E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia e rrugës Durrës-Kukës, ministri Bode pranon interesat e larta 11 për qind



Ervin KOÇI

Qeveria ka justifikuar kredinë 250 milion euro për rrugën Durrës-Kukës me interesa të larta prej 11 për qindësh, si domosdoshmëri për ekonominë e vendit. Pjesa më e madhe e kredisë, e cila do ti kushtojë shtrenjtë shqiptarëve do të shkojë për segmentin rrugorë Rrëshen-Kalimash, që sipas premtimeve të qeverisë duhet të përfundojë në fund të muajit qershor. Ministri i Financave Ridvan Bode, ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp se, kreditë e shtrenjta janë pasojë e situatës së vështirë në tregun ndërkombëtarë, por janë të nevojshme për Shqipërinë, pasi duhet të injektohen para në qarkullim. “Niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuash kurrë nëse u mor shtrenjtë apo lirë. Kjo kredi është diskutuar edhe me FMN-në dhe me sugjerimi i tyre ka qenë e rëndësishme sot është nëse ju do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtarë përbën një sukses shumë të madh. Nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilin e merrni pasi sot nuk ofrohen para”- u shpreh ministri i Financave, Ridvan Bode. Qeveria shqiptare ka arritur të sigurojë deri tani 95 milion euro kredi nga bankat ndërkombëtare, me interesat më të larta të marra ndonjëherë, 9 për qind plus euribor, çka do të thotë që interesi arrin në 11 për qind. Por ministri Bode ka garantuar se norma e interesit të kredisë mund të ndryshojë pas një viti, në rast se tregu bankarë do të reflektojë ulje të kostove. Hedhja në treg e kësaj valute pritet të ndikojë në stabilizimin e kursit të këmbimit, ku që prej fillim vitit monedha evropiane ka mbetur në kufijtë e 130 lekëve.

Ekspertët

Por krejt ndryshe mendojë ekspertët e ekonomisë në vend. Ata shpjegojnë se kredia e 250 milion eurove që do të përdoret për rrugën Durrës-Kukës, nuk do të kenë ndonjë ndikim pozitiv për ekonominë e vendit dhe se ajo merret pasi qeveria po has vështirësi në realizimin e investimeve të planifikuara. “Nevoja e një huamarrje të tillë është e lidhur me emergjencat që ka buxheti i shtetit. Për rrjedhojë është e lidhur me afatet, objektivat, strategjitë dhe emergjencat që ka projektuar qeveria dhe nuk mund ti zgjidhë. Nuk jam i sigurt nëse kjo huamarrje do të prodhojë një rritje ekonomie të begatë që të justifikojë normën e lartë të interesit”,- deklaron eksperti i ekonomisë, Sherif Bundo. Qeveria duhet të tregojë kujdes me shpenzimet, në kushtet kur të ardhurat në buxhetin e shtetit po pësojnë rënie si pasojë e krizës globale.

Pakti

Marrëveshja e arritur tre ditë më parë me katër banka për të marrë hua 95 milionë, me interes rreth 11 për qind, tregon edhe një herë nevojën e qeverisë për para, edhe pse pretendon se i ka realizuar të ardhurat në buxhet në masën 100 për qind. Nga marrëveshja, gazeta zbulon të tjera detaje që nuk duken aspak në favorin tonë. Kështu, përveç interesit tepër të lartë në krahasim me tregun e brendshëm, bankat do t‘i mbajnë qeverisë 2 për qind mbi shumën, si menaxhim kredie, përfshi dhe 0.75 për qind tarifa sindikatë. Në total, janë rreth 2 milionë euro që i zbriten shumës 95 milionë, si pasojë e kushteve të vendosura nga bankat. Ministria e Financave argumenton se marrëveshja ka disa avantazhe lehtësuese në pagimin e kredisë, ndërsa i cilëson negociatat të suksesshme, në një kohë kur asnjë vend i rajonit nuk ka mundur të marrë kredi në terma tregtare.

Termat

Kredia është me maturim trevjeçar, por që i jep të drejtën Shqipërisë ta shlyejë para kohe, duke filluar pas një viti nga disbursimi. Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi euribor plus marzhi prej 9.65 për qind. Komisioni i menaxhimit të kredisë është 2 për qind e shumës së disbursuar dhe tarifa sindikale është 0.75 për qind. Ministria e Financave theksoi dje se "interesi është disi i lartë, por në përputhje me interesat e tregut dhe më i ulët sesa interesat që u ofrohen vendeve me profil risku të ngjashëm me të Shqipërisë". Vetë Shehu sqaron se qeveria ka shmangur detyrimin për të paguar mbi 10 milionë euro kosto interesi nga shlyerja e parakohshme, krahasuar me standardet e tregut.

PS: Rritja e borxhit publik, pasoja të rënda për ekonominë e vendit

Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit më të fundit të qeverisë për marrjen e kredisë për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha se rritja e borxhit publik do shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Ajo do të ketë një kosto të madhe në të ardhmen për tu shlyer. “Rritja e borxhit publik dhe e interesave të borxhit, do të përkeqësojë vlerësimin e vendit në të ardhmen dhe çdo kredi tregtare nesër do të jetë e rëndë. Justifikimi i qeverisë, se marrja e kredisë ndihmon bankat vendase të japin kredi për shqiptarët, është demagogji. Kredia për shqiptarët është bërë më e rëndë, më e vështirë dhe me interesa më të larta edhe pse qeveria ka rritur interesat për borxhin që ajo vetë merr për shpenzimet elektorale në rritje”,- tha Malaj. Sipas tij, “shumë abuzues është fakti që në 53 lek në 100 lekët të këtij borxhi nuk shkojnë për të financuar rrugën, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese”. Malaj shtoi se, kjo kredi është e panevojshme në një kohë që qeveria thotë se është me tejkalim të ardhurash.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›