Akciza dhe TVSH, mungojnë të ardhurat në buxhet
Ndërhyrjet e njëpasnjëshme në sistemin fiskal duket se nuk po japin frytet e parashikuara nga qeveria. Shembull konkret janë të ardhurat nga akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për periudhën 9-mujore të vitit, të ardhurat në buxhetin e shtetit nga këto dy zëra janë në total 1.9 miliardë lekë më pak se planifikimi. Në janar 2011 pati një rritje të taksës, ku për çdo paketë cigare paguhet 20 lekë më shumë akcizë. Në parim, një rritje e tillë e akcizës për cigaren me rreth 40% (ishte 50 lekë për paketë u bë 70 lekë) pritej të rriste edhe të ardhurat në buxhet. Por kjo gjë nuk ndodhi, përkundrazi ato u ulën. Përgjatë 9 muajve të këtij viti, buxheti i shtetit mësohet të ketë mbledhur rreth 1.1 miliard lekë më pak nga akcizat. Gjatë këtij viti vihet re një rritje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin në krahasim me vitin 2010, por kemi një mosrealizim të planit të këtij viti me 573 milionë lekë.
Gjithashtu, me rënie paraqiten dhe të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar, ku janë mbledhur 871 milionë lekë më pak se plani i fillimvitit. Ndërsa, krahasuar me një vit më parë, këto të ardhura janë me rritje prej 380 milionë lekësh. Duke qenë se TVSH-ja është tatim mbi konsumin, të ardhurat e qeverisë prej saj tregojnë se konsumi i shqiptarëve ka rënë këtë vit. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin e shtynë Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin e 2011-ës për pjesën e dytë të vitit, duke ulur kështu të ardhurat dhe shpenzimet.