Rama: “Ekonomia shqiptare rrezikon të bjerë si ekonomia greke”
Eneida Jaçaj
Problemet ekonomike tashmë janë kthyer në fushëbetejën kryesore midis pozitës dhe opozitës. Ndërsa pozita përpiqet ta komentojë situatën ekonomike në vend me tone pozitive krejt e kundërta ndodh me opozitën, e cila në optikën e saj deklaron se vendi është drejt një kolapsi ekonomik të thellë. Ka qenë vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe ish guvernatori Shkëlqim Cani,aktualisht kreu i Këshillit Ekonomik në PS dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, të cilët janë shprehur me tone mjaft kritike ndaj qeverisë, e cila sipas tyre po e zhyt vendin në një krizë me përmasa mjaft të mëdha dhe shumë serioze. Madje kreu socialist nuk ka nguruar të shprehte se me këto ritme përkeqësimi të krizës vendi ynë mund të përballet me skenarin e frikshëm të krizës ekonomike greke.
Deklarata
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama paralajmëroi dje se ekonomia shqiptare rrezikon të bjerë si ekonomia greke. Më tej, kreu i PS-së deklaroi se rishikimi i buxhetit të vitit 2010 është i vonuar, ndërsa borxhi qeveritar ka arritur në 100 për qind. Rama e quajti të vonuar rishikimin e buxhetit, i cili konsiston në shkurtimin e 1/4 të shpenzimeve. Sipas liderit socialist, ky shkurtim do të ndikojë negativisht për punësimin dhe zhvillimin ekonomik. “Shkurtimi, 25 % është një masë dramatike që do të thotë se kompanitë do të humbasin vende të tjera pune dhe asnjë vend pune nuk do të hapet, sipas politikës ekonomike të qeverisë në sektorin e investimeve”, - paralajmëroi Rama. Edhe ish guvernatori i BSH-së Shkëlqim Cani, shprehu shqetësimin për gjendjen e rënduar ekonomike në Shqipëri. Ai e krahasoi Berishën me “një shofer të dehur” që megjithëse sirena lajmëroi se makina duhet të ndalojë, timonieri i dehur thotë që duhet të vazhdojë. Sipas Canit, borxhi publik nuk është 60 % i GDP-së, por 100 % madje dhe mbi 100%, pasi sipas tij qeveria në këtë borxh publik nuk ka përfshirë shërbimet dhe punime të papaguara, vendimet e gjykatave që detyrojnë qeverinë të kompensojnë, apo kompensimi i ish- ushtarakëve. Dhe në këto shërbime flitet për miliarda euro të papaguara, të cilat sipas Canit, nuk janë përfshirë në përllogaritjen e borxhit publik, por ato ekzistojnë dhe janë borxhe që populli duhet paguar. “Njohim borxhin publik të detajuar 60 % të GDP-së. Konstatuam që rritja ekonomike e qeverisë nuk paska qenë 3%, por 2.8 %. Kjo çon borxhin publik në 61 %, ndërkohë që pranohet se ka shërbime e punime të papaguara dhe të pafaturuara në borxhin publik. Në borxh nuk janë futur as detyrimet e energjisë dhe të ujit që janë pa shlyer nga institucionet shtetërore. Nuk janë futur as vendimet e gjyqeve, të cilat detyrojnë qeverinë të kompensojë të dëmtuarin. Dhe as kompensimi i ish- ushtarakëve. Dhe këtu flitet për miliarda euro”, - u shpreh Cani. Ndërsa përsa i përket shitjes së pronave të ushtarakëve, Rama akuzoi për mungesë transparence dhe thellësisht korruptive procesin e shitjes së këtyre pronave dhe paralajmëroi se do të anulonte të gjitha këto ligje. “Tjetërsimin e pasurisë publike e konsiderojmë kriminal dhe do i anulojmë që në fillim të ardhjes tonë në qeveri. Nuk do lejojmë që të tilla masakra mbi pasurinë e përbashkët të kthehen në fakte të kryera”, - u shpreh Rama.
Akuzat
Kreu i PS-së,akuzat e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti i ka cilësuar qëllimisht të rreme për të larguar vëmendjen nga kriza ekonomike e vendit. “Janë gënjeshtra kriminale, sepse çojnë të gjithë opinionin publik në një drejtim të gabuar. Njësoj siç ndodhi në vende të tjera, ku iu ofruan publikut shifra të rreme dhe një ditë të bukur populli u zgjua dhe mësoi se ishte në gropë”, - u shpreh Rama. Nga foltorja e Kuvendit në seancën e ditës së enjte, Prifti e ka akuzuar Ramën se po fsheh pasurinë duke u shprehur se vetëm 3 mijë euro i kushton vetëm substanca që thith me hundë.
17 Korrik 2010