Permbytja ne Shkodër, një hap prapa tre hapa përpara
Ervin KOÇI
Ujërat e përmbytjes më të fundit duket sikur nuk duan të largohen nga Shkodra. Pikërisht në momentin kur duket se diçka po ndryshon për mirë, konstatohet se ujërat shtohen me disa cm. Brenda ditës niveli i ujit ndryshon disa herë, sa të ngjan me një “lojë” që ai po bën me durimin e qytetarëve. Por as parashikimet e motit nuk flasin për një kohë optimale në ditët në vijim, çka ka bërë që banorët e gjithë Nën-Shkodrës të jenë pesimist për të ardhmen e afërt. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka publikuar mesditën e djeshme të dhënat më të fundit mbi situatën hidrike në kaskadën e Drinit ku niveli i ujit në të tre hidrocentralet është në rënie të ngadaltë. Sërish sipas të dhënave që raportohen nga KESH-i, shkarkimet vazhdojnë të jenë të konsiderueshme. Sipas të dhënave të djeshme të publikuara nga KESH-i, në HEC-in e Fierzës shkarkimet janë më të mëdha se prurjet. Në Koman të gjitha prurjet natyrore shkarkohen ndërsa në Vaun e Dejës shkarkohet gati gjysma e prurjeve natyrore.
Kaskada
Në orën 13:40 të ditës së djeshme kuota në HEC-in e Fierzës arrinte në nivelin 289.88 m ujë, prurjet ishin në 700 m3/sekondë, ndërsa shkarkimet 1066 m3/sekondë. Në Koman niveli i ujit dje në mesditë ishte 170.74 m, prurjet ishin në 1408 m3/sekondë dhe shkarkimet 1407 m3/sekondë. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës niveli i ujit zbriti dje në 74.2 m, prurjet 1433 m3/sekondë ndërsa shkarkimet ishin në shifrat e 700 m3/sekondë.
Të dhënat e raportuara nga KESH-i, tregojnë se prurjet në kaskadë vazhdojnë të jenë të konsiderueshme, dhe krahasuar me një ditë më parë, ka vetëm një rënie të lehtë të tyre.
Përmbytjet
Prej më shumë se një jave zona e Shkodrës vazhdon të mbetet në një situatë kritike për shkak të përmbytjeve. Shpresa se situata po përmirësohej u zbeh dje në mëngjes kur nisën reshjet e shiut të ndërprera për gati dy ditë. Ndonëse jo me intensitet të lartë kanë ndikuar që të zgjerohet sipërfaqja e tokës nën ujë, e cila falë dy ditëve të fundit pa shi, ishte tkurrur në 13.150 ha tokë nën ujë. Shifrat e fundit të shtabit të emergjencave flasin për më shumë se 14 mijë ha tokë nën ujë dhe 14.210 banorë të evakuuar. Situata mbetet konstante me atë të një dite më parë dhe nuk ka shenja përmirësimi apo përkeqësimi. Niveli i ujit në disa zona të përmbytura ka rënë me 50 cm. Në lagjet e qytetit, të prekura nga përmbytjet, kjo rënie e nivelit të ujit është e prekshme. Ndërsa në komunat e Nën-Shkodrës si Dajç, Ana e Malit dhe Velipojë, ku niveli i ujit arrin mbi 3 metra, rënia është e papërfillshme. Që situata vazhdon të mbetet kritike e tregon qartë dhe niveli i ujit në lumin Bunë dhe në lumin Drin. Shtabi i Emergjencave raporton për 1 m e 50 cm mbi pikën kritike të nivelit të ujit në këto dy lumenj. Në lagjen Xhabije, në hyrje të qytetit, në Perash dhe Tophanë lëvizja bëhet me varkë. Të dhënat e fundit të Shtabit të Emergjencave flasin për më shumë se 14 mijë ha tokë dhe 2880 banesa të përmbytura, në një kohë që në të gjithë zonën janë mbi 4610 shtëpi nën ujë.
BOX///////////////////
Frika nga epidemitë, Olli: “I kemi marrë të gjitha masat”
Nga dita në ditë niveli i ujit në qytetin e Shkodrës po ulet, megjithatë aty vazhdon të jetë situata në emergjencë. Sipas të dhënave të shtabit të emergjencave sipërfaqet e përmbytura mbeten ende të mëdha. Një tjetër rrezik për banorët është edhe mundësia e përhapjes së ndonjë epidemie. Por Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, thotë se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e saj. Nga ana tjetër, qytetarët e evakuuar që janë strehuar në konvikte brenda qytetit shprehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara, por ndërkohë kërkojnë të dëmshpërblehen. Meteorologët kanë parashikuar rikthimin e shirave sot, e megjithatë autoritet shprehen se situata është nën kontroll dhe nuk do të ketë përkeqësim te saj. Në teren vazhdojnë operacionet e evakuimeve sidomos nga zonat e përmbytura. Familjarë të cilët nuk kanë pranuar të evakuohen në ditët e mëparshme me shpresën se situata do përmirësohet shpejt, telefonojnë pranë Shtabit të Emergjencave për të kërkuar evakuimin. Të maërkurën numri i të evakuuarve ishte 14.200 persona ndërsa dje ai ariti në 14.210 persona.
Të dhënat e djeshme të HEC-eve në kaskadën e lumit Drin.
Emri i HEC-it Kuota Prurjet m3 Shkarkimet m3
1. Fierza, 289.98 m 700 m3/sek 1066 m3/sek
2. Komani 170,77 m 1375 m3/sek 1408 m3/sek
3. Vau i Dejës 74,18 m 1361 m3/sek 900 m3/sek
Mediu, grup ekspertësh për masat që duhen marrë pas përmbytjeve
Pas përmbytjeve në Shkodër, ministri i Mjedisit Fatmir Mediu ka mbledhur ne takim grupin e ekspertëve të fushës së ujërave dhe institucioneve kryesore. Tema që është diskutuar në këtë takim është gjetja e një zgjidhje e cila nuk do të sillte përmbytje në Shkodër. Kështu gjatë këtij takimi është parë e nevojshme dhe vendosur ndërhyrje në lumin e Bunës dhe në liqenin e Shkodrës. Por këto studime dhe ndërhyrje do të shmangin përmbytjet e këtij viti në qytetin Verior të cilat do të realizohen sipas një marrëveshje që ka Shqipëria me Malin e Zi. Në këtë takim, është vendosur edhe për ndërhyrje në zgjerimin e thellimit të Bunës duke eliminuar të gjithë pengesat artificiale, ndërhyrje në deltën e lumit Buna në detin Adriatik, etj. Ndërhyrje janë parashikuar për rritjen e aftësisë ujëheqëse në grykëderdhjen e Myrtenzës dhe për vënien në kushte pune të kapërderdhësit të Shirqit, në rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara në: Dajç, Pentar, Qas, etj. Studimi i plotë hidrologjik do të bëhet edhe në sistemin hidrografik, të liqenit të Shkodrës, lumit Bunë, lumit Drin, si dhe rregullimi i prurjes ujore të lumit Drin dhe i afluentëve të tjerë lumor, nëpërmjet shfrytëzimit të plotë hidro-energjetik.
Buna derdh mbetjet në Adriatik, plehrat ndotin plazhin e Ulqinit
Pas Kroacisë edhe Mali i Zi denoncon ndotjen me shishe plastike, mbetje mjekësore dhe pajisje elektroshtëpiake të plazhit të Ulqinit, edhe ky i shtrirë në brigjet e Adriatikut. Në një vijë bregdetare prej gati 12 kilometrash plazhi i Ulqinit, në jug të Malit të Zi është mbuluar nga mbeturinat. Ambientalistët e shtetit fqinj thonë se mbetjet janë transportuar në këtë plazh nga lumi Buna, i cili ndan Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe ka derdhje në Adriatik. Kreu i organizatës jo qeveritare “Hapat jeshil“ Dzelal Hodzic ka thënë për AFP-në se, ndotje të tilla ishin një dukuri e rregullt por këtë vit ndotja ishte rritur për shkak të rritjes së nivelit të ujërave. “Për shkak të rritjes së nivelit të ujërave, Buna rrëmben të gjitha mbetjet buzë lumit dhe i derdh ato në Adriatik”,- shton Djordje Dabovic, sekretari për mjedisin në Ulqin. AFP duke cituar burime zyrtare të qeverisë së Podgoricës flet për një vizitë të kryeministrit shqiptar Sali Berisha drejt Podgoricës, e parashikuar të zhvillohej për javën e ardhshme, por se kjo vizitë është shtyrë për shkak të përmbytjeve të rënda që kanë përfshirë veriun e Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite AFP shkruan se do të diskutohej mbi problemet që këto dy vende kanë për shkak të përmbytjeve.
10 Dhjetor 2010