Shqipëria mbetet jashtë dy projekteve të rrjetit të gazit mes BE-së dhe Rusisë
Ervin KOÇI
Edhe pse është pika më e afërt midis gadishullit të Ballkanit dhe atij Apenin, ose e thënë ndryshe mes Lindjes dhe Perëndimit (Europës), Shqipëria sërish nuk është marrë në konsideratë nga “fuqitë e mëdha” të kontinentit plak kur bëhet fjala për projektet energjetike. Në një kohë që vetëm dy ditë më parë u nënshkrua fillimi i punimeve për një tjetër projekt të madh të rrjetit ndërkombëtar të gazit të lëngshëm midis Rusisë dhe Turqisë, i cili do të kalojë përmes Ballkanit drejt vendeve të BE-së, Shqipëria nuk u morr në konsideratë. Por ndryshe nga realiteti, gjatë dy viteve të fundit është dëgjuar të flitet mjaftë nga qeveria dhe ministrat shqiptar për përfshirjen e vendit tonë në hartat dhe projektet e rrjetit ndërkombëtar të gazit dhe të naftës. Pasi u loz shumë me emrin e naftësjellësit “AMBO”, ashtu siç u bë edhe dikur me Korridorin Paneuropian 8, duket se edhe kalimi në teritorin e vendit tonë të linjave më të rëndësishme të gazit që do të vinte nga Rusia dhe zona të tjera të Azisë për në vendet e BE-së, duket se kanë qenë vetëm flluska sapuni të qeverisë tonë. Nga ana tjetër Rusia dhe Turqia nënshkruan vetëm dy ditë më parë marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit gjigant "South Stream" (Rrjedha Jugore). Lajmi u dha në të gjitha agjencitë ndërkombëtare, sipas të cilave marrëveshja në fjale u firmos nga kryeministrat e dy vendeve, Vladimir Putin dhe Rexhep Tahip Erdogan. Marrëveshja është përshëndetur edhe nga Kryeministri italian Silvio Berluskoni, mik i ngushtë i dy homologëve.
Projekti
Gazsjellësi që kalon përmes ujërave turke të Detit të Zi, është një nga zgjidhjet që kërkon Moska për të shpëtuar nga kalimi i gazit përmes territorit ukrainas. "Është marrë një miratim në parim për fillimin e ndërtimit, Turqia ka qëndrim pozitiv ndaj projektit ‘South Stream’ dhe po përgatitet për fillimin e punëve ndërtimore",- tha zëvendësshefi i kabinetit të Kryeministrit rus, Jurij Ushakov. Gazsjellësi parashikon të ketë një gjatësi prej rreth 900 kilometra, duke u kthyer në pikë të rëndësishme furnizimi për Europën dhe më pak ndikim për linjat që kalojnë përmes Ukrainës. Kapaciteti i tubacionit do të jetë rreth 63 miliardë metër kub në vit. "Projekti do të jetë gati për furnizim në muajin dhjetor të vitit 2015, kurse kostoja totale llogaritet në rreth 8.6 miliardë euro ose 11.6 milionë dollarë", pati thënë dy muaj më parë, shefi i "Gazprom"-it, Alexei Miller. Nga Turqia tubat e gazsjellësit do të shtrihen përmes Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe deri në zemër të Europës në Austri. Linja e gjatë prej 3 mijë kilometrash do t’u ofrojë klientëve europianë alternativa të furnizimit ndryshe nga ato që ofron Rusia. Linja do të transportojë gaz nga Kaspiku, në Lindjen e Mesme nëpërmjet Turqisë për në BE. Rusia për momentin plotëson 30 për qind të nevojave me gaz të Europës.
Pasiguria për Shqipërinë
Shqipëria, megjithëse është pika më e afërt me Bashkimin Europian për sa i përket pozicionit gjeografik (kanali i Otrantos 75 km), përsëri shikohet si e papërshtatshme për rrugëkalimin e gazsjellësve nga Lindja. Vendet eksportuese të gazit dhe ato që sot drejtojnë tubacionet më gjigante në botë të këtij produkti energjetik, e konsiderojnë vendin tonë si një vend me mungesë stabiliteti për shtrirjen dhe zhvillimin e projekteve të tilla (stabilimenteve të gazit). Deri tani kompanitë më të mëdha të gazit në botë e kanë “fshirë” nga projektet e tyre Shqipërinë, duke i kaluar tubacionet e tyre tërthor vendit tonë në shtetet fqinje si Greqia, Serbia, Maqedonia etj. Aktualisht gazsjellësi “Tras-Adriatik” është e vetmja shpresë dhe më i leverdishmi për Shqipërinë. Projekti që lidhet me Italinë do të furnizojë me gaz edhe Kosovën, edhe Malin e Zi. Në raportin e saj më të fundit, Enti Rregullator i Energjisë ka shpjeguar arsyet se pse ky gazsjellës është më i leverdishmi për ekonominë e vendit. Aktualisht Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmet shtete europiane që nuk janë lidhur me rrjetet ndërkombëtare të gazit. Në kushtet aktuale furnizimi me gaz në vend parashikohet të bëhet nëpërmjet lidhjes me rrjetet ndërkombëtare të gazit, për të cilat ka tre variante. Së pari, që Shqipëria të shërbejë si terminal fundor i gazsjellësve rajonalë me gaz natyror rus nga Maqedonia, si dhe me gaz natyror rus nga Greqia. Sipas opsionit të dytë, Shqipëria mund të shërbejë si transit i magjistralit të gazit për furnizimin e Europës nëpërmjet Italisë me gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në aksin Turqi-Greqi, Shqipëri-Itali me anën e projektit “Trans-Adriatik” ose “TAP”. Opsioni i fundit i furnizimit të vendit me gaz është që Shqipëria të shërbejë si terminal i gazit natyror të lëngët në bregdetin Adriatik.
Konfliktet për gazsjellësit
Gazsjellësit e propozuar përfshijnë situata komplekse gjeopolitike, për të cilat vendet e BE-së janë të përçara. Zyrtarisht, Brukseli mbështet gazsjellësin “Nabuko”, i cili duhet të lidhë Vjenën me Azinë Qendrore përmes Turqisë dhe Ballkanit. Por, të paktën 3 vendet anëtare të BE-së kanë nënshkruar marrëveshje me Rusinë, që bien ndesh me politikën e BE-së. Nga ana tjetër, Europa po has vështirësi në gjetjen e furnitorëve të gazit në Azinë Qendrore dhe disa shtete kanë tendencën të arrijnë marrëveshje me Iranin për të blerë gazin e këtij vendi. Kjo gjë bie ndesh me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Iranit. Ndërkohë që Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi mbështesin idenë e kalimit të projektit të gazsjellësit “Jonian-Adriatik” (projekti IAP), që përfaqëson një ndër projektet më të mundshme dhe me mjaft interes për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gazsjellësi “IAP” do të shtrihet në gjithë bregdetin e detit Adriatik nga Kroacia deri në Shqipëri (në Fier), duke përshkuar Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
8 Gusht 2009