E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore i jep “ÇEZ”-it 60 milion euro garanci për privatizimin e OSSH-së



Banka Botërore nëpërmjet një fondi garancie prej 60 milionë eurosh do t'a ndihmojë OSSH-në, të investojë në rrjetin e energjisë elektrike, si dhe të përmirësojë situatën e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët në periudhën afatmesme. Garancia jepet me një qëllim të vetëm: Nëse shteti shqiptar i rrëzon OSSH-së së privatizuar, kërkesën për t’i rritur qytetarëve dhe biznesit çmimet në faturat e dritave, të mbulohet kjo “humbje”, për të shmangur ndonjë faliment të mundshëm, siç ka ndodhur në vende të hyra kohët e fundit në Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim dje u nënshkrua marrëveshja e garancisë me BB-në për garantimin e projektit të privatizimit të OSSH-së, nga ministri Ridvan Bode. Ministri pohoi se kjo marrëveshje është pjesë e kontratës së shitjes së aksioneve të OSSH sh.a. që është miratuar tashmë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Ajo çfarë BB-ja ka marrë përsipër të garantojë financiarisht dhe me reputacionin e saj, është fakti që Republika e Shqipërisë dhe organet e saj shtetërore, do të respektojnë rregullat që tashmë janë të miratuara dhe pjesë e legjislacionit shqiptar. Ministri i Financave, Bode theksoi se kjo kredi nuk shkakton asnjë kosto për buxhetin e shtetit. “Por kjo,- shtoi ai, -deri në momentin kur do të vërtetohet se pala shqiptare, qeveria, do të respektojë në mënyrë rigoroze deklaratën rregullatore të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike dhe qeveria shqiptare angazhohet me këtë rast që të respektojë këtë deklaratë rregullatore në mënyrë që e gjithë kjo kredi prej 60 milion euro të mos përdoret për të tilla veprime, por të jetë për t’u përdorur për modernizimin e sistemit energjetik në tërësi”. Marrëveshja u përshëndet edhe nga përfaqësuesja e zyrës së BB-së në Tiranë, Greta Minxhozi, e cila konsideroi se kjo do të garantojë përmirësimin e mëtejshëm të situatës energjetike në Shqipëri. Kontratat e lidhura për këtë garanci, parashikojnë që një bankë tregtare (City Bank), e zgjedhur me procedurë konkurruese në bashkëpunim me BB-në do të hapë një Letër Kredi (Letter of Credit) në favor të OSSH sh.a. Nëse ERE nuk respekton Deklaratën Rregullatore të miratuar dhe ky vendim i shkakton një humbje kompanisë së shpërndarjes, atëherë kjo e fundit ka të drejtë të mbuloje humbjen nga LC. Kontratat parashikojnë gjithashtu në hollësi, se për cilat raste mund të paraqiten kërkesa për humbje që do të mbulohen nga LC dhe afatet për paraqitjen e këtyre kërkesave. Ky instrument është përdorur me sukses nga BB-ja në eksperienca të ngjashme dhe mendojmë që do të ndihmoje pozitivisht në zbatimin e suksesshëm të këtij privatizimi në vendin tonë. Më datë 11 prill 2009, u firmos marrëveshja e shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE-s dhe kompanisë çeke “ÇEZ”. Kjo marrëveshje, si një nga kushtet e efektivitetit të saj, ka dhe efektivitetin e Garancisë Pjesore te Riskut (Partial Risk Guarantee) që lëshohet nga BB-ja. Nëpërmjet këtij mekanizmi, synohet të garantohet risku rregullator i biznesit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në 5 vitet e ardhshme.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›