Qiratë e banesave, vera ul kërkesën por nuk ndryshon çmimet
Ervin KOÇI
Tregu i qirave të banesave dhe objekteve për biznes në Tiranë, ka njohur një frenim gjatë këtyre muajve të fundit. Kjo gjë konfirmohet nga disa prej agjencive kryesore imobiliare në kryeqytet, të cilat kanë pohuar për gazetën “Albania” se që nga muaji maj i këtij viti kërkesat për shtëpi apo lokale me qira kanë ardhur në rënie. Shkak sipas tyre janë bërë muajt e nxehtë të verës të cilët si çdo vit largojnë nga kryeqyteti atë grup individësh që marrin objekte me qira. Këta kryesisht janë studentët ose ata që punojnë në kryeqytet, që zakonisht janë të rinj, por që gjatë stinës së verës largohen për pushime duke lënë për pasojë edhe banesat me qira. Megjithatë, në këtë treg kaotik ekspertët imobiliar shpjegojnë se janë disa fenomene që janë të përvitshme. I pari është ai i stabilizimit të disa zonave në kryeqytet që kanë dendësi të madhe popullsie dhe ku është e vështirë të gjesh sidomos banesa me qira. Të tilla janë zona e “Komunës së Parisit” apo Rruga e Elbasanit, ku shtëpitë me qira merren kryesisht nga studentët ose të rinjtë që punojnë. Në këto zona edhe çmimet e qirave të banesave janë të stabilizuara prej kohësh duke luhatur nga 200-300 euro në muaj për apartamente 1+1 ose 2+1. Fenomen tjetër është dhe ai i mos ndryshimit të çmimeve sidomos në zonat e qendrës së Tiranës, të cilat me gjithë rënien e kërkesës vazhdojnë të jenë të kripura. Sipas agjentëve imobiliarë, thuajse në të gjitha lagjet dhe rrugët kryesore brenda unazës së Tiranës, lagjes “Tirana e Re” dhe Rrugës së Elbasanit, qiratë si për apartamentet ashtu dhe për objektet e biznesit nuk ndryshojnë, me përjashtim të ndonjë okazioni. Kjo lidhet me dy arsye: e para është që në këto zona ka gjithmonë kërkesë dhe çmimi mbetet gjithmonë i lartë, e dyta është fakti që me luhatjet e vazhdueshme të valutës (pjesa më e madhe e qirave në këto zona vlerësohet në valutë), çmimet vijojnë të mbeten të kripura.
Zonat e lira
Qiratë e banesave në qendër të Tiranës vijojnë të mbajnë një kurs të shtrenjtë, me gjithë zvogëlimin e fluksit të kërkesave nga viti në vit. Në një kohë që në qendër ato vijojnë nga 300-600 euro në muaj për një apartament komod dhe të mobiluar, jashtë unazës së kryeqytetit ato vijojë një ulje poshtë nivelit të 250 eurove. Por ajo që vërehet në vitet e fundit është dhe krijimi i disa zonave më të lira kryesisht për qiratë e banesave. Të tilla janë zona e unazës së re në pjesën perëndimore të kryeqytetit, ku si pasojë e një fluksi të madh ndërtimesh, pronarët e apartamenteve për t’i shfrytëzuar ato kanë balancuar largësinë nga qendra me çmimin. Në këtë zonë qiratë e apartamenteve vijojnë nga 100-200 euro për apartamente 1+1 apo 2+1 ose vila. Po ashtu, një zonë me çmime edhe më të ira se e para është dhe ajo e Freskut, në pjesën lindore të Tiranës, e cila ofron çmime vërtet të favorshme. Në këtë zonë një apartament 1+1 i mobiluar mund të sigurohet për 100-150 euro në muaj në një kohë që apartamente 2+1 ose 3+1 mund të gjenden për jo më shumë se 200 euro. Një tjetër zonë por pak më e shtrenjtë se këto është dhe ajo e Laprakës, rruga “Don Bosko” apo të tjera zona periferike si Sauku. Këtu qiratë janë më të lira se qendra dhe madje të interesuarit mund të marrin edhe kate vilash që lëshohen me qira.
Statistikat
Në kushtet kur apartamentet mbeten të larta për t’u blerë, individët shkojnë drejt qirave, duke bërë presion në treg për stimulim të shtrenjtimit. Indeksi i qirasë së banesave është rritur me 2.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, sipas BSH-së, kjo rritje e indeksit të qirasë pason rënien e tij gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2009. Ndryshimet përkatëse të indeksit në këto periudha ishin -4.4 dhe -15.6 për qind. Indeksi i qirasë u rrit me 21.1 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e kaluar. Raporti i indeksit të çmimeve të shitjes me qiranë e banesave ka rënë në tremujorin e parë të vitit 2010, si pasojë e ndryshimeve tremujore në kahe të ndryshme të çmimeve dhe qirasë së banesave. Ky raport aktualisht qëndron poshtë trendit të tij historik, përfundon analizën BSH-ja. Sipas BSH-së, ndikim te rritja ka pasur jo pak kursi i këmbimit. Ndërtimi punon në pjesën dërrmuese me euro, e cila gjatë një viti pësoi vlera të larta në raport me lekun. Konkretisht, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010.
Çmimet
Indeksi i qirasë së banesave u ul me 12.3 për qind në terma vjetore, në 3-mujorin e parë të këtij viti, në një kohë që një vit më parë kishte pësuar rënie me 4.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit. Në krahasim me 3-mujorin e mëparshëm ky indeks ka pësuar një rënie të lehtë, 0.4 për qind. BSH-ja vëren se raporti i indeksit të çmimeve ndaj qirasë së banesave, është ulur më tej në tremujorin e parë të vitit 2010. Prirja rënëse e këtij treguesi ka nisur që në tremujorin e tretë të vitit 2009. Në kryeqytet, sidomos për ambiente tregtare në zonat e shtrenjta, si Blloku, stadiumi "Qemal Stafa" apo pranë Radio-Televizionit Shqiptar, kërkesa është gjithnjë e lartë dhe çmimet gjithashtu, janë të shtrenjta. Agjencitë imobilare vlerësojnë se çmimet ndryshojnë nga zona në zonë, por mesatarisht mund të thuhet se qiratë mujore të zyrave, luhaten nga 10-25 euro/m2, të dyqaneve deri në 35 euro/m2, ndërsa për banesat llogaritet një çmim rreth 4-5 euro/m2 në muaj. Këto nivele çmimesh kanë mbetur pa lëvizur gjatë 2-3 viteve të fundit. Çmimet më të larta, për sa u takon qirave në tregun imobilar, i paraqesin dyqanet. Edhe midis tyre, më të shtrenjtat ofrohen nga qendrat tregtare. Për një ambient tregtar prej 25-30 metrash katrorë në një qendër tregtare të Tiranës, mesatarisht qiraja është 800-1000 euro në muaj. Por mbi 1000 euro paguajnë edhe dyqanet e rrugëve të njohura tregtare të kryeqytetit.
BOX////////////////////////////////////
Kursi valutor, leku fiton disa pikë ndaj valutave kryesore
Duket se tregu valutor shqiptar e ka ndjerë herët hyrjen e valutës nga emigrantët e turistët. Dje, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, dollari është zhvlerësuar me 0.69 lekë, krahasuar me një ditë më parë; euro me 0.15 lekë dhe paundi britanik me 0.40 lekë. Vetëm franga zvicerane ka fituar sërish terren, me një rritje 0.29 lekë. Me përjashtim të jenit japonez, leku ka fituar terren ndaj të gjitha valutave, arit e argjendit.
QKR: “Në 6 muaj, 48 për qind më shumë biznese të reja”
Sipas të dhënave për gjashtë muajt e parë të punës të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për vitin 2010 ka pasur 48% rritje të numrit të bizneseve të reja të regjistruara krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij 6-mujori të parë, kanë qenë 10.514 biznese që janë regjistruar pranë kësaj qendre, këto biznese kanë qenë kryesisht biznese tregtare, shërbimi dhe më pak prodhimi. Përsa i përket çregjistrimeve, drejtori i QKR-së, Tom Kola, deklaron se ka pasur rënie me 18% të numrit të çregjistrimeve. Këto 6 muaj numri i bizneseve të çregjistruara ka qenë 2093. Regjistrimi i bizneseve tregon se situata në ekonominë reale shqiptare është pozitive dhe në rritje. "Sivjet kemi një herë e gjysmë më tepër biznese të reja që kanë filluar të operojnë në treg, në krahasim me vitin e kaluar. Për vitin 2009, për 6-mujorin biznese të reja janë krijuar 7089 gjithsej, 1 janar-30 qershor. Kurse për vitin 2010, kjo shifër është 10514. Janë 133 mijë biznese në Republikën e Shqipërisë. Vetë fakti që gjithnjë ka rritje dhe numri i çregjistrimeve është shumë më i vogël se sa numri i regjistrimeve fillestare, tregon që shifra totale e bizneseve aktive është gjithmonë në rritje",- deklaroi drejtori i QKR-së, Tom Kola. Sipas drejtuesve të QKR-së shifrat flasin për një shtim të numrit të bizneseve si në shërbime, ashtu edhe në sektorin prodhues të ekonomisë.
17 Korrik 2010