Banka Botërore ndihmë për sektorin financiar
Banka Botërore në sajë të një projekti të saj po ndihmon në modernizimin e sektorit financiar në vend. Më shumë se njëqind ekspertë bankarë nga institucionet publike dhe nga bankat tregtare, po punojnë së bashku për hartimin e rregullave dhe të praktikave, për një sistem financiar modern dhe eficient në Shqipëri. Këta ekspertë punojnë nën drejtimin e “SPI Albania”, një partneritet për modernizimin e sektorit financiar, i krijuar në vitin 2008 nga Banka e Shqipërisë dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, me qëllim lehtësimin e bashkëpunimit të ekspertëve shqiptarë, gjatë procesit të përgatitjes për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rajoni i Pulias dhe Programi i Konvergjencës i Bankës Botërore (i financuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Republikës Italiane) kanë dhënë një mbështetje financiare dhe teknike të çmuar për fillimin e këtij partneriteti. Takimit tremujore të Komitetit të SPI-së drejtohen nga Zëvendësguvernator i Parë i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi. “Së bashku me kolegë nga ministri dhe agjenci të tjera, si dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, ne shqyrtojmë progresin e ekspertëve tanë në përgatitjen e propozimeve për reforma. Në çdo diskutim, ne zhvillojmë biseda informale mbi gjetjet e ekspertëve dhe përpiqemi t’i ndihmojmë ata në arritjen e konkluzioneve, të cilat do të kenë një impakt praktik mbi jetën e qytetarëve shqiptarë”, është shprehur ai. Sipas tij, SPI Albania ka krijuar një hapësirë të re, ku ekspertët tanë mund të bashkëpunojnë për të ndihmuar Shqipërinë në përgatitjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Sekretariati i SPI-së ka qenë një organizues i shkëlqyer. Grupet e Punës gjithashtu, ka bërë një punë mjaft cilësore. Kjo më jep shpresën, se ne po zhvillojmë aftësi për realizimin e punëve, të cilat më parë kryheshin përgjithësisht nga ekspertë ndërkombëtarë”, ka theksuar Ibrahimi. Ndërsa për kryetarin e sapozgjedhur të shoqatës shqiptare të bankave Catalano, SPI Albania ofron dy përparësi unike, të cilat një shoqatë nuk i gëzon. “Së pari, ajo gëzon kredibilitet për arritjen e një konsensusi të gjerë me autoritetet, lidhur me propozime për reforma prioritare, mbi të cilat komuniteti ynë duhet të punojë. Së dyti, ajo gëzon aftësitë organizative për mobilizimin e shumë ekspertëve nga Banka e Shqipërisë dhe nga ministri të tjera, përvoja dhe gjykimi i të cilëve janë mjaft të rëndësishme për përgatitjen e propozimeve të vlefshme për reforma, me qëllim krijimin e një klime më të mirë biznesi”, ka thënë ai.