Meta: “Avancohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kazakistanit”
Zv.kryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme,Ilir Meta u prit dje nga sekretari i Shtetit, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme të Kazakistanit,Kanat Saudbayev.
Biseda mes dy diplomatëve u përqendrua në mundësitë e rritjes dhe institucionalizimit të kontakteve mes dy vendeve, me qëllim thellimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në veçanti në ekonomi, investime dhe turizëm.
Meta theksoi se ekziston potenciali për t'i avancuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kazakistanit, me anë të shkëmbimit të vizitave zyrtare në nivelet më të larta, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve, heqjes së taksimit të dyfishtë, si dhe nënshkrimin e një protokolli të posaçëm mes ministrive të Punëve të Jashtme. Në vijim të bisedës, Meta e informoi Saudbayevin rreth zhvillimeve të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Meta theksoi se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. Në këtë kuadër, Meta kërkoi mbështetjen e Kazakistanit për aderimin e Kosovës në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Ministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit i priti me interes propozimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe u shpreh i gatshëm për të marrë në konsideratë kërkesën për aderimin e Kosovës në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Të dy ministrat ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit edhe në planin e organizatave ndërkombëtare.
Shamku: “Autonomia universitare është një farsë tjetër e Berishës”
Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se Arsimin e Lartë e ka nënshtruar nën urdhrat e pushtetit. “Sali Berisha flet për autonominë e Universiteteve, por të gjithë e dinë se Sali Berisha nuk ka asnjë lidhje me autonominë”, - u shpreh Shamku, duke shtruar pyetjen se “si ka mundësi që edhe rektorët më të devotshëm dhe besnikë të tij, kanë dalë hapur kundër arnimeve që po i bëhen ligjit për arsimin e lartë, që në fakt Universiteteve vetëm autonomi nuk u jep, por përkundrazi, i nënshtron dhe i vendos krejtësisht nën urdhrat e pushtetit?! Berisha 5 herë në 3 vjet e ka ndryshuar këtë ligj”. Shamku ka cituar një pjesë nga letra e rektorit Dhori Kule drejtuar Berishës. “Projektligji bie ndesh me parimin e rëndësishëm mbi të cilin ndërtohet dhe funksionon arsimi i lartë, atë të autonomisë universitare parashikuar nga neni 57/7 të Kushtetutës, të cilën ligji duhet ta garantojë dhe jo ta kufizojë siç po bën në këtë projekt”, - citon Shamku.
17 Korrik 2010