Banka Botërore përjashton një kompani shqiptare nga projektet e saj
Banka Botërore ka përjashtuar një kompani shqiptare për tre vite nga të gjitha projektet e saj. Kjo ka ardhur pasi BB-ja ka zbuluar se kjo kompani është e përfshirë në afera ilegale, dhe ka kërcënuar se do të kërkoj një aleancë internacionale të bankave për dëbimin e kompanisë. “Dëbimi mund të reduktohet në dy vite pasi të implementohet një programi efektiv”,- ka deklaruar Banka në një komunikat për shtyp nga Uashingtoni. Sipas njoftimit të BB-së, “Elkri” (emri i kompanisë) është një kompani ndërtimi nga Saranda, e cila kishte aplikuar që të punonte si kontraktuese në punët që kishin të bënin me kanalizimet ujore në qytetet e Durrësit, Fierit, Lezhës dhe në Sarandë gjithashtu. Por Banka Botërore ka nisur një “gjueti” antikorruptive duke bërë një kontroll të detajuar të të gjitha firmave dhe kompanive që kanë përfituar projekte të ndryshme të financuara prej saj.
Vendimi
Ky veprim i Bankës Botërore nuk është bërë për herë të parë. Në disa raste ndaj kompanive shqiptare BB-ja ka ndaluar dhënien e kontratave të kompanive, në një kohë që edhe tani ajo përballet me një situatë të ngjashme. "Ky veprim zbatohet për t’i dërguar një sinjal shumë të fuqishëm, si një reagim global, kundër korrupsionit”,- ka deklaruar Leonard Mcarthy, president i Bankës Botërore. Banka është pjesë e një marrëveshjeje që i përket muajit prill 2010, përmes së cilës banka të mëdha multilaterale të zhvillimit në botë, kanë fituar të drejtën për të pezulluar kompani kontraktuese që financohen prej tyre, në rast se ato përballen me bllokime të ngjashme nga institucionet e tjera shtetërore. Më herët, Banka Botërore ka pezulluar edhe një biznes jo të madh në Oregon të SHBA-ve pasi pronari i tij për 12 vjet kishte përfituar nga kontratat dhe fondet që jepte BB-ja. “International Kwaplah Trading Co Inc”, që është dhe emri i kompanisë amerikane, është pezulluar për korrupsion dhe mashtrim në lidhje me punën e tij të financuar nga Banka Botërore. Këto projekte zhvilloheshin në të gjithë Afrikën dhe në Ukrainë. Ky pezullim është i dytë më i gjati që Banka Botërore ka bërë që kur filloi sanksionimin e firmave dhe kompanive të dyshuara për mashtrim dhe korrupsion që nga viti 1999.
Përsëritja
BB-ja ka ndëshkuar edhe në gush të këtij viti dy kompani të tjera shqiptare për shkeljet e bëra gjatë realizimit të tenderimeve të prokuruara prej saj. Burimet zyrtare të Bankës në Uashington bënë të ditur se dy firmat e penalizuara janë: “Rinia SK sh.p.k.” dhe “DEA DHV sh.p.k.”, të cilat janë pezulluar për një afat të përcaktuar kohor për të mos marrë pjesë në tenderimet që organizon kjo bankë në vendin tonë. Njëra prej tyre, “DEA DHV”, është penalizuar për 3 vjet me radhë edhe nga Agjencia e Prokurimeve Publike dhe deri më 24 janar 2011 nuk ka të drejtë të marrë pjesë në asnjërin prej tenderëve shtetërorë. Edhe dy kompanitë “Rinia SK sh.p.k.” dhe “DEA DHV sh.p.k.”, ashtu si ajo e djeshmja “Elkri” kanë qenë të regjistruara dhe kryenin aktivitetin e tyre ekonomik në qytetin e Sarandës. Penalizimi erdhi pasi ato rezultuan që të kenë shkelur kontratën e nënshkruar nga palët. Për një periudhë 2-vjeçare asnjëra nga këto kompani nuk do të lejohet që të përfitojnë asnjë tender nga ky institucion financiar. Vendimi për penalizimin e këtyre dy firmave shqiptare u mor nga Bordi i Sanksioneve të BB-së, pas hetimeve që bëri njësia e investigimit INT. Dy firmat kishin realizuar një projekt të financuar nga Banka Botërore në Sarandë para pak vitesh.
Problemet
Penalizimi që u bëhet firmave tona nga Banka Botërore nuk është një praktikë e re. Edhe në vitin 2006 u ndëshkuan tri firma të tjera për realizimin e financimit të projekteve në ngritjen e rrjeteve kulluese në disa rrethe të vendit. Po ashtu, disa nga projektet e zbatuara së fundi nga Banka janë vënë në qendër të hetimeve të vetë strukturave të saj. Projekti për menaxhimin e integruar të bregdetit të Jugut ishte njëri prej tyre.
Shkurt////////////////////////////////
Raporti i Bankës Botërore: Përkeqësohet klima e biznesit në Shqipëri
Raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2011”, vëren se reformat për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, gjatë këtij viti janë ndalur. Raporti i cili mbulon periudhën qershor 2009-maj 2010 thotë se, “Shqipëria ka bërë vetëm një reformë për të përmirësuar klimën e biznesit, e cila ka të bëjë me disa lehtësime në procedurat e pagesës së taksave”. Për rrjedhojë vendi jo vetëm që nuk e ka përmirësuar pozicionin e tij në renditjen e përgjithshme, por e ka përkeqësuar atë duke zbritur një vend më poshtë në renditje, krahasuar me vitin e kaluar. Shqipëria klasifikohet nga BB-ja si, vendi i 82 më interesant për të bërë biznes në listën e 183 ekonomive botërore. Sipas Bankës Boterore, Shqipëria ka avantazhe në procedurat e thjeshtuara dhe kohën e shkurtër të regjistrimit të bizneseve, aksesin në kredi dhe mbrojtjen që u ofron investitorëve. Por problematike mbeten mbyllja e bizneseve, për të cilat BB-ja e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në listën e 183 ekonomive botërore. Dy pengesa të tjera për biznesin sipas Bankës janë, pagesat e komplikuara të taksave dhe lejet e ndërtimit, për të cilat Shqipëria renditet respektivisht në vendin e 149 dhe atë të 170 në botë. Në rastin e pagesës së taksave, bizneseve në Shqipëri u duhet të harxhojnë më shumë se 360 orë në vit për të mbyllur procedurat me autoritetet tatimore. Ndërsa me lejet e ndërtimit, në Shqipëri një biznesi i duhen 331 ditë për të siguruar një leje dhe për këtë duhet të paguajë një çmim që është sa 3.8 herë e të ardhurave mesatare për frymë. Kreu i klasifikimit mbahet nga tripodi Singapor, Kinë dhe Zelandë e re, ndërkohë që afër qendrës së klasifikimit ndodhet Shqipëria dy vende poshtë Italisë dhe shumë pozicione mbi Greqinë, Kroacinë dhe Serbinë. Për sa i përket këtyre elementëve vendimtarë në hapjen e një biznesi, Shqipëria paraqitet e dobët dhe pa konkurrueshmëri në 3 pika si mbarëvajtja e lejeve të ndërtimit ku përfaqësohet me vendin e 170. Ndërkohë elemente të cilat na rendisin në pozicione mesatare, por që anojnë nga pesimizmi dhe kanë nevojë për reforma thelbësore, janë hapja e biznesit, regjistrimi i pronës, tregtia me jashtë dhe legjitimiteti i kontratave, ku përfaqësohemi respektivisht me vendin e 45, 72, 75 dhe 89.
6 Dhjetor 2010