E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme: Liberalizim vizash nuk do të thotë kërkesë për punë e azil



Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, EMA, organizuan dje në Hotel Tirana Konferencën me titull “Liberalizimi i vizave: Çfarë nënkupton në të vërtetë?”. Konferenca kishte si qëllim hapjen e fushatës informuese të qeverisë shqiptare rreth domethënies së procesit të liberalizimit të vizave.
Në konferencë morën pjesë Gazmend Turdiu, kryenegociator i palës shqiptare për liberalizimin e vizave dhe sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili vuri në dukje se Shqipëria ndodhet në hapat përmbyllës të procesit të liberalizimit të vizave dhe se pjesë e tij është edhe angazhimi për t’i informuar të gjithë qytetarët shqiptarë rreth të drejtave dhe detyrimeve që ata kanë në kuadër të këtij procesi. Turdiu theksoi se kjo fushatë do të jetë e mirorganizuar dhe koordinuar nga qeveria shqiptare, duke synuar shpërndarjen e informacionit te çdo qytetar shqiptar, deri në zonat më të largëta të vendit. Duke mirëpritur dhe uruar që të gjithë shqiptarët të shijojnë sa më shpejt frytet e regjimit pa viza me BE, njëkohësisht u bë thirrje për të treguar maturi dhe respekt ndaj të drejtave dhe detyrimeve që sjell liberalizimi i vizave. Sipas tij, liberalizim vizash nuk do të thotë kërkesë në vendet “Shengen” për punësim apo për azil politik, pasi nëse bëhet një kërkesë e tillë nuk do t’u pranohet.
Në këtë konferencë u ofruan dhe pikëpamjet dhe mendimet e aktorëve të tjerë të interesuar dhe përfshirë në këtë proces, duke rënë dakord se ai është drejt fundit dhe se bashkëpunimi ndërmjet strukturave qeveritare dhe shoqërisë civile do të vazhdojë deri në fund të procesit.

Harxhi zhvillon një vizitë zyrtare në Romë, bisedohet për regjimin e vizave

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, në kuadër të një vizite zyrtare në Romë, zhvilloi një takim dypalësh nga nënsekretari i Punëve të Jashtme i Republikës italiane, senatori Alfredo Mantica. Gjatë takimit, i cili ishte tepër i hapur dhe miqësor, u bisedua për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, çështje të bashkëpunimit dypalësh në prag të vizitës së ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini në Tiranë, më 12 prill 2010, procesin e liberalizimit të regjimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal, si edhe për çështje të tjera.
Pikë kyçe e bisedës ndërmjet dy homologëve ishte çështja e liberalizimit të regjimit të vizave për Shqipërinë. “Kjo është një çështje me një rëndësi tepër të veçantë për qytetarët shqiptarë”, – u shpreh zonja Harxhi, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur, tashmë, standardet teknike për finalizimin e këtij procesi. Ajo mori konfirmimin e nënsekretarit të Jashtëm italian se Italia ka mbështetur dhe vazhdon të jetë mbështetësi kryesor i Shqipërisë në këtë proces, i cili pritet të përmbyllet së shpejti, si dhe rikonfirmoi qëndrimin e Italisë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vijim u fol për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të Punëve të Jashtme, në zbatim të dokumentit të partneritetit strategjik të firmosur nga dy kryeministrat në muajin shkurt të këtij viti, si dhe gjetjen e formave konkrete të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, sidomos në fushën e energjisë. Nënsekretari i Jashtëm italian, Alfredo Mantica, do të vizitojë Tiranën gjatë një turi në rajonin e Ballkanit, në datën 27 prill 2010.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›