E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore financon 388 milionë euro kredi për Korridorin 10



Zyrtarë nga Banka Botërore dhe qeveria e Serbisë përfunduan negociatat për financimin e tre seksioneve të korridorit paneuropian numër 10, i cili pritet ta lidhë Serbinë me pjesën tjetër të Europës. Të tri projektet parashikohet se do të kushtojnë 388 milionë dollarë dhe do të financohen përmes kredisë së dhënë nga BB-ja. Martin Humphreys, menaxheri i projektit për BB-në, deklaroi në një konferencë për shtyp se paratë do të hidhen për segmente që lidhin Serbinë me Bullgarinë. Puna pritet të nisë në mes të nëntorit. Kredia do të shlyhet për 20 vjet, duke filluar nga viti i nëntë dhe ka një interes prej 1.6 për qind. Projekti pritet të miratohet nga bordi i drejtorëve të Bankës Botërore në mbledhjen e planifikuar për më 8 korrik, ndërkohë që duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Serbisë. Korridori paneuropian nr.10 pritet të lidhë Europën Perëndimore me Greqinë dhe Turqinë. Në Serbi kalojnë 800 kilometra nga kjo autostradë. Serbia ka planifikuar të ndërtojë 380 kilometra autostrada të shpejtësisë së lartë, 165 kilometra autostrada vendore dhe 255 kilometra rrugë dykalimshe. Korridori 10 është parë si një konkurrent i korridorit paneuropian nr. 8, i cili kalon nga Italia e Jugut në drejtimin Durrës-Stamboll. Korridori 8 ka mbetur ende në nivel superstrade me rrugë dykalimshe, me përjashtim të disa segmenteve të vogla në Maqedoni e Bullgari.

Tregu valutor, Leku fiton disa pikë ndaj euros dhe dollarit

Leku shqiptar fitoi 0.98 për qind vlerë kundrejt euros gjatë javës së fundit, duke shënuar periudhën e parë pozitive në shumë muaj, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Një euro kushtoi dje 131.69 lekë, sipas kursit fiks të publikuar nga BSH-ja. Në fillim të qershorit leku shënoi vlerën më të ulët në pesë vite, kur një euro kushtoi 133.0 lekë. Leku është sot në kuotën më të lartë në 1 muaj. Operatorët e tregut të këmbimit valutor gjenden mes spekulimeve se fillimi i sezonit turistik dhe kthimi i emigrantëve mund të sjellë forcim të lekut. Shumë tregtarë të valutës janë duke u përgatitur për të mos u gjendur në anën e gabuar, në rast se leku forcohet. Zakonisht leku ka fituar dy-tre për qind të vlerës gjatë periudhës së verës dhe i ka humbur gjatë pranverës dhe vjeshtës. Luhatshmëritë sezonale janë përsëritur pothuajse rregullisht gjatë dekadës së fundit.

15 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›