Rikthimi i tematikës për Atdheun, të mos jetë vetëm “ra ky mort e u pamë”
Lexova me interes e vëmendje intervistën e regjisorit dhe dramaturgut nga Kosova Haqif Mulliqi në një të përditshme shqiptare, i cili thotë se “Ne vuajmë nga sindromat e moçme e mbylljes brenda gëzhojave tona dhe ky është problemi me të cilin duhet të ballafaqohem”. Thelbi i këtyre fjalëve qëndron në shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit të artistëve nga Shqipëria në Kosovë. Mirëpo, nëse e zgjerojmë pak diapazonin e këtij shqetësimi legjitim del në pah nevoja për të ashtuquajturën “Martesa e Kombit”, kuptohet vetiu jo në suaza federaliste a për një “Shqipëri të Madhe”, por mbi nevojën për një martesë të kulturës, të tregut të ekonomisë, të turizmit kulturor dhe natyror. Rruga patriotike parashtron edhe më shumë nevojën e një sensibilizimi të qeverive të shteteve, po të një kombi, të një gjuhe, të një tradite. Gjithmonë e më shpesh herë Bashkimi kombëtar identifikohet dhe reduktohet ilegalisht vetëm në alibinë e bashkimin territorial-shtetëror (pra në birësimin burokratik të një Shteti të madh) dhe politikanët tanë bëjnë gara se cili do të deklarojë më shumë se të tjerët që nuk e duam “Shqipërinë e Madhe”. Ndërkohë nuk shprehen kundër bashkimit të Gjermanive, apo tek gjasa e bashkimit të dy Koreve.
Gjithashtu slogani më i dëgjuar në konferenca a komunikata për shtyp i politikës shqiptare është se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhet në kuadër të integrimit të rajonit në BE. Aksioma shkurtimisht është “Europa që na ndau, ajo do të na bashkojë!”. Ndofta është kështu e ndofta nuk është kështu, prandaj kemi njëfarë skepticizmi ndaj formulave në tavolinë. Natyrisht këto formula logjike për të ardhmen harrojnë katërçipërisht se “martesa kombëtare” është mbi të gjitha një lidhje më e ngushtë shpirtërore dhe intelektuale, çka shpreh një vullnet të përbashkët andej dhe këtej këtij muri virtual që na dhe kemi krijuar. Nga ana tjetër, kushdo ka kuptuar se kushtet e sotme janë shumë të favorshme për ta njësuar komunikimin kulturor midis shqiptarëve në Ballkan: në programet shkollore, në mediat (TV), në artet, në tregun kulturor në përgjithësi. Diçka ka lëvizur, edhe pse është sipërmarrjeve private e biznesmenëve dhe grupeve të interesit ekonomik.
Por ne njerëzit e letrave nuk duhet të harrojmë se së paku “Ideja e atdheut” duhet komunikuar - e që kuptohet me trajta nga më të ndryshmet -, prandaj është mirë që herë pas herë të aktualizohet në jetën e përditshme, dhe të mos lihet vetëm në ditët përkujtimore të datave historike. Apo siç shkruan gotha i letrave shqipe Kadare “ra ky mort e u pamë” dhe t’ia fillojmë të flasim poshtë e përpjetë.
Ndërkaq ajo që bashkon më shumë shqiptarët dhe çdo komb tjetër, ajo është fillesa e çdo bashkësie është historia. është ajo histori që daton fillimet e gjuhës së tij, fillimet e kulturës së tij, fillimet e ekzistencës së tij që i jep kuptimin identitetit që krijojmë, karakterit dhe shumë prej aspiratave të jetës sonë. Shumica e shqiptarëve po t’i pyesësh janë dakord që identiteti shqiptar është homogjen, është i njëjtë, është pjesë e identitetit europian. Në të vërtetë, identiteti i shqiptarëve (ashtu si dhe popujve të tjerë), si identitet i një kombi në përftim e sipër, është rezultat i proceseve historike të cilave u janë nënshtruar shqiptarët: mbijetesa ndaj romanizimit, krishterimi, marrëdhëniet me sllavët dhe me Bizantin, marrëdhëniet me Kishën Katolike dhe Perëndimin, marrëdhëniet me Perandorinë Osmane, islamizimin, Rilindjen e kështu me radhë. Në histori identiteti kombëtar ruhet duke u transmetuar nga një brez në tjetrin, dhe ky transmetim nuk mund të kryhet pa u ndikuar nga rrethanat historike, ose pa u modifikuar prej mutacioneve historike të pashmangshme
Sidoqoftë nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, as identitet shqiptar të gjymtuar ose të dhunuar, për shkak të një robërie të gjatë. Ne nuk kemi ndryshuar identitet. është e vërtetë se ne kemi njohur një robëri klasike të jashtme që ka qenë robëria otomane dhe një robëri të brendshme që ka qenë me dy fytyra: robëria komuniste shqiptare në Shqipëri dhe robëria komuniste serbe, bashkë me robërinë e mbretërisë jugosllave në Kosovë, por ne nuk kemi ndryshuar identitet.
Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane kanë mbetur e pacenuar në thelb.
Sigurisht, identiteti i një kombi ka të bëjë me vlerat që bart kombi, por njëkohësisht edhe me gjenet e tij. Shqiptarët nuk kanë një histori të mbushur me triumfe e mposhtje popujsh, nuk kemi një histori superfuqish,megjithatë e kemi një histori ndër më të lashtat e rajonit tonë. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se shpallja e pavarësisë u bë nga përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare, ajo u shpall për të gjithë shqiptarët, prandaj ne kujtojmë Gjergj Kastriotin në Lezhe, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlore të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve.
Lavdrim Lita