E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria e Berishës, replika në distancë mes PD-së e PS-së

 

Pasuria e familjes së Kryeministrit Berisha ka shkaktuar sërish replika publike mes PD-së dhe PS-së. Përfaqësuesja e selisë rozë, Elisa Spiropali, i kërkoi dje në mesditë përgjigje publike kreut të Qeverisë për pasurimin e shpejtë, sipas saj, të familjarëve të tij. “Zoti Kryeministër, unë Elisa Spiropali dua përgjigje në emër të së gjithë gjeneratës sime dhe refuzoj të pranoj si përgjigje fjalorin rrugaçëror që vini në gojën e zëdhënëses! Unë dua të di si mund të bëhen edhe të rejat e të rinjtë e familjeve të zakonshme shqiptare po aq të pasur sa fëmijët tuaj? Çfarë kanë fëmijët tuaj më shumë zoti Kryeministër, që duhet të jetojnë kaq shumë herë më mirë se të tjerët në këtë vend ku ju duhet t’u shërbeni të gjithëve dhe jo vetëm familjes suaj?”, tha Spiropali. “Ju z. Kryeministër duhet të përgjigjeni, sepse mund të keni vjedhur aq vota sa ju duhen për të qëndruar në karrige dhe për të vjedhur edhe ca kohë shqiptarët, por s’mund të vidhni kurrë të drejtën tonë për t’ju kërkuar llogari publikisht për zullumet tuaja çdo ditë e më të mëdha!”, vijoi më tej përfaqësuesja e PS-së. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike, e cila nëpërmjet zëdhënëses, Erla Mëhilli i ka cilësuar sulmet e PS-së si të radhës në adresë të familjes së kryeministrit Berisha. Sipas saj, Rama është kryetar pa mandat në Partinë Socialiste, teksa e akuzoi atë për lidhjet me Delijorgjin dhe konflikt interesi për dhënien e lejeve të ndërtimit. “Kryetari mandat-humbur i PS që ka shkatërruar me radhë njëra mbas tjetrës 4 familje të vetat, madje duke u shfaqur edhe në publik me sjellje të dhunshme e shtazarake, u shërbye sot sërish me kontingjentin e tij të 0,99-shave që kanë ndërtuar vilat me paratë e vjedhura nga organizata e “Mjaft”-it e që më pas zhdukën edhe kompjuterin për të fshehur gjurmët”, tha Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›