Durrës-Prishtinë, pala kosovare gati të nisë rrugën
Fabiola Çela
Punimet në segmentin rrugor Durrës-Kukës kanë përfunduar në masën 75 për qind. Ndërsa për sa i përket tunelit, që është edhe pjesa më e vështirë e këtij projekti, ka mbetur vetëm 600 metra pa përfunduar. Ministri i Punëve Publike dhe homologu u tij kosovar Fatmir Limaj kanë inspektuar dje punimet në rrugën Durrës-Kukës. Gjatë prononcimit të tij për media, ministri Olldashi ka garantuar edhe një herë se ky projekt do të përfundojë në qershor. “Rruga po progreson në termat kohorë të përcaktuar dhe kështu do të vazhdojë deri në muajin qershor. Kjo rrugë është një korridor shumë i rëndësishëm, si për Kosovën dhe Shqipërinë, ashtu dhe për rajonin”, u shpreh Olldashi. Ndërkaq ministri Limaj deklaroi se është qeveria e Kosovës ka në plan që të nisë ndërtimin e pjesës kosovare të rrugës, kostoja e së cilës vlerësohet të jetë deri në një miliard euro. “Rruga është e një rëndësie të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën”, u shpreh Limaj.
Rruga
Kompania “Bechtel-Enka” po punon në të gjithë gjatësinë e rrugës, 60 km. Puna vazhdon në të 27 urat, prej të cilave, në 16 ura ato kanë përfunduar. Në dhjetor 2008 përfundoi edhe ura më e lartë në segmentin e tretë prej 80 m, e quajtur ura 88 në krahun verior të tunelit. Kompania “Bechtel-Enka” po punon njëkohësisht në të dy hyrjet e tunelit, veri dhe jug paralelisht. Në këtë aks punojnë mbi 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme.
Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Evropës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës.
Porti
Po dje, dy ministrat Olldashi dhe Limaj kanë vizituar edhe portin e Shëngjinit, i cili me përfundimin e rrugës Durrës-Kukës merr një rol parësor dhe strategjik, duke i ofruar Kosovës dalje në det. Vetëm dy ditë më parë, tre ministra të qeverisë së Kosovës i paraqitën Kryeministrit Berisha vendimin e qeverisë së Kosovës për të hapur bisedimet rreth portit të Shëngjinit, për të cilin qeveria e Kosovës ka ngritur një grup ndërministror. “Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës ndodheshin në Shqipëri për t`i dorëzuar Kryeministrit Berisha letrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një grupi ndërministror të përbashkët për të shqyrtuar procedurat për ndërtimin e një porti në Shqipëri, që do të ketë destinacion Kosovën. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave, lidhur me takimin e Kryeministrit Berisha me ministrat Fatmir Limaj, Ahmet Shala dhe Lutfi Zhargu.