Brukseli: “Asnjë rezervë, janë plotësuar kushtet për heqjen e vizave”
Ministrat e Brendshëm të BE-së përsëritën dje nga Brukseli vendimin e Bashkimit Europian për heqjen në vjeshtë të vizave për të gjithë shqiptarët. Dëshpërim në kampin e opozitës, e cila kërcënoi mbrëmë nga parlamenti, se do bënte çmos që shqiptarët as në ëndërr të mos e shikonin lëvizjen e lirë
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian theksuan dje se Shqipëria ka plotësuar kushtet e Komisionit Evropian, për lëvizjen e lirë në “Schengen”. Të mbledhur vetëm një ditë pas takimit të nivelit të lartë të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, ministrat e Brendshëm të Unionit, konfirmuan se është bërë progres i dukshëm dhe nuk ka vend për asnjë rezervë, për sa i takon marrjes së vendimit për hyrjen në listën e bardhë të lëvizjes së lirë. Ministri i Brendshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcaba, u shpreh se Komisioni Evropain ka kryer ekspertizën e duhur lidhur me plotësimin e kushteve dhe aktualisht nuk ka asnjë pikëpyetje për liberalizimin e vizave. “Asnjë shtet anëtar i BE-së nuk është kundër heqjes së vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjën. Të gjithë shtete anëtare e duan këtë. Ka disa shtete që kanë qëndrim më të kujdesshëm dhe duan të sigurohet tërësisht, që Shqipëria dhe Bosnja i përmbushin kushtet. Komisioni Europian do të dërgojë ekspertët në verë dhe në këtë mënyrë besojmë, se do të jetë e mundur që në vjeshtë të jetë e mundur marrja e vendimit për liberalizimin. Por thelbi i çështjes është që të gjithë janë dakord në parim dhe se ka vetëm disa shtete që mendojnë, se ndoshta koha që mbetet do të na bërë të mundur që të arrijmë objektivat që kemi vënë. Komisioni Europian dhe Presidenca mendojnë se të dyja vendet po punojnë mirë dhe se do arrihet objektivat. Unë nuk kam dëgjuar asnjë rezervë politike për heqjen e vizave. Të gjithë janë të mendimit që kjo të bëhet. E vetmja gjë, është që disa shtete mendojnë se i duhet dhënë kohë këtyre vendeve për të përmbushur kushtet, por e përsëris, se Komisioni dhe Presidenca mendojnë se të dyja vendet kanë bërë progrese”, u shpreh ministri i Brendshëm spanjoll, Rubalcaba. Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kanë deklaruar njëzëri se Shqipëria dhe autoritetet qeveritare, përmbushën në kohën e duhur të gjitha rekomandimet e KE-së. Gjithashtu, Brukseli inkurajon autoritetet në Shqipëri të përshpejtojnë reformat dhe të realizojnë 3 kriteret e reja të cilat lidhen kryesisht me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministrat e BE-së konfirmuan se Unioni do t’i qëndrojë pranë Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës, deri në realizimin e plotë të kërkesave të Bashkimit Evropian.
...