Rama: “Djegja e fletëve të votimit, në kundërshtim me interesat e vendit”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, në një konferencë për shtyp, ka ironizuar deklaratën e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për djegien e fletëve të votimit. Sipas tij, në këtë pushtet po digjen vende pune dhe jo fletë votimi. Por, asgjësimi i fletëve të votimit për Ramën është një vendim që bie në kundërshtim me interesat e vendit. Sipas tij, reagimi i pushtetit dhe i të gjitha strukturave të pushtetit vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e vendit, me interesat e njerëzve dhe me interesat e vetë atyre. Ai vijoi se qeveritarët, me pushtetin e tyre po hapin një hendek përditë e më të madh mes vetes dhe njerëzve, mes interesave të vendit dhe të njerëzve dhe interesave të papërputhshme që i shtyjnë këta keqqeverisës në rrugën pa krye të rrënimit demokratik dhe ekonomik të vendit. “Komenti im është i thjeshtë, s’ka asgjë për t’u çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune. Në Shqipëri po digjen përditë ëndrra dhe shpresa njerëzish që nuk arrijnë dot fundin e muajit. Në Shqipëri po digjen përditë shanse dhe rrugë për të dalë nga një krizë që është pazgjidhshmërisht politike dhe ekonomike”, - u shpreh Rama. Ndërsa nga ana tjetër, kreu i PS-së deklaroi se protestat e opozitës nuk do të ndalen derisa të arrihet transparenca e zgjedhjeve.
Protestat
Kreu i selisë rozë saktësoi se protestat janë për të refuzuar keqqeverisjen e vendit. Rama tha se protestat janë në rendin e ditës për të refuzuar forcën e errësirës, ku mbahet peng e vërteta e zgjedhjeve të shkuara. Sipas tij, protestat janë instrumenti në duart e popullit për të ndalur një të tatëpjetë e cila mund të bëhet e pandalshme, për shkak se makinës së ekonomisë i janë hequr të gjitha ato elemente sigurish dhe garancish që garantojnë atë stabilitet të domosdoshëm pa të cilin një ekonomi është përditë e rrezikuar. “Pas 30 prillit vjen 1 maji, dhe në 30 prill, më 1 Maj, më 2 maj e më 3 maj dhe në majin në vazhdim ne do të jemi në protestë, do të jemi me të papunët, do të jemi me më të varfrit, me të pambrojturit, do të jemi me ata që vuajnë mungesën e konkurrencës në të gjitha rrugët ku garantohet mirëqenia e gjithsecilit në demokraci. Do të jemi me mësuesit, mjekët, infermierët, do të jemi me këdo, sepse të gjithë në këtë vend janë sot në kushtet e protestës, nga qyteti në fshat, nga intelektuali te fermeri, nga ai që duhet të punësojë apo të mbajë në punë familje të tëra si sipërmarrës dhe detyrohet t’i largojë, sepse qeveria nuk i paguan kontratat që ka me të, apo sepse në kushtet e ngushtimit të ekonomisë nuk ka mundësi të marrë frymë vetë, deri tek ai që është individualisht i papunë”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se “për të gjitha këto arsye ne do të jemi në protestë dhe nuk mund të presim asgjë tjetër nga kjo qeveri, e cila buron jo prej vullnetit të popullit, por nga grabitja e votës, përveçse papunësi dhe festa. Ndërkohë që për ne rruga është e qartë dhe objektivi është po kaq i qartë”.
Kriza ekonomike
Gjatë konferencës Rama ka shprehur shqetësimin në rritje për krizën ekonomike. Sipas tij, ekonomia shqiptare është mbyllur njësoj si votat e shqiptarëve, në kutitë hermetike të mungesës së transparencës. “Shifrat e publikuara zyrtarisht janë shifra të manipuluara për të krijuar te njerëzit një pamje të rreme, në pamundësi për të kuruar nëpërmjet qeverisjes plagët e rënda që po shkojnë duke u hapur përditë drejt një demokracie në rrezik. Edhe e vërteta e së tashmes shqiptare në të gjitha shifrat e ekonomisë, në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të njerëzve, që në këtë situatë ekonomike ndjehen përditë e më të pasigurt, janë përditë e më të papunë dhe përditë më të pafuqishëm përballë çmimeve që rriten e rriten çdo ditë”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “jetojmë në një demokraci dhe në një ekonomi të rrezikuar. Ky është fakti dhe s’ka nevojë të argumentojmë dhe kundërargumentojmë mes palësh politike, sepse këtë fakt e ndiejnë përditë shqiptarët në xhepat e tyre, në tryezën e bukës së familjes së tyre, me shpenzimet gjithmonë e më të pamundura që duhet të bëjnë për të përballuar muajin dhe ekzigjencat e gjithë anëtarëve të familjes”. Gjithashtu, sipas Ramës, shifrat reale të papunësisë janë rrëqethëse, shifrat reale të të ardhurave janë rrëqethëse.
Axhenda
Protestat e Partisë Socialiste nuk do të shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë do të jetë ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë.
Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” nuk do të lërë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Axhenda përfundimtare e protestave ende nuk është gati, por burime në selinë rozë bëjnë të ditur se qëndrimi përpara Kryeministrisë do të zgjasë për disa ditë, duke nisur nga e premtja e 30 prillit. Nuk është e qartë nëse projekti i socialistëve për të qëndruar në protestë edhe në 1 apo 2 maj, pasi do të ndikohet nga festa e demokratëve e planifikuar më 1 Maj.
Kume: “Politika ta marrë seriozisht çështjen e amendimit të Kodit Zgjedhor”
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, deklaroi dje në një prononcim për mediat se dekretimi i datës nga Presidenti në gusht duhet të vërë në alarm politikën për një tjetër çështje, amendimin e Kodit Zgjedhor. “Ajo çka unë shoh me afrimin e datës së dekretimit të zgjedhjeve është nga njëra anë detyrimi i klasës politike për të përgatitur infrastrukturën ligjore, pra për të bërë strukturën e nevojshme në Kodin Zgjedhor”, - tha Kume. Për ish-numrin një të KQZ-së, asgjësimi i fletëve të votimit është një zgjidhje e ligjshme. Ai tha se ndonëse e kishte shmangur aq sa mundi, KQZ-ja nuk mundi ta shtynte pa fund djegien e fletëve të votimit. “Ky mosveprim nuk mund të zgjasë pambarimisht në kohë. Ne nuk kemi luksin që për hir të këtij ngërçi, për hir të pazotësisë, për hir të impotencës së klasës politike për ta zgjidhur problemin, të investojmë për të blerë 6 mijë apo më shumë kuti të tjera dhe këto t’i mbajmë ashtu të paprekura”, - tha Kume.
Harxhi në Romë gjen përkrahje për liberalizimin e vizave
Zv. ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, në kuadër të një vizite zyrtare në Romë u prit dje nga nënsekretari i Punëve të Jashtme Italiane, senatori Alfredo Mantika. Gjatë këtij takimi, bëhet me dijeni se u bisedua për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, çështje të bashkëpunimit dypalësh, këto edhe në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, në Tiranë, më 12 prill. Por palët kanë diskutuar edhe mbi procesin e liberalizimit të regjimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal, si edhe për çështje të tjera. “Vizat janë një çështje me një rëndësi tepër të veçantë për qytetarët shqiptarë”, - u shpreh Harxhi, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur, tashmë, standardet teknike për finalizimin e këtij procesi.
Ajo mori konfirmimin e nënsekretarit të Jashtëm italian se Italia ka mbështetur dhe vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces, i cili pritet të përmbyllet së shpejti si dhe rikonfirmoi qëndrimin e Italisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, Harxhi e siguroi homologun italian në lidhje me mbështetjen e Shqipërisë për rilançimin e Nismës Adriatiko-Joniane dhe krijimin e një makro-strategjie europiane për rajonin e Adriatikut të Jonit. Ndërsa në lidhje me çështjen e Kosovës, të dy bashkëfolësit ndanë të njëjtin mendim në lidhje me faktin se pavarësia e Kosovës është një rrugë e pakthyeshme dhe se tashmë Kosova është një vend që po bën hapa përpara. Në fund, u bë me dijeni se nënsekretari i Jashtëm italian, Alfredo Mantika, do të
3 Prill 2010