E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avaria në pus, vdes inxhinieri i naftës

Naftëtarët akuzojnë kompaninë se po u rrezikon jetët për të shtuar vlerën e privatizimit

Një inxhinier humbi jetën dje nga shpërthimi i gazit në një pus nafte në fshatin Kallm të Fierit. Dhimitër Gjeçi, 59 vjeç, u asfiksua bashkë me tre punëtorë, ndërsa punonte për të mbyllur “fontanën” në pus. Një natë më parë, në të njëjtin vend u asfiksua një tjetër naftëtar, i cili rrezikoi seriozisht jetën.

Drejtuesit e kompanisë thonë se pusi ku ndodhi aksidenti është i fondit të ndaluar, ndërsa naftëtarët akuzojnë se manovrat që po bëhen mbi një numër të madh pusesh, me qëllim dhënien e tyre me koncesion, po rrezikojnë gjithnjë e më shumë jetën e punëtorëve dhe të banorëve të zonave naftëmbajtëse.

Avaria

Dhimitër Gjeçi, 59 vjeç, me detyrë kryeinxhinier i sektorit avari-shpëtues, ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksimit në pusin e naftës “Bubullima 14”, që ndodhet në fshatin Kallm të Fierit.
Pusi në fjalë nuk ishte në gjendje pune, por sipas punëtorëve, prej 10 ditësh ishte përfshirë nga shpërthimet e gazit. Punëtorët e sektorit të avari-shpëtimit tregojnë se prej tri ditësh po punohej në këtë pus për të ndaluar daljen e gazit, por pa rezultat. Të enjten në mbrëmje, në afërsi të këtij pusi u asfiksua nga gazi punëtori Fatmir Kamberaj, ndërsa dje në mëngjes, kryeinxhinieri dhe tre punëtorë.

“Kryeinxhinieri ishte bashkë me tre punëtorë dhe befas u rrëzua, sapo iu afrua grykës së pusit. Tre punëtorët e morën veten shpejt, kurse Dhimitri nuk u ngrit më nga vendi”, thanë punëtorët, të cilët pas ngjarjes kanë rrethuar me mjete teknologjike pusin dhe nuk kanë lejuar askënd që t’i afrohet atij.
Drejtori i përgjithshëm, Ferdinand Murati, tha se do të priten hetimet për të përcaktuar përgjegjësit për këtë aksident të rëndë në punë. Paraprakisht ai tha se inxhinieri Gjeçi kishte një eksperiencë të gjatë dhe se kishte zbatuar me përpikmëri masat e mbrojtjes në punë. “Me të gjitha mjetet edhe sot kjo brigadë ka nisur punën për ndalimin e shpërthimit. Ndodhi tragjedia dhe jemi të gjithë të shokuar, pasi masat e sigurisë teknike në punë janë respektuar”, tha për “Shqip” drejtori Ferdinand Murati.

Hetimet

Vdekja e inxhinierit Dhimitër Gjeçi dhe helmimi i rëndë i naftëtarit Fatmir Kamberaj, po hetohen intensivisht nga Policia dhe Prokuroria e Fierit, ndërkohë që edhe kompania “Albpetrol” ka ngritur një grup specialistësh për hetimin e shkaqeve të ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje naftëtarët që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, si edhe disa banorë të Kallmit.

Dhimitër Gjeçi, me detyrë kryeinxhinier, punonte prej më shumë se 35 vjetësh në sektorin e naftës. Edhe naftëtari që rrezikoi jetën të enjten, Fatmir Kamberaj, ka më shumë se 20 vjet punë në këtë sektor. Sektori i avari-shpëtuesve përbëhet nga specialistë të vjetër të kompanisë dhe hetuesit nuk besojnë se shkak i aksidentit të rëndë në punë ka qenë pakujdesia apo mosrespektimi i masave të sigurisë në punë.

Akuza

Pusi “Bubullima 14” ka që nga 25 prilli që ka nisur të nxjerrë gaz dhe ujë. Gazi ka shtrirë rrezen e përhapjes së tij deri në zonën e banuar aty pranë. Banorët ankohen se po ndiejnë pasoja në shëndet, si pasojë e çlirimit në natyrë të gazit. “Edhe në kohën kur këto puse ishin në funksion, nuk ndodhnin shkarkime në këtë masë”, thonë banorët. Edhe banorët, edhe naftëtarët thonë se avaria ka shkaqe njerëzore dhe lidhet me korrupsionin që, sipas tyre, ka përfshirë kompaninë shtetërore të nxjerrjes së naftës. Ata thonë se Kallmi është përzgjedhur si zonë që do t’u jepet me koncesion kompanive private dhe për këtë arsye në puset e zonës po bëhen përpjekje për të rivënë në punë edhe puset e ndaluar. “Kanë ditë që punojnë këtu. Që kur erdhën ata nisi edhe gazi të na pushtojë fshatin”, thotë Jonuz Tashi, banor i Kallmit. Fakti në fjalë pohohet edhe nga naftëtarët, të cilët akuzat i kanë më të rënda, pasi ata thonë se militantët shkatërruan industrinë e naftës në këtë prag privatizimi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›