E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Islamike për Zhvillim blen aksionet shtetërore me 8 milionë dollarë



Nënshkruhet marrëveshja me IDB-në për privatizimin e aksioneve të shtetit shqiptar në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë. Në Ministrinë e Financave u nënshkrua dje me Bankën Islamike për Zhvillim, IDB, marrëveshja për privatizimin e aksioneve, pronë e shtetit shqiptar, të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, UBA. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, z. Ridvan Bode dhe përfaqësuesi i bankës, z. Azfar Hussain Qarni, drejtor në IDB dhe parashikon blerjen e aksioneve të shtetit shqiptar prej 40 % në UBA, nga aksioneri aktual IDB, për 8 milionë dollarë. Ministri Bode theksoi se si pjesë e strategjisë së qeverisë në privatizimet në tërësi dhe ato strategjike në veçanti, kjo marrëveshje që u nënshkrua dje konfirmon një tjetër arritje në këtë drejtim, duke privatizuar aksionet me një vlerë 3 milionë dollarë më të lartë se në kohën kur shteti shqiptar ka ofruar këtë pjesëmarrje në vitin 2006. “Ne e konsiderojmë këtë një privatizim të suksesshëm, që konfirmon deklaratat tona se sistemi bankar dhe ekonomia shqiptare janë ende shumë të besueshme në sytë e investitorëve dhe të kompanive të huaja që veprojnë jo vetëm në ekonominë reale, por edhe në sistemin financiar, konkretisht në sistemin bankar”, - tha ministri Bode. Ai falënderoi IDB për bashkëpunimin dhe siguroi bankën se qeveria shqiptare do jetë gjithnjë një partner në mbështetje të kësaj kompanie dhe të gjitha kompanive që veprojnë në sistemin bankar dhe atë financiar. Marrëveshja u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i IDB–së, i cili theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e bashkëpunimit të vazhduar me qeverinë shqiptare. IDB është një bankë me qendër në Arabinë Saudite dhe operon në 55 shtete të Evropës, Azisë, Afrikës, ka qenë 15% aksionere të UBA, tani bëhet 55%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›