Punimet në nënstacion, ja zonat pa energji
Energjia elektrike do të mungojë sërish sot në disa zona periferike të kryeqytetit. Burime pranë operatorit të sistemit të transmetimit shprehen se si pasojë e punimeve në linjën 104/1, nuk do të ketë drita në disa zona periferike. Konkretisht zona e Saukut të poshtëm, Saukut të sipërm dhe përreth liqenit artificial nuk do të kenë energji elektrike nga ora 09:00 deri në orën 15:00. Herë pas here, OST dhe OSSH kryejnë punime në nënstacione të ndryshme elektrike apo në linjat e tensionit të lartë, punime të cilat shoqërohen me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve, me uljen e temperaturave, kërkesa për energji është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga korporata elektroenergjetike, konsumi i energjisë ka arritur në 22.2 milionë kilovat orë, nga kjo gati 20.3 milionë kilovat orë është prodhim vendas. Rritja e prodhimit vendas të energjisë ka ardhur si pasojë e situatës së mirë hidrike në kaskadën e Drinit.