Gjykata; Kalimi klandestin, pranohet gjykimi i shkurtuar për priftin e Karavastasë dhe të tjerët
Pranohet gjykimi i shkurtuar për dhjetë të pandehurit e arrestuar përgjatë operacionit të koduar “Korridori i lirë”, të akuzuar për veprat penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “falsifikim vulash, stampash” etj. Më tej, togat e zeza i kanë lënë kohë prokurorit të çështjes për të paraqitur konkluzionet përfundimtare për të pandehurit për seancën e radhës. Tre nga 10 të pandehurit janë në gjendje të lirë, ndërsa pjesa tjerë në masën “arrest shtëpie”. Mes tyre është i pandehur edhe prifti i Karavastasë, i cili akuzohet si pjesë e grupit në transportimin e klandestinëve. Të pandehurit e grupit janë Ilir Çipi, Sefer Çollaku, Ismet Rroqi, Leonard Belortaja, Artur Likollari, Altin Qatipi, Edmond Tollkuçi, Manol Xhamia, Mihal Shuli dhe Rajmondi Duro. Mbi ta rëndojnë akuzat e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi” dhe “moskallëzim të krimit”. Të pandehurit janë duke u gjykuar nga Gjykata e Tiranës. Sipas akuzës, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin mundësonin kalimin e paligjshëm të klandestinëve, fillimisht për në Greqi dhe më pas në Itali. Gjatë këtij operacioni janë vënë në pranga dy grupe kriminale, nga të cilët njëri u gjykua nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe tjetri nga Gjykata e Tiranës.