demokratik. Demokratët duhet të dinë që moskryerja e reformës në këtë fushë nuk ishte një rastësi, nuk ishte as një aksident, nuk u shkaktua as nga rebelimi i së majtës. Ka fakte që ish spiunë u thirrën në politikë në 2005 nga drejtuesit e PD, dhe sot janë aty, në vijën e parë të politikës së saj. Nëse drejtuesit e PD do ta kishin seriozisht reformimin në fushën e “pastrimit” të shpirtit dhe ndërtimit të një morali të ri për vete, por edhe për krejt shoqërinë shqiptare, ish spiunët nuk do të ishin thirrur në politikë dhe ish të persekutuarit do të ishin dëmshpërblyer më së fundi. Prandaj, ritmi i ulët i kryerjes së kësaj reforme nuk ka ngadalësuar zhvillimin, por ka ndryshuar kahjen e tij, nga një qeverisje demokratike në një qeverisje autokratike, jo transparente, deri konspirative.
Mosreformimi i PD, në thelb, është edhe argumenti më i rëndësishëm që shpjegon ekzistencën e një lidhje të fortë midis ritmit të reformës dhe drejtimit të zhvillimit. PD sot paraqitet në sytë e demokratëve më e dobët se kurrë, e tharë nga mungesa e mendimit të lirë dhe ajo e lirisë së zgjedhjes. E qorruar nga mungesa e vizionit. Me struktura që ndodhen vetëm në letër, sepse nuk mblidhen kurrë, sepse kurrë nuk marrin një vendim. Me personalitete të zëvendësuar nga emra listash, të pakomunikueshëm, të paarritshëm, mediokër, të largët, të pakapshëm si hijet. Ata që thonë se PD është atje, e pranishme, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi vullnetet e panumërta qytetare që u vunë në themelin e saj, i përbuzin ato, tallen. Mbi të gjitha, si hienat, kërkojnë të përfitojnë në momentin e fundit tek mundohen të kafshojnë materien e palëvizshme të trupit të saj. Zgjedhjet aktuale që po kryhen për autoritetet dhe strukturat e PD përmes të ashtuquajturit “delegim”, zgjedhje këto të tërthorta dhe në mungesë të plotë të transparencës, larg syve të anëtarësisë, janë një dëshmi e pakundërshtueshme e mospjesëmarrjes, prandaj edhe e tharjes së partisë, e ngrirjes të plotë të saj nga një formalizëm kallkanizues. Krejt hapësira vendimmarrëse e PD është tkurrur në zyra qeveritarësh dhe kjo ka çuar jo vetëm në një ritëm të padallueshëm reformimi, por në një ndalim të plotë të tij. Është esencialisht kjo arsyeja pse nuk mund të thuhet që PD vetëm sa ka ngadalësuar vetevoluimin e saj, rritjen e detyrueshme për një parti në një sistem pluralist. E keqja është shumë më e madhe. Mungesa e reformimit i ka ndryshuar partisë kahjen zhvillimit, kahjen e rritjes së saj. Ajo ka kohë që rrëshqet drejt një partie ku sundon autokratizmi, kulti i individit, nën peshën e të cilit, qeverisja dhe partia janë shkrirë, fuzionuar, në një trup të vetëm, të ngurtë, që po bëhet gjithmonë e më shumë i huaj për demokratët.
Liria ekonomike e mundur përballë tregut të uzurpuar nga monopolet dhe korrupsionit të qeverisë, veçanërisht tregu i deformuar i tokës dhe anarkia që sundon sot në procesin e rikthimit të pronave, dëshmojnë se po shuhet me shpejtësi motori i reformave në fushën ekonomike. Kjo ka bërë që kapitalizmi në Shqipëri të mos bëhet një sistem real, funksionues, përkundrazi, të shndërrohet në një sistem virtual, “ekzistent” në shkresa dhe certifikata të pafund, vetëm në kujtesën e njerëzve, i pashndërruar në mirëqenie. Ky dyzim është në rrënjët e demokracisë hibride shqiptare, për të cilën po flitet shumë vonë, pasi ajo ka kohë që është bërë një fakt në Shqipëri. Rënia e ritmit të reformës në këtë fushë nuk ka sjellë vetëm dhe thjesht prapambetje në ekonominë shqiptare, por mbi të gjitha ka çuar dhe po çon çdo ditë në ndryshimin thelbësor të formës së sistemit ekonomik. Zhvillimi i shoqërisë shqiptare nuk shkon më drejt ekonomisë së tregut, nuk është më kapitalist, por shkon drejt një sistemi hibrid, ku bashkëjetojnë totalitarizmi me demokracinë, ku treten kufijtë midis pronës së shtetit dhe asaj private, sepse kjo bëhet lehtësisht e dhunueshme duke humbur “shenjtërinë” të cilën e ka rrëmbyer prej kohësh e para apo kasnecët e saj. Ndryshimi i drejtimit të zhvillimit ekonomik për shkak të uljes së ritmit të reformave po sjell edhe pasoja shumë të rënda në aplikimin e demokracisë në Shqipëri. Dyshimet mbi pronësinë, tretja e kufijve midis pushteteve, karakteristikë sinjifikative kjo për një vend me demokraci hibride, kanë çuar dhe po çojnë vazhdimisht në rishfaqjen e formave primitive të ekzistencës së shoqërisë shqiptare, siç është hakmarrja nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, po çojnë në forma moderne, por njësoj të shëmtuara, pra sipas stilit totalitarist, të dhunimit të medias dhe kulturës, si në rastin e gazetës Tema, apo tashmë së fundi, si në rastin e akademisë Marubi.
. . .
Al Gor, ish zëvendës president i SHBA, në misionin e tij ambientalist nuk lë rast pa përmendur eksperimentin me “bretkosën dhe ujin e nxehtë në enë”, për të ilustruar tezën e tij themelore: atë të nevojës së ndërgjegjësimit të njerëzimit për fatkeqësinë që mund t’i vijë nga ngrohja globale dhe mbi këtë bazë, nevojën urgjente për kufizimin e industrive përgjegjëse për çlirimin e gazit karbonik në atmosferë. Eksperimenti hipotetik është i thjeshtë: në qoftë se një bretkosë kërcen brenda një ene të mbushur me ujë të nxehtë, sistemi i saj nervor reagon menjëherë në papajtueshmëri me temperaturën e lartë dhe bretkosa e shpëton veten duke kërcyer përsëri jashtë enës. Por nuk ndodh kështu nëse bretkosa ndodhet në enë dhe dikush fillon të shtojë ujë në të, fillimisht i ftohtë, por që bëhet gjithmonë e më i nxehtë derisa arrin temperaturën vrasëse për bretkosën. Në këtë rast, sistemi nervor i bretkosës ambientohet me temperaturën që vjen e rritet gradualisht dhe prandaj ai nuk është më në gjendje ta bëjë bretkosën të kërcejë jashtë enës. E njëjta situatë mund të ndodhë me njerëzimin, thotë Al Gor. Njerëzit kanë filluar të mësohen gradualisht me ngrohjen globale, sensorët e tyre po mësohen me gjendjen në të cilën industria dhe etja për para kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën e vetë planetit, pra të vetë njerëzimit. Dikush duhet të fusë dorën në enë dhe të nxjerrë bretkosën që andej, pra, dikush, duhet të shpëtojë njerëzimin nga ngrohja globale. Dhe “ky dikush” është ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’i detyruar qeveritë e tyre të frenojnë procesin e ngrohjes globale, makutërinë e fitimit në kurriz të së ardhmes së njerëzimit.
Shqiptarët janë në të njëjtën situatë: ata po mësohen përditë me të keqen dhe gjithmonë e më shumë po bëhet e vështirë ndarja me të. Edhe kriza në të cilën ndodhen shqiptarët, për shkak të të qenit latente, pa zhurmë, por gjithëpërfshirëse, e përhapur përmes elektromagnetikës së varfërisë dhe demokracisë së deformuar, fatkeqësisht squll përditë nervin e shqiptarëve. Ka kohë që qeverisja po e çon këtë vend në drejtimin e gabuar, dhe shqiptarët, ashtu si bretkosa e Al Gor, po bëhen gjithmonë e më të pandjeshëm, me “sensorë” që vdesin përditë, prandaj gjithmonë e më shumë të gatshëm për të pranuar një qeverisje akoma më të keqe, deri në pikën kur vërtet do të jetë shumë vonë.