Kosovë, ish-pjesëtarët e TMK-së në protesta
Ish-pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës kanë protestuar dje përpara ndërtesës së ish-Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së. Ata tentuan të hynin me dhunë në objektin ku së shpejti do të vendoset Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me dorëheqjen e ministrit të Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, komandantit të kësaj force gjenerallejtënant Sylejman Selimi dhe rishikimin e procesit të seleksionimit dhe rekrutimit të pjesëtarëve të TMK-së. Protestuesit më pas u shpërndanë të qetë. Protesta për shprehjen e pakënaqësive nga pjesëtarët e TMK-së ishte paraparë të ishte e qetë, por situata u tensionua dhe protestuesit iu afruan objektit të FSK-së për të hyrë brenda duke konstatuar se krerët e FSK-së duhet të japin dorëheqje. Numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës iu shtuan edhe përfaqësues të njësisë speciale, të cilët mbanin rend para objektit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, megjithatë në vend ishin të pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të KFOR-it. Në mesditë, protestuesit u shpërndanë të qetë duke bërë të ditur se do të bëjnë publike hapat e mëtejshme të organizimit. Kërkesa për hyrjen në FSK ka edhe nga banorët serbë, të cilët e shohin atë si mundësi punësimi. Liderët serbë të Kosovës u kanë bërë thirrje bashkëqytetarëve që sa më shpejt të rekrutohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Një grup të rinjsh serbë i dërguan një ultimatum ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, që nëse qeveria e Beogradit nuk u gjen punë ashtu siç u kishte premtuar, ata do të rekrutohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përfaqësuesi i serbëve të Rahovecit, Milorad Shoriç, u shpreh për agjencitë serbe të lajmëve se këta të rinj për shkak të kushteve të rënda ekonomike kanë paralajmëruar se do të futen në FSK dhe në Policinë e Kosovës ku është hapur një konkurs për 15 policë nga komuniteti serb. Partitë politike serbe që veprojnë në Kosovë janë pro inkuadrimit të këtij komuniteti në FSK. Kreu i Partisë Liberale të Pavarur, Slobodan Petroviç, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të rekrutohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ai ka thënë se është më mirë të jenë pjesë e FSK-së se sa të mbesin jashtë saj.
24 Shkurt 2009